“House With a Voice” udhëton në Tiranë
Më 7 nëntor, në qendrën kulturore Tulla në Tiranë, Dylberizm, në bashkëpunim me Aleanca LGBT dhe Prishtina Queer Festival, organizuan shfaqjen e dokumentarit House With a Voice – një film që shpalos jetët dhe historitë e burrneshave, figurave që kanë sfiduar normat gjinore në shoqërinë shqiptare patriarkale. Përmes rrëfimeve të tyre, filmi, i cili u dha premierë në Prishtinë në hapjen e edicionit të tretë të Prishtina Queer Festival më 5 shtator, tregon mënyrat se si këta persona kanë përballuar kufizimet shoqërore, duke gjetur forma të tjera të lirisë, dinjitetit dhe vetëpërcaktimit.
Pas filmit, u zhvillua një diskutim me pjesëmarrjen e Zhaklin Lektari, Romina Ruda, Aleks Seitaj i moderuar nga Sidita Zaja, të cilët ndanë reflektime mbi mënyrën si konceptet e gjinisë, traditës dhe identitetit ndërthuren në Shqipëri. Diskutimi trajtoi si burrneshat janë shpesh të mitizuara ose keqinterpretuara, por edhe si historitë e tyre mund të shërbejnë për të kuptuar më thellë lirinë gjinore dhe kompleksitetin e të jetuarit ndryshe.

Gazetarja dhe aktivistja feministe Zhaklin Lektari e nisi diskutimin duke treguar se, për të kuptuar më mirë gjininë dhe seksualitetin, i ishte dashur të lexojë dhe të edukohet për të pasur një perspektivë më gjithëpërfshirëse.
“Ky dokumentar më bën të kuptoj se këto role që neve na janë mveshur – gjinia, struktura në të cilën jetojmë dhe i gjithë sistemi – janë të gjitha të sajuara. Nuk është që ka rregulla të vërteta.”
Ajo shtoi se ajo që i bashkonte gratë në dokumentar ishte “dëshira për të qenë të lira, për të qenë vetvetja dhe për ta jetuar jetën pa kufij.”

Regjisorja Romina Ruda theksoi se dokumentari paraqet një realitet që është i përbashkët për të gjitha gratë. Ajo foli për mënyrën se si normat gjinore i kufizojnë gratë dhe vajzat, duke i futur në korniza që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin e tyre.
“Sa të rëndësishme janë mediat dhe arti në edukimin e gjeneratave dhe për të kuptuar më mirë se si zhvillohen shoqëritë, si dhe për të përçuar mesazhe politike e sociale. Prandaj ky film është tejet i rëndësishëm për t’ua hapur mendjen njerëzve,” – tha ajo.
Diskutimi u ndal edhe te polemikat historike, çfarë ndodhte kur një grua duhej të merrte rolin e burrneshës për shkak se Kanuni ia impononte, në mungesë të burrave në familje?
Artisti Aleks Seitaj ndau mendimin e tij se ky realitet ishte i frikshëm:
“Ato duhej të bëheshin burra për të pasur respektin e të tjerëve – dhe kjo tregon sa i përulur ka qenë identiteti i grave në atë kohë.”
Ai shtoi se është e rëndësishme të kuptojmë se gjinia mund të jetë gjithçka:
“Të gjithë kemi brenda vetes pjesë të maskulinitetit dhe feminitetit që shkojnë paralelisht. Të gjithë kemi marrëdhënien tonë me gjininë, dhe gjinia është krijim i vetvetes – sepse dëshiron të arrish në një pikë ku e sheh veten siç e ndjen përbrenda. Dhe kjo nuk ndodh vetëm te personat transgjinorë, por te të gjithë. Vetja jonë është një vépër arti që ne e pikturojmë çdo ditë.”

Ky diskutim erdhi në kohën më të duhur për Shqipërinë – vetëm një ditë pas miratimit të Ligjit për Barazinë Gjinore, dhe në një periudhë të vështirë për komunitetin queer, që po përballet çdo ditë me fushata dezinformimi dhe urrejtjeje nga ekstremi i djathtë. Pikërisht për këtë arsye, House With a Voice u bë më shumë se një shfaqje filmi – ishte një akt qëndrese, reflektimi dhe solidariteti.
Ky event ishte vazhdim i përpjekjeve tona për të ndërtuar ura solidariteti mes dylberave në rajon. Në një kohë kur të drejtat queer po sulmohen hapur, krijimi i hapësirave ku historia, identiteti dhe liria ndërthuren bëhet një formë e domosdoshme rezistence.
Në fund të mbrëmjes, qëndrimi ishte i qartë:
Rrëfimi i këtyre historive nuk është vetëm kujtesë për të kaluarën, por një mënyrë për të rimenduar se çfarë është gjinia në të vërtetë – dhe për të rikujtuar se njeriu duhet të jetë i lirë dhe të jetojë pa frikë.
Ky projekt është mbështetur nga EFB, një bashkëpunim i organizuar nga Rrjeti i Fondacioneve Evropiane.







