Tu e lexu qitash
Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës miraton pjesërisht ankesën e Dylberizm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës miraton pjesërisht ankesën e Dylberizm

Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës në mbledhjen e tij të mbajtur më 10 qershor 2020, shqyrtoi ankesën e Dylberizm kundër Gazeta Metro lidhur me artikullin “Koronavirus nuk transmetohet te homoseksualët”. Me datën 16 mars 2020, Gazeta Metro ka publikuar një lajm absolutisht të pabazë dhe të trilluar në të cilën u tha se “Sipas hulumtimeve të fundit shkencore nga doktor Hopp dhe Muller nga Instituti Botëror Kundër Viruseve ka rezultuar se koronavirusi nuk transmetohet tek homoseksualët.” Me këtë rast, Dylberizm ka paraqitur ankesë ndaj Gazetës Metro në Këshillin e Mediave të Shkruara të Kosovës.

Në vendimin e KMShkK thuhet:

“Pas leximit të shkrimit dhe shqyrtimit të ankesës, KMShK vendos se ankesa miratohet pjesërisht.

Media ka publikuar shkrimin të cilin nuk e ka bazuar në fakte dhe ka bërë pretendime të rreme mbi një çështje që botërisht është e njohur ndryshe, me çka media ka shkelur Kodin e mediave duke mos raportuar të vërtetën. Në lidhje me këtë pikë të ankesës, KMShK gjen se ankesa është e bazuar.

Në anën tjetër në lidhje me çështjen e nxitjes së urrejtjes përmes këtij shkrimi, KMShK gjen se artikulli nuk përmban asnjë shprehje që nxit urrejtjen ndaj personave me orientim seksual LGBTIQA+. Rrjedhimisht artikulli i botuar nuk mund të cilësohet si një artikull që nxit urrejtjen.

Prandaj, nga të gjetjet e mësipërme, nga provat e prezantuara, si dhe nga shkrimi i lexuar, KMShK gjen se në pikën 1 të ankesës është shkelur Kodi i Mediave dhe vendos si në dispozitivin e këtij vendimi.”

Në ankesën e dërguar në KMShK me datë 16 mars 2020, përveç shkeljes së Kodit të medieve për raportimin e së vërtetës, Dylberizm ka parë së është nxitur urrejtje ndaj Komunitetit LGBTQI+ sepse “Gazeta Metro me këtë lajm ka nxitur lexuesit të besojnë se homoseksualët nuk preken nga Koronavirusi COVID-19, duke forcuar stereotipin dhe stigmën se homoseksualët janë qenie të ndryshme nga heteroseksualët, dhe si të tillë nuk mund të preken nga virusi COVID-19, duke nxitur paragjykimet dhe urrejtjen ndaj komunitetit LGBTI nga shumica heteroseksuale.”

Ndër të tjera është kërkuar nga Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës që:

Kqyre edhe qito

– Të publikohet përgënjeshtrimi i artikullit “Koronavirus nuk transmetohet te homoseksualët” i Gazetës Metro, duke ju rikujtuar atyre dhe gjithë medieve rregullat e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës mbi Raportimin e së vërtetës dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes.

– Të kërkohet nga Gazeta Metro publikimi i kërkim-faljes ndaj personave gej/komunitetit LGBTI për publikimin e artikullit në fjalë, duke demantuar të dhënat e paraqitura në artikull dhe për nxitjen e urrejtjes dhe paragjykimit ndaj personave gej/komunitetit LGBTI

Gazeta Metro e ka fshirë artikullin në fjalë në po të njejtën ditë kur është publikuar, prandaj KMShK nuk i ka marrë parasysh këto kërkesa, duke nënkuptuar se për ta fshirja e artikullit dhe kërkim falja janë e njëjta gjë.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top