Nepali zgjedh ligjvënësen e parë transgjinore në parlament
Nepali ka shënuar një moment historik me zgjedhjen e ligjvënëses së parë transgjinore në parlament, një zhvillim që konsiderohet një hap i rëndësishëm për përfaqësimin politik të komunitetit LGBTQ+ në vend.
Aktivistja për të drejtat LGBTQ+, Bhumika Shrestha, është konfirmuar si anëtare e parlamentit përmes sistemit proporcional, duke përfaqësuar partinë qendrore Rastriya Swatantra Party.
Shrestha, 37 vjeç, e përshkroi zgjedhjen e saj si një moment njëkohësisht entuziazmues dhe të mbushur me përgjegjësi, duke theksuar pritshmëritë e komunitetit që ajo të ngrejë çështjet e tyre në nivel institucional.
“Jam shumë e entuziazmuar, por gjithashtu ndjej përgjegjësi mbi supet e mia,” tha Shrestha, për Agence France-Presse.
“Kushtetuta jonë ka dispozita për komunitetin tonë, por ato nuk janë përkthyer ende në ligje dhe politika. Komuniteti ynë pret që unë të ngrij çështjet tona (në parlament)”, shtoi ajo.
Ajo do të jetë pjesë e parlamentit prej 275 anëtarësh, i dalë nga zgjedhjet e fundit, të cilat u mbajtën në një kontekst të tensionuar politik pas protestave kundër korrupsionit që rrëzuan qeverinë në shtator të vitit të kaluar.
Zgjedhja e Shresthës është cilësuar si një moment “historik” nga organizatat për të drejtat LGBTQ+ në vend, të cilat e shohin këtë si një mundësi për të sjellë përvoja dhe kërkesa të drejtpërdrejta të komunitetit në parlament
“Dhimbjet tona, vuajtjet tona, ndjenjat tona, historitë tona dhe çdo problem i yni kuptohet vetëm nga ne, jo nga të tjerët,” Umisha Pandey, presidente e Blue Diamond Society (BDS), një grup kryesor për të drejtat LGBTQ+.
Nepali ka disa nga ligjet më progresive për të drejtat LGBTQ+ në Azinë Jugore.
Ai ndaloi diskriminimin bazuar në gjini ose orientim seksual në vitin 2007. Një kategori e gjinisë së tretë për dokumentet e shtetësisë u prezantua në vitin 2013, dhe pasaportat me kategorinë “tjetër” pasuan në vitin 2015.
Në vitin 2023, një urdhër i përkohshëm i Gjykatës Supreme lejoi çiftet e të njëjtit seks dhe transgjinorë të regjistrojnë martesën e tyre.
Mirëpo, askush nga komuniteti nuk ka mbajtur poste publike që nga viti 2008, prej kur një burrë gej i deklaruar hapur u bë ligjvënës, i nominuar nëpërmjet sistemit të përfaqësimit proporcional.
Më shumë se 900,000 njerëz në Nepali identifikohen si pakica seksuale, sipas BDS.






