Tu e lexu qitash
Prishtina Queer Festival përtej Prishtinës, përmbyllet me sukses edicioni në Athinë

Prishtina Queer Festival përtej Prishtinës, përmbyllet me sukses edicioni në Athinë

Më 18 prill, në hapësirat e PLEX Athens, Prishtina Queer Festival (PQF) solli një edicion special që e zhvendosi përkohësisht fokusin nga Prishtina në kryeqytetin grek të Athinës, në një ngjarje unike të artit, muzikës dhe aktivizmit. 

I zhvilluar në bashkëpunim me artistë me bazë në Athinë dhe me mbështetjen e Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Athinë, programi mblodhi artistë, aktivistë dhe komunitete LGBTQ+ nga i gjithë rajoni në një mjedis të përbashkët për shkëmbim dhe reflektim.

Hapja e ngjarjes u bë nga Përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Athinë, z. Fitim Gllareva, i cili theksoi rëndësinë e artit dhe dialogut si pjesë të rëndësishme për krjimin e hapësirave të fuqishme dhe të sigurta.

Dua t’ju uroj mirëseardhje në Prishtina Queer Festival dhe në ekspozitën që vjen me një titull të fuqishëm: rezilienca, që pasqyron forcën e atyre që krijojnë dhe guxojnë të jetojnë hapur edhe kur gjykohen dhe përjashtohen. Arti ka një rol shumë të veçantë në këtë, natyrisht që edhe institucionet kanë rëndësi, por arti i lidh njerëzit në një mënyrë ndryshe. Faleminderit për gjithçka që po bëni”, tha Gllareva.

Z. Gllareva njashtu njohu kontributin dhe falenderoi organizatorët e ngjarjes:

“Faleminderit Besfort që e përfaqëson Kosovën ashtu siç është. Gjithashtu dua t’i falënderoj organizatorët, që janë sigurisht miq të mirë, miq shqiptarë, që e bënë të mundur këtë, për krijimin e hapësirave të tilla që, edhe pse të vogla, përcjellin mesazhe të thjeshta por të fuqishme: se dinjiteti dhe e drejta për të jetuar si vetvetja i përkasin secilit” – shtoi ai tutje.

Në ekspozitën e kuruar nga artisti i lindur në Kosovë dhe Drejtori Kreativ i PQF, Besfort Syla, u prezantuan punime nga artistë me bazë në Athinë si Dio Memai, Andrea Luis Hernandez, Izabo Kremou, Marilena Dimitri, Irianna Babaly dhe Spiros Christou, të cilët trajtuan reziliencën përmes çështjeve që prekin identitetin, kujtesën dhe kulturën vizuale.

Drejtori Kreativ i PQF, Besfort Syla.

“Do të thotë shumë që keni gjetur kohë të vini këtu. Me PQF po organizojmë këtë program njëditor, ndërsa kjo ekspozitë në veçanti bashkon pesë artistë që punojnë në mediume të ndryshme. Fillimisht, ajo është frymëzuar nga edicioni i vitit të kaluar, i cili kishte në qendër reziliencën, nën sloganin “Darling, I’m Only Dancing”, që në thelb kishte të bënte me kujdesin për njëri-tjetrin dhe krijimin e hapësirave për njëri-tjetrin. Thjesht kemi dashur t’u japim hapësirë këtyre artistëve që të na tregojnë se si e shohin reziliencën dhe çfarë do të thotë ajo për ta” – tha Syla në fjalimin e tij hapës.

Ky edicion nuk kaloi pa u vënë re edhe nga mediat lokale greke. Revista më e njohur queer në Greqi ANTIVIRUS, e cila mbuloi ngjarjen, ndër të tjera tha se “Athina mirëpret Prishtina Queer Festival, që po krijon hapësirë për zërat queer shqiptarë dhe të tjerë nga Evropa Juglindore, dhe e cila forcon lidhjet me individë, kolektive dhe iniciativa komunitare në Greqi”. Sipas tyre, një nga aspektet më të rëndësishme të ngjarjes ishte pikërisht lidhja që krijon mes përvojës queer dhe migrimit, duke vënë në pah nevojën për aleanca ndërmjet lëvizjeve shoqërore.

Ndërkaq, ngjarja është vlerësuar edhe nga platforma Resident Advisor si një nga ngjarjet më të mira që janë mbajtur në qytet gjatë këtij prilli.

Në vazhdim, një diskutim publik mblodhi aktivistë dhe organizatorë të komunitetit,  përfshirë Medinë Dautin, Menaxhere e Programit në Dylberizm, gazetaren Stephania Papadimitriou dhe hulumtuesen Ilirida Musaraj, Silvia Kourentzi nga Intersex Community Greece, si dhe përfaqësuese nga Komuniteti i Squatted Prosfygika, ku u diskutua mbi ndërthurjen e jetës queer me migrimin, si dhe mbi format e solidaritetit dhe vetë-organizimit. 

“Një prej arsyeve pse kam bashkëpunuar me PQF është sepse isha atje në shtator dhe kam qarë tre ditë me radhë, dhe ndjenjën që më dhanë me të vërtetë kam dashur ta sjell në Athinë. Nëse do të mund t’ju jepja sytë e mi dhe ndjenjat e mia dhe atë që kam përjetuar, do të doja shumë ta bëja sepse ishte shumë intensive dhe shumë mikpritëse” – u shpreh Kostandino Gjokrushi, një prej artistëve lokal në Athinë, bashkë-organizator i ngjarjes.

Ngjarja u përmbyll me programin e mbrëmjes e cila solli në qendër muzikën, me një lineup të kuruar artistësh queer që performuan në skenën e PLEX.

DJ Rebiswan nga Prishtina dhe Leo nga Tirana performuan për herë të parë në Athinë, duke sjellur energjinë shqiptare në kryeqytetin grek, të shoqëruar nga artistët lokalë të Athinës Ayshel dhe Lyriach, të cilët janë pjesë e skenës në zhvillim të muzikës elektronike në qytet. 

Ky edicion në Athinë e zgjeroi më tej dimensionin rajonal të PQF-së, me përfshirjen e zërave shqiptarë queer dhe të tjerë nga Evropa Juglindore, që brenda një dite krijuan lidhje e ndanë përvoja të sinqerta, me synimin që këto bashkëpunime të vazhdojnë të thellohen edhe në të ardhmen.

Prishtina Queer Festival organizohet nga Dylberizm, duke mbledhur artistë, kuratorë dhe punonjës kulturorë përmes ekspozitave, projeksioneve, diskutimeve dhe performancave. 

Edicioni i radhës i Prishtina Queer Festival do të mbahet nga 4-6 shtator 2026 në Prishtinë.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top