Tu e lexu qitash
Serbia refuzon njohjen ligjore për bashkësitë e të njëjtit seks

Serbia refuzon njohjen ligjore për bashkësitë e të njëjtit seks

Parlamenti i Serbisë ka rrëzuar projektligjin për legalizimin e bashkësive të të njëjtit seks, duke lënë edhe më tej çiftet pa asnjë njohje ligjore. Më 16 prill, iniciativa mori vetëm 29 vota, kryesisht nga opozita, dhe nuk arriti të kalojë.

Në një lëvizje që thekson kontradiktat brenda pushtetit, kryetarja e parlamentit, Ana Bërnabiq, votoi pro projektligjit, duke dalë kundër shumicës së bllokut qeverisës. Megjithatë, mbështetja e saj mbeti simbolike përballë refuzimit të koordinuar të partisë në pushtet.

Refuzimi i projektligjit ekspozon hendekun mes retorikës së pranimit dhe politikave konkrete që prekin jetën e dylberave në Serbi. Pa njohje ligjore, partnerët e të njëjtit seks mbeten të përjashtuar nga të drejtat bazike: nuk mund të trashëgojnë automatikisht, nuk njihen si bashkëpronarë të pasurisë së përbashkët dhe, në disa raste, nuk lejohen as të identifikojnë partnerin/en në institucione si morgu. Jeta e përbashkët mbetet e varur nga vullneti i familjeve dhe institucioneve, jo nga ligji.

Deputetja Jelena Jeriniq nga Fronti i Gjelbër-Majtas e lidhi dështimin e projektligjit me qëndrimet e deklaruara më herët nga presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se nuk do të nënshkruajë ligje që njohin bashkësitë e të njëjtit seks. Këto qëndrime politike vazhdojnë të formësojnë kufijtë e të drejtave për komunitetin LGBTQ+ në vend.

Edhe pse martesa mes personave të të njëjtit seks është e ndaluar me Kushtetutë, Serbia si anëtare e Këshillit të Evropës mbetet e obliguar nga standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Në vendimin Fedotova dhe të tjerët kundër Rusisë (2023), Gjykata theksoi se shtetet anëtare duhet të sigurojnë një formë njohjeje ligjore për çiftet e të njëjtit seks, si pjesë e së drejtës për jetën private dhe familjare.

Për momentin, këto standarde mbeten larg realitetit të përditshëm të dylberave në Serbi.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top