Hapet thirrja për Çmimin e Raportimit mbi Çështjet LGBTQ+
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka hapur thirrjen për aplikime për Çmimet Vjetore të Gazetarisë 2026. Në kuadër të këtij edicioni, Dylberizm, në bashkëpunim me AGK-në, ndan për herë të parë çmimin për Raportimin më të mirë mbi Çështjet LGBTQ+.
Çmimi synon të vlerësojë gazetarinë profesionale, etike dhe të përgjegjshme që trajton çështjet dhe përvojat e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë. Në këtë kategori mund të konkurrojnë raportimet që trajtojnë të drejtat, diskriminimin, dhunën, përfaqësimin, pjesëmarrjen shoqërore, qasjen në shërbime dhe tema të tjera me interes publik të cilat në thelb kanë diskutuar përvojat dhe çështjet me të cilat përballen personat e komunitetit LGBTQ+ në Kosovë.
Kjo kategori është pjesë e 17 kategorive të Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2026, të organizuara nga AGK-ja me mbështetjen e partnerëve.
Kush mund të aplikojë dhe cilat janë kriteret?
Në këtë thirrje mund të aplikojnë gazetaret dhe gazetarët, fotoreporterët dhe kameramanët me materiale të publikuara gjatë periudhës 10 nëntor 2025 – 15 nëntor 2026.
Për kategorinë e Raportimit më të mirë mbi Çështjet LGBTQ+:
- Pranohet vetëm një material për aplikim.
- Materiali duhet të jetë origjinal, me autorësi të qartë dhe i publikuar në media audiovizive ose online.
- Mund të aplikoni me artikuj, video, fotografi, podkaste, hulumtime dhe formate të tjera mediale.
Juria do t’i vlerësojë aplikimet bazuar në pesë kritere kryesore: saktësinë dhe etikën profesionale, respektimin e dinjitetit dhe privatësisë, përfaqësimin dhe përdorimin e gjuhës së përshtatshme, thellësinë dhe kontekstin e raportimit, si dhe ndikimin në informimin publik dhe luftimin e diskriminimit.
Fituesi/ja e kësaj kategorie do të shpërblehet me 700 euro.
Si të aplikoni?
Për të aplikuar, kandidatët/et duhet të plotësojnë formularin zyrtar të aplikimit dhe ta dërgojnë atë në adresën elektronike: aplikimet@agk-ks.org
Formularin e aplikimit dhe rregullat e përgjithshme mund t’i gjeni këtu.
Afati i fundit për aplikim është 26 nëntor 2026, në ora 16:00, aplikimet@agk-ks.org
Fituesit/et e Çmimeve Vjetore të Gazetarisë 2026 do të shpallen më 10 dhjetor, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve e cila do të mbahet në Prishtinë.
Dylberizm i fton gazetaret dhe gazetarët që kanë raportuar mbi çështjet LGBTQ+ gjatë periudhës së përcaktuar të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e këtij edicioni të çmimeve.
Ky aktivitet zbatohet me ndihmën e ERA dhe Bashkimit Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm si organizatë zbatuese dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e ERA-s ose të Bashkimit Evropian.






