Tu e lexu qitash
Filma queer që mundeni me i pa në edicionin e 12-të të Festivalit Anibar

Filma queer që mundeni me i pa në edicionin e 12-të të Festivalit Anibar

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit “Anibar” ka filluar edicionin e tij të 12-të të premtën me 23 korrik, me program të pasur me filma, prezantime, panele, punëtori dhe masterklasa.

Ndryshe nga viti i kaluar, ku për shkak të kufizimeve lokale ndaj COVID-19 festivali u mbajt vetëm online, këtë vit festivali po rikthen gjallërinë në qytetin e bukur të Pejës, me një program hibrid, ku adhuruesit e filmave të animuar do të kenë mundësinë të marrin pjesë fizikisht në programin e festivalit, apo mund ta ndjekin atë online nga kudo që janë.

Duke u përpjekur çdo herë të trajtojë temat aktuale që shqetësojnë shoqërinë e Kosovës, këtë edicion Anibar përshëndet vetminë e vërtetë ashtu si edhe klaustrofobinë që përjetojmë me Izolimin, e cila është tema e sivjetme e festivalit.

“Edhe para pandemisë, kosovarët ishin tashmë ekspertë të izolimit për shkak të kufizimeve tona të lëvizjes. Që do të thotë se ne jemi edhe ëndërrimtarë të shkëlqyeshëm. Ne jemi gati të çlirohemi” u tha mbrëmë në ceremoninë e hapjes së festivalit, ku më pas një kor i qytetit këndoi një version të këngës “I Want to Break Free” të grupit legjendar Queen, të shkruar nga ikona queer Freddie Mercury.

Edhe sivjet, filmat queer nuk do të mungojnë në Anibar. 4 filma queer janë pjesë e programit mbi të drejtat e njeriut, si dhe shumë filma tjerë që përmbajnë karaktere queer, do të shfaqen gjatë ditëve në vazhdim në Anibar.

Këto janë filma queer qe mund t’i shihni në Anibar 2021.

“I am Chuma” – Afrika e Jugut

 “Unë jam Chuma” rrëfën historinë se si një vajzë e re e zezë që studion në një kolegj biznesi në Cape Town (dhe e cila ka përjetuar disa herë incidente të dhunës me bazë gjinore), e gjen veten të pastrehë dhe duke bërë jetë të vështirë në një ulëse parku për tri vite. Me regji të Wendy Spinks dhe Clea Mallinson, filmi shfaqet të martën me 27 korrik, në orën 2 në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

“Modern Queer Heroes” – Mbretëri e Bashkuar

Kush janë heronjtë queer që po ecin mes nesh tani ose së fundmi? Një festim i figurave të LGBTQ+ që kanë ndihmuar ta shtyejnë përpara kulturën e shoqërinë pak më shumë se ne të gjithë. Me regji të Kate Jessop, filmi shfaqet të martën me 27 korrik, nga ora 2, në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

“Not for money, not for love, not for nothing” – Mbretëri e Bashkuar

Dokumentari emocionues “Në botën e nëntokës së parasë dhe seksit” ofron vështrim të rrallë mbi vështirësitë e punëtoreve të seksit. Duke përdorur animacionin në mënyrë që të ruhet anonimiteti, pyetje të vërteta marrin përgjigje nga gra të vërteta, të cilat rrëfejnë historitë e tyre. Me regji të John Robert Lee, filmi shfaqet të hënën në orën 2, në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Kqyre edhe qito

“In Nature” – Zvicër

Në natyrë, një çift përbëhet nga një mashkull dhe një femër. Epo, jo bash gjithherë! Një çift është poashtu një femër dhe një femër tjetër. Ose, një mashkull dhe një mashkull. Mund të mos e dinit, por homoseksualiteti nuk kufizohet vetëm tek njerëzit. Me regji të Marcel Barelli, filmi shfaqet të dielën në orën 2, në Kinemanë Jusuf Gërvalla.

Programe tjera të këtij edicioni përfshijnë filma nga Ballkani, filma ndërkombëtarë, filma për fëmijë, videoklipe muzikore etj.

Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar dhe Animacionit do të mbahet nga data 23 deri më 30 korrik. Gjatë kësaj kohe do të shfaqen mbi 100 filma të përzgjedhur, të cilët mund  t’i përcillni në platformën online apo fizikisht në qytetin e Pejës.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top