Tu e lexu qitash
Bashkë në rezistencë: Prishtina mbyll ciklin rajonal të diskutimeve mbi lëvizjen anti-gjinore

Bashkë në rezistencë: Prishtina mbyll ciklin rajonal të diskutimeve mbi lëvizjen anti-gjinore

Pas Tiranës dhe Podgoricës, ku u diskutuan identiteti, tradita dhe sfidat e komuniteteve queer përmes artit dhe dialogut publik, Prishtina u shndërrua në pikën e fundit të këtij udhëtimi rajonal me një fokus mbi ngritjen e lëvizjes anti-gjinore në Ballkan dhe mënyrat se si komunitetet po ndërtojnë rezistencë të përbashkët. Më 21 nëntor, në ambientet e Kometës, Dylberizm bashkoi aktiviste nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi për një diskutim mbi terrenin politik që nuk lidhet vetëm me gjininë, por me të drejtat e njeriut në tërësi.

Ndryshe nga Tirana e Podgorica, ku dokumentari House With a Voice krijoi pikënisjen e debatit, në Prishtinë ngjarja u ndërtua plotësisht rreth analizës politike. Panelistet, Rina Braimi nga CEL Kosova, Livia Zotrija Aleanca LGBT, Shqipëri dhe Marija Jovanović Asocijacija Spektra nga Mali i Zi, sollën perspektiva të ndryshme rajonale, duke e bërë të qartë se ky fenomen po shfaqet si një valë e koordinuar. 

Rina Braimi theksoi se “shoqëritë ende nuk janë të edukuara mjaftueshëm për të kuptuar se çka nënkupton një lëvizje anti-gjinore”, duke shpjeguar se kjo lëvizje është “trans-nacionale dhe ka për qëllim me e shkatërru lëvizjen për barazi”. Ajo shtoi se lëvizja anti-gjinore nuk operon vetëm përmes partive politike, por edhe në qarqe të tjera shoqërore, ku shpërndahet në formë narrativesh moralizuese dhe frikësuese.

Nga ana tjetër, Livia Zotrija vuri në pah dimensionin më të strukturuar dhe të financuar të kësaj lëvizjeje në Shqipëri. Ajo theksoi se “lëvizja anti-gjinore, apo thënë ndryshe lëvizja anti të drejtave të njeriut, është krijuar si lloj institucioni në Shqipëri nga një pastor evangjelist”, dhe se ky financim ka mundësuar që tani “edhe mediat të shpërndajnë dezinformata dhe të rreshtohen kah kjo lëvizje”. Kjo ndërthurrje mes strukturave fetare, politike dhe mediatike e ka bërë lëvizjen më të dukshme dhe më të rrezikshme në prodhimin e propagandës.

Në Mal të Zi, terreni duket ndryshe, për shkak të procesit të integrimit në BE dhe kuadrit ligjor të avancuar që e pengon politikën ta sulmojë hapur komunitetin queer. Megjithatë, kjo nuk i ndalon grupet konservatore dhe nacionaliste të përhapin propagandë. Siç theksoi Marija Jovanović, kjo nuk do të thotë se propaganda nuk ekziston. Ajo tha se “Mali i Zi qëndron shumë mirë me dokumente sa i përket ligjeve… mirëpo ka ngecje në praktikë”, dhe theksoi se propaganda anti-gjinore po shpërndahet “nga grupe të vogla, të cilat janë të dukshme por ende nuk duken si lëvizje e madhe dhe e mirëorganizuar”.

Në të tre vendet dolën në pah të njëjtat mekanizma, dezinformimi, frika dhe sulmi sistematik ndaj barazisë. Për këtë arsye, paneli e përshkroi lëvizjen anti-gjinore si “vazhdimësi të patriarkalitetit”, të veshur me gjuhën dhe strategjitë e kohës moderne por me qëllime të vjetra – kontrollin e trupit, kufizimin e lirive, diktimin e identiteteve dhe frenimin e emancipimit shoqëror.

Përballë kësaj vale, në diskutim u theksua rëndësia e përgjigjes së koordinuar rajonale. Panelistet nënvizuan se, përkundër zhvillimeve shqetësuese, në të gjitha vendet e rajonit po vërehet rritje e solidaritetit, mobilizimit dhe vetëdijes në komunitete. “E mira çka është tu ndodhë, përkundër të këqijave, është që jemi duke u bashkuar në rezistencë dhe në solidaritet. Po vazhdojmë ta fuqizojmë komunitetin.”

Duke parë se si vendet e Ballkanit, njëkohësisht edhe ato globale, po shtrijnë sulmet politike ndaj grave, dylberave dhe aktivizmit, ndarja mes nesh nuk është opsion dhe nuk ka lëvizje që mbijeton pa solidaritet ndërkufitar.

Ngjarja në Prishtinë tregoi se dhuna dhe propaganda po përhapen përmes mekanizmave të organizuar, por po aq i organizuar po bëhet edhe solidariteti ynë. Komunitetet po rriten në vetëdije, po forcohen në mënyrat e rezistencës dhe po krijojnë hapësira të reja për të mbrojtur të drejtat e tyre. Rezistenca është këtu dhe ajo vetëm po rritet më shumë.


Ky projekt është mbështetur nga EFB, një bashkëpunim i organizuar nga Rrjeti i Fondacioneve Evropiane.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top