Tu e lexu qitash
Romë, dylber e krenarë

Romë, dylber e krenarë

Ekspozita fotografike ‘Krenarë që jemi Queer’ feston zërat e romëve dylbera

Ekspozita “RoMagic”, që ka qenë në turne nëpër Evropë, nxjerr në pah vështirësitë rrallë të dukshme të romëve dylbera.

Në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, që këtë vit vjen me temën ‘Të rinjtë romë si agjentë të ndryshimit’, rikthejmë shkrimin mbi ekspozitën fotografike të nëntorit 2025 ‘Proudly Queer’ (‘Krenarë që jemi Queer, ’) nga BIRN.

Kjo ditë ndërkombëtare e ndërgjegjësimit kulturor e feston kulturën, historinë dhe artin e romëve në shoqëritë tona. Ajo është gjithashtu një ditë për me i pranu dhe për me i nxjerrë në pah sfidat e ndryshme me të cilat përballet popullsia rome – njëra prej grupeve ma të mëdha minoritare në Evropë sot. Edhe në kohët moderne, romët vazhdojnë me u përballë me diskriminim sistemik, varfëri dhe përjashtim shoqnor.

“RoMagic: Proudly Queer. Unapologetically Roma”, një ekspozitë fotografike nga Qendra Evropiane për të Drejtat e Romëve (ERRC) që ka qenë e shfaqun muajt e fundit në Bruksel, Beograd dhe Bukuresht, paraqet jetët e fshehura dhe qëndrueshmërinë e komunitetit rom LGBTQ+ në Evropë, që për një kohë të gjatë kanë mbetë në hije për shkak të racizmit dhe homofobisë.

Ekspozita gjithashtu vë në pah sfidat më të mëdha të romëve, të cilët vazhdojnë me u përballë me segregim, dëbime, abuzim nga policia dhe përjashtim social. Për romët queer, këto padrejtësi rëndohen edhe ma shumë nga refuzimi brenda komuniteteve të tyne dhe nga shoqnia në përgjithësi. 

Antonella Lerca Duda nga © Vojin Ivkov ERRC

Antonella Lerca Duda, një grua trans rome-rumune, aktiviste dhe punëtore seksi në Bukuresht, është themeluese e “Sex Work Call”, organizatës së parë në Rumani për të drejtat e punëtorëve të seksit. Ajo hyri në histori si kandidatja e parë trans në zgjedhjet e vendit në vitin 2020. Antonella beson që ajo që e bën vërtet një njeri është aftësia për me mendu.

“Shumë njerëz veprojnë pa reflektim, si kafshë, të shtyrë vetëm nga instinkti… Kur dikush i bën keq një tjetri, ai ndalon së qeni njeri, sepse humaniteti qëndron te mendimi, jo vetëm te trupi,” thotë ajo.

Damir Komina nga © Vojin Ivkov ERRC

Damir Komina, një aktivist rom i rritur në Ohër, në Maqedoninë e Veriut, deri në moshën 15-vjeçare përjetoi një fëmijëri pa ndarje apo pabarazi, ku komuniteti ishte thelbësor. Megjithatë, pasi u zhvendos në Serbi, ai u përball me gjykime dhe me nevojën për me fshehë veten e tij të vërtetë për shkak të qëndrimeve shpesh patriarkale dhe jotolerante. I deklarum hapur si queer, rom dhe mysliman, Damiri i përqafon të gjitha pjesët e identitetit të tij dhe thotë se gjen forcë si te komuniteti i tij, ashtu edhe te aleatët, duke besuar se “njerëzimi i vërtetë tregohet nga ajo që bëjmë, jo vetëm nga ajo që themi”.

Elvira Drangoi nga © Vojin Ivkov ERRC.

Elvira Drangoi është një aktiviste rome lezbike, e lindur në jug të Moldavisë. Duke u rritur në një shtëpi me një dhomë deri në moshën 13-vjeçare dhe duke u përballur me bullizëm për identitetin e saj rom, ajo pati vështirësi në pranimin e vetes. E rritur në një familje baptiste, Drangoi kujton se si fëmijë kishte frikë se “Jezusi mund të vinte një natë, dhe meqë nuk jam e pagëzuar, do të përfundoj në ferr”.

Më vonë ajo e njohu dhe e pranoi orientimin e saj seksual dhe sot punon me organizata për të drejtat e queer dhe romëve, duke theksuar diskriminimin e ndërthurur me të cilin përballen personat romë LGBTQ+ në Moldavi. Për Drangoin, të qenit njeri lidhet mbi të gjitha me emocionet: dashurinë, dinjitetin dhe mënyrën se si shprehim atë që ndiejmë.

“Miqtë e mi thonë se jam shumë e udhëhequr nga emocionet, dhe unë besoj se njerëzimi qëndron në shfaqjen e ndjenjave tona në mënyrë të sinqertë dhe të hapun, në shprehjen e asaj që jemi vërtet pa frikë apo pengesa,” thotë ajo.

David Bicksei nga © Vojin Ivkov ERRC.

David Bicskei, një student 21-vjeçar nga Hungaria, i rritur në një fshat kryesisht rom pranë Siklosit, u përball për herë të parë me fyerje racore në moshën gjashtëvjeçare – një përvojë që e bëri të vetëdijshëm për diskriminimin.

“Shumë romë përballen me diskriminim të dyfishtë, për shkak se janë romë dhe për orientimin e tyre seksual. Shumë romë queer e fshehin identitetin e tyre, nga frika e paragjykimeve shtesë. Ky ‘kompleks minoriteti’ është thellësisht i rrënjosur,” tha Bicskei.

Për të, “të qenit njeri do të thotë me jetu në të tashmen, me guxu me mendu ndryshe… dhe mos me pasë frikë nga gjykimi për me e pasë zërin tënd.”

Të përballun me diskriminim të dyfishtë, si pjesëtarë të komuniteteve rom dhe LGBTQ+, guximi dhe vendosmëria e tyre për me jetu lirshëm tregojnë forcën e identitetit të tyre dhe frymëzojnë të gjitha komunitetet e margjinalizuara me kërku respekt dhe dinjitet.

Verzionin digjital të ekspozitës e gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top