Tu e lexu qitash
Parada e 13-të e Krenarisë në Tiranë vjen më 23 maj: jo festë, por përballje me një realitet përjashtues

Parada e 13-të e Krenarisë në Tiranë vjen më 23 maj: jo festë, por përballje me një realitet përjashtues

Parada e Krenarisë në Tiranë këtë vit do të mbahet me 23 maj, në një kohë kur realiteti për komunitetin queer në Shqipëri nuk është thjesht sfidues, por i mbushur me regres, heshtje institucionale dhe mungesë të theksuar vullneti politik. 

Ky është marshimi i 13-të në kryeqytetin shqiptar, që pritet të mbahet në orën 12:00, me nisje nga instalacioni “Reja” (përballë Galerisë së Arteve), por pesha e tij këtë vit është më e madhe se kurrë. 

Në një kohë kur të drejtat themelore vazhdojnë të mbeten të parealizuara, ndërsa gjuha e urrejtjes dhe dezinformimi jo vetëm tolerohen, por shpesh normalizohen, prania në rrugë bëhet akt politik i domosdoshëm.

Lajmi është bërë i ditur nga Aleanca LGBT në Tiranë, ndërsa detajet mbi zhvillimin e paradës dhe aktivitetet shoqëruese priten të publikohen. 

Në njoftimin e tyre për këtë vit, organizatorët kanë zgjedhur sloganin: “Vala kalon. Ne mbetemi. Bashkë.” Kjo thirrje është qëndresë e dylberave përballë një realiteti që kërkon që komuniteti të zhduket, të heshtë ose të përshtatet.

Tirana Pride është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj një klime që vazhdon të prodhojë përjashtim.

Sipas tyre, përvoja ka treguar se çdo sfidë e kaluar ka forcuar lidhjet brenda komunitetit dhe ka ndihmuar në ndërtimin e një familjeje të madhe solidariteti, e cila u jep individëve mundësinë të jenë vetvetja dhe të ndërtojnë jetën e tyre me dinjitet. “Sa herë kemi qenë bashkë, kemi ngritur njëri-tjetrin me kujdes, solidaritet dhe dashuri,” thuhet në deklaratë. 

Përballë valëve të vazhdueshme të urrejtjes, përjashtimit dhe një shteti që shpesh zgjedh të mos veprojë, përgjigjja nuk mund të jetë më vetëm qëndrueshmëri, por prani, rezistencë dhe presion. Sepse çdo vit që kalon pa ndryshim real është një kujtesë se të drejtat nuk jepen, por kërkohen dhe fitohen.

E nisur në vitin 2011 nga një grup i vogël aktivistësh në sheshin Sheshi Nënë Tereza, Parada e Krenarisë sot nuk është më vetëm simbolike. 

Më 23 maj, Tirana ka nevojë për çdo zë në rrugë, andaj bashkohuni për ta bërë të dukshme atë që për shumë gjatë është shtyrë, heshtur dhe injoruar, dhe për të treguar se prania, solidariteti dhe qëndresa kolektive janë më të forta se çdo përjashtim. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top