Dita e përkujtimit trans: çdo 32 orë dikush vret një person trans
Paralajmërim: Ky artikull trajton dhunën, vrasjet dhe urrejtjen ndaj personave LGBTIQ+, andaj mund të ketë përmbajtje shqetësuese për disa lexues/e.
Projekti Trans Murder Monitoring (TMM) i organizatës TGEU ka regjistruar 273 vrasje të personave transgjinorë dhe me diversitet gjinor në mbarë botën gjatë periudhës 1 tetor 2025 – 30 shtator 2026. Kjo nënkupton se, mesatarisht, çdo 32 orë është raportuar një vrasje.
Sipas raportit vjetor të publikuar më 11 nëntor 2026, vrasjet janë raportuar në 35 vende të botës, shifra e dytë më e lartë që nga fillimi i monitorimit. Për herë të parë, raste janë regjistruar edhe në Rumani dhe Kamerun. Që nga viti 2009, kur ka filluar mbledhja e të dhënave, TMM ka dokumentuar mbi 5,500 vrasje të personave trans dhe me diversitet gjinor në nivel global.
Raporti publikohet çdo vit në prag të Javës së Ndërgjegjësimit Transgjinor dhe Ditës së Përkujtimit të Personave Transgjinorë, që shënohet më 20 nëntor.
TGEU thekson se monitorimi përfshin vetëm vrasjet e raportuara dhe se shifrat nuk pasqyrojnë të gjitha rastet e dhunës. Sipas organizatës, tkurrja e hapësirës qytetare, armiqësia ndaj personave trans nga mediat dhe institucionet shtetërore, si dhe shkurtimi i fondeve për organizatat monitoruese, e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dokumentimin e këtyre vrasjeve.
Kush janë personat më të shënjestruar?
Gjetjet e TMM-së tregojnë se dhuna vazhdon të prekë në mënyrë disproporcionale gra trans dhe persona transfemininë, punonjëse seksi dhe persona trans me ngjyrë.
Pothuajse të gjitha viktimat (95%) ishin gra trans ose persona transfemininë. Një në tre viktima (32%) ishte punonjës/e seksi, grupi më i shënjestruar në mesin e profesioneve të identifikuara. Ndërkaq, tri të katërtat e viktimave (75%) ishin persona trans me ngjyrë.
Sa i përket moshës, 35% e viktimave ishin të moshës 31 deri në 40 vjeç, ndërsa 21% ishin të moshës 19 deri në 25 vjeç. Pesë për qind e personave të vrarë ishin të mitur nën moshën 18-vjeçare.
TGEU e lidh këtë model të dhunës me ndërthurjen e mizogjinisë, transfobisë, racizmit, ksenofobisë dhe urrejtjes ndaj punonjësve të seksit. Këto forma të shtypjes përforcojnë njëra-tjetrën dhe i ekspozojnë veçanërisht personat që përballen njëkohësisht me disa prej tyre.
Shumica e vrasjeve janë raportuar në Amerikën Latine dhe Karaibe
Shtatë në dhjetë vrasje (69%) janë raportuar në Amerikën Latine dhe Karaibe. Brazili kryeson sërish listën, me 32% të totalit të vrasjeve të regjistruara në nivel global.
Në Meksikë janë raportuar 29 vrasje, numri më i ulët që nga viti 2011. Ndërkohë, Argjentina ka regjistruar 16 vrasje, shifra më e lartë që nga fillimi i monitorimit, ndërsa Ekuadori ka regjistruar po ashtu 16, numri i dytë më i lartë në historinë e TMM-së.
Megjithatë, TGEU paralajmëron se numri më i ulët i vrasjeve të regjistruara në një shtet nuk nënkupton domosdoshmërisht se ai është bërë më i sigurt për personat trans. Sipas organizatës, dallimet në numrin e rasteve të dokumentuara lidhen edhe me kapacitetet e organizatave për monitorimin dhe raportimin e dhunës. Në Amerikën Latine, lëvizjet trans dhe feministe kanë një traditë më të konsoliduar të dokumentimit të feminicideve.
