Tu e lexu qitash
BubbleX është vendi ma i ri në kryeqytet për dylberat

BubbleX është vendi ma i ri në kryeqytet për dylberat

Më 1 maj hapet BubbleX, një hapësirë e re për jetën e natës në Prishtinë, që vjen si vazhdim i Bubble – pubit të parë queer në qytet. Në bio e përkufizon veten si “një mënyrë e re për jetën alternative të natës në Prishtinë ”, por rëndësia e kësaj hapjeje shkon përtej një riformulimi të jetës së natës, sepse ajo po shënon një ndryshim në mënyrën se ku dhe si del komuniteti queer.

Për një kohë të gjatë, dalja për komunitetin queer në Kosovë ka qenë e fragmentuar dhe e kushtëzuar nga hapësira që nuk janë ndërtuar për ne. Hapësira ku prania tolerohet, por nuk është në qendër. Hapja e BubbleX e sfidon këtë realitet dhe po krijon një hapësirë që e vendos në qendër kulturën dhe praninë queer në publik.

Dyert e BubbleX po i hapë Black Peppa, një nga figurat më të spikatura të skenës drag në Mbretërinë e Bashkuar, njohur për stilin e fuqishëm vizual, energjinë e lartë në performancë dhe qasjen që ndërthur modën me performancën artistike.

Ku më pas, hapjen e Trouble, dhoma e dytë e hapësirës, po e bën Kasra V – i cili është DJ dhe producent me bazë në Londër, i lindur në Teheran, që e ka ndërtu tingullin e vet mes kufizimeve dhe zbulimit të vazhdueshëm. I rritun me qasje të kufizume në muzikë perëndimore, zhvendosja në Londër e shtyu drejt një eksplorimi intensiv të skenës elektronike, që sot reflektohet në sete të ngarkume me tension, kujtesë dhe eksperimentim.

Ndërsa, më 2 maj, programi vazhdon me një natë ballroom, e organizuar nga Anybody Walking, kolektiv nga Budapesti që punon me kulturën ballroom si formë rezistence, komuniteti dhe vetë-shprehjeje. Ballroom-i vjen si praktikë që historikisht ka krijuar hapësira të sigurta dhe familje alternative për komunitetet queer.

Edhe pse BubbleX nuk e përkufizon veten drejtpërdrejt si klub queer, lidhja e tij me Bubble dhe programi i paralajmëruar e vendosin qartë në një vazhdimësi të hapësirave që kanë munguar për një kohë të gjatë në Prishtinë. Kjo hapje është deklaratë për praninë, për dukshmërinë dhe për të drejtën për të pasur hapësira të përbashkëta.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top