Tu e lexu qitash
Komisioni Evropian: Ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i përgjithshëm i të drejtave të personave LGBTI në Kosovë mbetet i ulët
Nale Dheze

Komisioni Evropian: Ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i përgjithshëm i të drejtave të personave LGBTI në Kosovë mbetet i ulët

Çdo vit Komisioni Evropian miraton “Paketën e Zgjerimit” – një grup dokumentesh që shpjegojnë politikat për zgjerimin e BE-së. Më e rëndësishmja, kjo paketë përfshin një komunikim mbi zgjerimin i cili përcakton rrugën përpara dhe bën një përmbledhje të situatës në vendet kandidate dhe kandidatët e mundshëm.

Përveç komunikimit kryesor, paketa përmban Raportet në të cilat shërbimet e Komisionit Evropian paraqesin vlerësimin e tyre vjetor të detajuar të gjendjes së pozitës në secilin vend kandidat, dhe çfarë është arritur gjatë vitit të fundit. Këto vlerësime shoqërohen me rekomandime dhe udhëzime për përparësitë e reformave.

Këtë vit, Komisioni Evropian prezantoi paketën e zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor në muajin tetor, në krahasim me vitet e tjera. Veçantia kësaj radhe qëndron tek Plani i mbështetjes ekonomike dhe investimeve, që shoqëroi paketën e zgjerimit. 

Për Kosovën, ky raport ndër të tjera ka vlerësuar edhe zbatimin e të drejtave të komunitetit LGBTI. Sipas vlerësimit, Kosova qëndron mirë me kornizat ligjore të cilat mbrojnë personat LGBTI, mirëpo mungon zbatimi i këtyre ligjeve në terren.

Raporti tregon se Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues për komunitetin LGBTI zhvilloi një plan të ri veprimi 2019-2022. Sidoqoftë, KE vlerëson se ka pak vullnet për të zbatuar këtë plan dhe asnjë përparim nuk është arritur deri më tani.

Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues (GKK) për të drejtat e Komunitetit LGBTI është formuar në vitin 2013, me vendimin të Qeverisë së Kosovës. “Qëllimi i këtij Grupi është krijimi i partneriteteve dhe bashkëpunimit në mes të institucioneve lokale dhe ndërkombëtare, si dhe organizatave jo-qeveritare të kyçura në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komunitetit LGBTI në Kosovë” thuhet në Planin e punës të publikuar nga Zyra e Qeverisjes së mirë.

GKK drejtohet nga Zyra për Qeverisje të Mirë nga Zyra e Kryeministrit, dhe përbën organizatat për promovimin e të drejtave LGBTI CEL dhe CSGD, organizata tjera për mbrojtjen e të drejtave të njeriut si dhe përfaqësues të institucioneve si Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, etj.

Ndër të tjera, Komisioni Evropian ka vlerësuar se përkundër zhvillimeve pozitive si organizimi i Paradës së Krenarisë, ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i përgjithshëm i të drejtave të personave LGBTI mbetet i ulët.

KE ka vlerësuar se ndryshimet e fundit në Kodin Penal u ofrojnë personave LGBTI mbrojtje më të mirë ligjore; por rastet e krimit të urrejtjes kundër personave LGBTI ende nuk hetohen gjithmonë si duhet dhe nuk sillen para drejtësisë.

Ndër të tjera, KE ka raportuar mbi dy rastet e njohjes ligjore të gjinisë së dy personave në Kosovë, dhe se Agjencia e Regjistrimit Civil ishte e detyruar të njohë ligjërisht gjininë e një personi bazuar në vetëvendosjen, kur Blert Morina e fitoi rastin kundër Agjencisë për Regjistrimin Civil më 11 dhjetor 2019.

Raporti i plotë mbi të drejtat e personave LGBTI në Kosovë nga Komisioni Evropian thotë:

 “Për të drejtat e personave lezbike, gejë, biseksualë, transgjinorë dhe interseks (LGBTI), Kushtetuta mbron nga diskriminimi i bazuar në orientimin seksual. Gjatë periudhës së raportimit, Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues për komunitetin LGBTI zhvilloi një plan të ri veprimi 2019-2022. Sidoqoftë, ka pak vullnet për të zbatuar këtë plan dhe asnjë përparim nuk është arritur deri më tani. Me iniciativën e Presidentit, një komitet i ri veprimi LGBTI me përfshirjen e shoqërisë civile u krijua në Janar 2020. Ekziston një nevojë e fortë që Kosova të sigurojë zbatimin e plotë të kornizës ligjore ekzistuese anti-diskriminim dhe Planin e Veprimit 2019-2022. Në tetor 2019, Parada e tretë e Krenarisë u zhvillua në Kosovë pa ndonjë incident dhe përfshiu pjesëmarrës të nivelit të lartë politik. Përkundër këtyre zhvillimeve pozitive, ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i përgjithshëm i të drejtave të personave LGBTI mbetet i ulët. Ka pasur gjithashtu incidente të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI, veçanërisht në mediat sociale. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal u ofrojnë personave LGBTI mbrojtje më të mirë ligjore; por rastet e krimit të urrejtjes kundër personave LGBTI ende nuk hetohen gjithmonë si duhet dhe nuk sillen para drejtësisë. Gjatë vitit 2019, për herë të parë, prokuroria e Kosovës filloi një çështje ex officio kundër një zyrtari të Ministrisë së Drejtësisë, për arsye të gjuhës së urrejtjes kundër personave LGBTI. Në vitin 2019, Gjykatat në Kosovë vendosën për dy raste të njohjes ligjore të gjinisë (në shkallën e parë). Pas një rasti të tillë, Agjencia e Regjistrimit Civil ishte e detyruar të njohë ligjërisht gjininë e një personi bazuar në vetëvendosjen.”

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top