13 vrasje të raportuara në Evropë
Në Evropë janë raportuar 13 vrasje të personave trans, numër i barabartë me totalin e rasteve të raportuara gjatë viteve 2024 dhe 2025 së bashku. Shumica e viktimave ishin migrante ndërkombëtare, pothuajse të gjitha ishin gra trans ose persona transfemininë, ndërsa një e treta ishin punonjës/e seksi.
TGEU thekson se këto të dhëna pasqyrojnë ndërthurjen e transfobisë, racizmit dhe ksenofobisë, të cilat i lënë migrantët trans më të ekspozuar ndaj dhunës dhe me më pak mbrojtje.
Në Azinë Qendrore nuk janë raportuar vrasje gjatë periudhës së monitorimit. Megjithatë, TGEU paralajmëron se kjo nuk duhet interpretuar si mungesë e dhunës. Sipas organizatës, mungesa e sigurisë, padukshmëria e detyruar e personave trans dhe burimet e kufizuara për monitorim mund të bëjnë që shumë raste të mos dokumentohen.
Ndërkaq, në Azi janë regjistruar 32 vrasje, krahasuar me 51 në vitin paraprak. TGEU vlerëson se edhe kjo shifër ka gjasa të jetë më e ulët se realiteti, pasi disa organizata partnere nuk kanë pasur mundësi të ofrojnë të dhëna këtë vit për shkak të mungesës së burimeve dhe energjisë elektrike.
Në Shtetet e Bashkuara janë regjistruar 29 vrasje, krahasuar me 31 gjatë vitit 2025.
Kush po i vret personat trans?
Të dhënat tregojnë se dhuna nuk ndodh vetëm në hapësira publike, por edhe brenda shtëpive dhe marrëdhënieve personale. Një e katërta (25%) e vrasjeve të regjistruara kanë ndodhur në shtëpinë e vetë viktimës.
Ndër autorët e raportuar përfshihen grupet e organizuara të urrejtjes dhe bandat (15%), persona të panjohur (14%), si dhe pjesëtarë të policisë dhe ushtrisë (12%). Në këtë kategori të fundit janë dokumentuar 13 vrasje, krahasuar me pesë gjatë vitit paraprak.
Po ashtu, nëntë persona trans janë vrarë ose kanë vdekur në rrethana të dyshimta në burgje apo stacione policore, krahasuar me katër raste gjatë vitit paraprak.
Nga rastet ku autoritetet vendore kanë dokumentuar ndërhyrje, autori është arrestuar vetëm në 21% të tyre. TGEU thekson se shumë vrasje nuk hetohen fare, ndërsa të tjera nuk trajtohen me urgjencën e duhur ose nuk regjistrohen duke marrë parasysh motivet anti-trans.
Thirrjet për institucionet
Në raportin e këtij viti, TGEU u bën thirrje qeverive dhe institucioneve që të ndërmarrin masa konkrete për mbrojtjen e personave trans dhe parandalimin e dhunës.
Ndër rekomandimet kryesore janë shfuqizimi i ligjeve që kriminalizojnë identitetet trans dhe kufizojnë njohjen ligjore të gjinisë, përfundimi i kriminalizimit të punës seksuale, miratimi dhe zbatimi i ligjeve kundër krimeve të urrejtjes dhe diskriminimit, si dhe trajnimi i profesionistëve, përfshirë pjesëtarët e policisë, për t’iu përgjigjur dhunës anti-trans.
Organizata kërkon gjithashtu mbështetje financiare dhe mbrojtje për aktivistët trans dhe organizatat e shoqërisë civile, si dhe që vendimet për vendosjen e personave trans në burg të bazohen në vetëvendosjen e tyre, pavarësisht statusit të njohjes ligjore të gjinisë.
Për shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, TGEU kërkon përshtatjen e legjislacionit kombëtar me Direktivën e BE-së për luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, si dhe zbatimin e saj të plotë dhe në kohë, duke përfshirë mbrojtjen e personave trans.
Të dhënat e TMM-së janë një kujtesë se vrasjet e personave trans nuk mund të kuptohen si raste të izoluara. Ato ndodhin në një kontekst të pabarazisë, diskriminimit dhe dështimit të institucioneve për të garantuar sigurinë dhe drejtësinë për të gjithë.






