Tu e lexu qitash
Igballe Rogova dekorohet me Medaljen Presidenciale për përkushtimin e saj në fushën e të drejtave të grave

Igballe Rogova dekorohet me Medaljen Presidenciale për përkushtimin e saj në fushën e të drejtave të grave

Më 30 mars 2026, aktivistja dhe drejtorja ekzekutive e RrGK-së, Igballe “Igo” Rogova, u dekorua me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, për “angazhimin e jashtëzakonshëm, guximin dhe përkushtimin e palodhur në avancimin e të drejtave të grave dhe të drejtave të njeriut.”

Igo, e cila ndër vite ka folur hapur edhe për identitetin e saj si grua queer, konsiderohet ndër figurat e para publike në Kosovë që ka ndërthurur këtë identitet me angazhimin e saj për të drejtat e grave dhe të njeriut, ku për dekada ka qenë e stigmatizuar.

Dekorimi i saj nga Presidenca shënon një moment me rëndësi të veçantë politike, duke e bërë Rogovën aktivisten e parë queer që nderohet me një vlerësim shtetëror në Kosovë.

Ajo bashkëthemeloi organizatën e parë të grave në Kosovë “Motrat Qiriazi”, të cilën më vonë e drejtoi, duke kontribuar në arsimimin dhe fuqizimin e mijëra grave dhe vajzave në një periudhë kur mësimi në gjuhën shqipe ishte i ndaluar.

Gjatë kohës si refugjate, Igo punoi në kampet e refugjatëve në Maqedoninë e Veriut, duke ndihmuar dhe mbrojtur gratë dhe vajzat përmes qasjeve inovative që përfshinin edukimin shëndetësor, terapinë dhe mënyra të tjera për të adresuar nevojat e grave refugjate kosovare në kampet maqedonase.

Për të mbështetur aktivistet që punonin në kushte të vështira, Igo themeloi Rrjetin e Grave Rurale, i cili më vonë shërbeu si bazë për themelimin e RrGK-së. Sot, organizata përfshin mbi 100 grupe të shoqërisë civile që mbrojnë dhe promovojnë të drejtat e grave kosovare, pa marrë parasysh bindjet politike, fenë, moshën, nivelin e arsimimit, orientimin seksual apo aftësitë e tyre. 

Ajo ishte ndër avokueset e para për zbatimin e Rezolutës 1325 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për gratë, paqen dhe sigurinë në Kosovë, si dhe luajti rol kyç në nisma rajonale për ndërtimin e paqes dhe bashkëpunimit ndërmjet grave nga Kosova dhe Serbia. Angazhimi i saj është shtrirë edhe në nivel ndërkombëtar, përmes rolit këshillues në OKB dhe NATO

Në një intervistë të mëhershme për Dylberizm, Igo foli mbi identitetin dhe përvojat e saj si një grua queer. 

Forca dhe imazhi i gruas së fortë që ajo reflektonte sfidoi shumë mendje të mbyllura të bashkëkombasëve të saj. Ndërkaq për komunitetin queer, të rinj e të vjetër, brenda apo jashtë dollapit, Igo në atë kohë reflektoi një të vërtetë të nevojshme se njerëzit queer nuk ishin vetëm.

Të rriteshe në Kosovë në vitet e 60-ta, 70-ta e 80-ta ka qenë sfiduese për shumë arsye, dhe sigurisht që ka qenë thuajse e pamundur të rrethoheshe me persona hapurazi queer shqiptarë. 

Pavarësisht sfidave, ajo ka vazhduar të kontribuojë në avancimin e të drejtave të grave dhe në krijimin e hapësirave më gjithëpërfshirëse në vend.

Për ta kuptuar më thellë rrugëtimin e Igos, rrëfimin e saj të detajuar e gjeni në Kronikën e Rezistencës Queer.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top