BE bllokon propozimin e SHBA-së në OKB për të përkufizuar gjininë vetëm në terma biologjikë
Bashkimi Evropian ka bllokuar përpjekjen e Shteteve të Bashkuara për të vendosur një përkufizim të ngushtë të gjinisë si kategori vetëm biologjike, gjatë një prej forumeve kryesore globale për të drejtat e grave në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Ngjarja ndodhi në përfundim të sesionit të Komisionit të OKB-së për Statusin e Grave, ku SHBA paraqiti një rezolutë që synonte të përcaktonte termin “gjini” si të kufizuar në “burra dhe gra”, duke e lidhur atë drejtpërdrejt me seksin biologjik.
Megjithatë, Belgjika, duke folur në emër të Bashkimit Evropian, përdori një procedurë të njohur si “no action motion”, e cila bllokoi debatin dhe votimin e propozimit përpara se ai të shqyrtohej nga vendet anëtare. Mocioni u miratua, duke ndalur rezolutën e SHBA-së.
Zyrtarët e BE-së e kritikuan nismën amerikane si të nxituar dhe në kundërshtim me dokumentet ndërkombëtare ekzistuese, duke theksuar se nuk ekziston një përkufizim universal i termit “gjini” dhe se ai është zhvilluar në mënyrë më të gjerë që nga Deklarata e Pekinit e vitit 1995.
Nga ana tjetër, përfaqësues të SHBA-së e dënuan bllokimin, duke e cilësuar si një përpjekje për të penguar debatin dhe për të imponuar një qasje ideologjike në institucionet shumëpalëshe.
Përplasja nxjerr në pah tensionet e vazhdueshme në nivel global mbi mënyrën se si përkufizohet gjinia dhe ndikimin që këto përkufizime kanë në politikat ndërkombëtare, përfshirë programet e zhvillimit, arsimit dhe kuadrin kundër diskriminimit.
“Projekti i rezolutës i paraqitur nga SHBA-ja ishte faktikisht i pasaktë,” tha David Jordens, zëdhënës i ministrisë së jashtme të Belgjikës, duke shtuar se ai “citon dhe kundërshton” gjuhën e dakorduar në Deklaratën e Pekinit të vitit 1995. “Ndërsa BE-ja respekton të drejtën e shteteve anëtare për të propozuar iniciativa të reja për shqyrtim, anëtarët e CSW-së nuk duhet të detyrohen të nxitojnë një vendim mbi një çështje kaq të rëndësishme për shkak të iniciativës unilaterale të një vendi anëtar, pa asnjë konsultim apo negociata paraprake,” tha Jordens.
Ai shtoi se “nuk ka një definicion të pranuar universalisht të termit ‘gjinia’. Siç pasqyrohet në përfundimet e Konferencës së Katërt Botërore për Gratë, termi është kuptuar sipas përdorimit të zakonshëm dhe të pranuar gjerësisht, pa vendosur një definicion fiks ose të plotë. Kombet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të trajtojnë barazinë gjinore në një mënyrë gjithëpërfshirëse dhe përparimtare, duke respektuar diversitetin. Çdo përpjekje për të rishikuar ose interpretuar gjuhën e dakorduar ndërkombëtarisht duhet të bëhet përmes konsultimeve të gjera dhe transparente me të gjithë anëtarësinë.”






