Tu e lexu qitash
Çfarë domethanie ka hapja e BubbleX për dylberat?

Çfarë domethanie ka hapja e BubbleX për dylberat?

“Jam shumë e lumtur që muj me ardhë këtu edhe me qenë vetvetja, edhe me pa njerëz si tipi jem rreth vetes.” – Kjo ndjenjë u përsërit disa herë gjatë natës së hapjes së BubbleX më 1 maj në Prishtinë.

Që në orët e para, u pa që BubbleX po funksionon ndryshe. Njerëzit nuk po hynin veç për me pa se çka po ndodh me ni vend të ri që është hapë, por për me u ndje rehat. Për shumë prej tyre, ishte një nga ato rastet e rralla kur nuk ka nevojë me u mendu dy herë për mënyrën si po duken apo si po perceptohen.

Për shumë të rinj, kjo hapje u përjetu si diçka e nevojshme për qytetin. Disa e përshkruan si një hap të madh për dylbera e të tjerë si një hapësirë që më në fund e bën daljen ma të thjeshtë.

“Jam shumë krenare për krejt çka është bo këtu. Është një hapësirë e madhe, me energji shumë të mirë. Po më duket si diçka që i ka mungu Prishtinës”, tha një pjesëmarrëse.

Për disa, rëndësia ishte edhe ma personale. Ideja që ekziston një vend ku mundesh me u shprehë lirshëm dhe me e festu veten pa u ndje i/e gjykuar u përmend vazhdimisht gjatë natës.

“Ma në fund kemi një hapësirë ku mundemi me u mbledhë edhe me e festu dashninë. Ndihem shumë e lirë këtu”, tha një tjetër person që ishte prezent.

Hapja e ambientit Trouble brenda BubbleX solli një tjetër dimension të natës, ma intim, ku njerëzit u afruan ma shumë me njëri-tjetrin dhe me atmosferën. Për shumëkënd, kjo e shtoi ndjenjën që nuk bëhej fjalë veç për një klub, por për një hapësirë që po krijon forma të reja të daljes dhe të qëndrimit bashkë.

“Po ndihem që tash kemi ma shumë vende ku mundemi me dalë dhe me u ndi të sigurtë si grup,” tha dikush nga publiku.

Për dikë që jeton në Prishtinë prej pak kohësh, BubbleX ishte arsyeja e parë pse vendosi me dalë në një klub.

“Kam qenë duke pritë për një vend të tillë. Jo veç për komunitetin queer, por për këdo që nuk don me u kufizu,” tha ajo.

Edhe nata e dytë, me performanca nga kultura ballroom e sjellur nga Anybody Walking, kolektiv nga Budapesti, e vazhdoi këtë ndjenjë komuniteti, duke e sjellë një kulturë që historikisht ka qenë e lidhur me krijimin e hapësirave të sigurta dhe vetë-shprehjen.

BubbleX po sfidon hapësirat heteroseksuale dhe heteronormative që historikisht kanë dominuar publiken dhe dalja për dylberat në Prishtinë po bëhet ma e lehtë, ma e hapur dhe ma e jona.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top