Për herë të parë, një grua transgjinore ashkalike ftohet në një emision televiziv, dhe përfundon e objektivizuar

Të dielën me 5 dhjetor, në televizionin First Channel është transmetuar emisioni Madam me gazetaren Antigona Kotorri, e cila kishte të ftuar Qerkicën, gruaja ashkalike transgjinore nga Fushë Kosova dhe Klea, një performuese drag nga Shqipëria, e cila identifikohet si person jobinar dhe përdor përemrat edhe femërorë edhe mashkullorë.


Mysafiri tjetër i ftuar në këtë emision ishte edhe Kreshnik Husaj, i njohur si Kika, personazh i njohur për publikun në Kosovë dhe Shqipëri, i akuzuar për avazion fiskal, kërkim të favoreve seksuale, detyrim të bashkëshortes në prostitucion, e mbi 30 akuza tjera të regjistruara në polici, por që për televizionet tona vazhdon të mbetet një “gazetar”.


Transmetimi i kësaj interviste, bëhet transmetimi i parë i një emisioni në televizionin kosovar në të cilën një grua transgjinore ashkalike është mysafire në studio.

Fatkeqësisht, kjo mbetet e vetmja e mirë e dalë nga kjo intervistë, e cila ishte përplot transfobi, homofobi, dhe keqinformim.


Edhe pse tema e emisionit titullohet “Transgjinoret: Sa është vështirë të jesh transgjinore në Kosovë?”, kjo ishte pjesa më pak e mbuluar gjatë gjithë emisionit, i cili ka trajtuar mysafiret ashtu sic trajtohen çështjet LGBTI në masmediat në Kosovë: senzacionalizëm mediatik.


Mjafton të shikohet vetëm një minutë i emisionit, për të e kuptuar se edukimi i gazetares mbi çështjet LGBTIQ është pothuajse zero. Ajo fillon intervistën duke i thënë Qerkicës që “jeton në trupin e një femre, dhe e trajton vetën si femër” duke e lënë publikun të nënkuptojë se Qerkica nuk është në fakt një grua, por ajo vetëm e trajton vetën të tillë.

Objektivizimi dhe fetishizimi i tyre ka vazhduar me pyetjet rreth marrëdhënieve të tyre me gratë, burrat, me pyetjet e llojit “a ju ka thonë ndonjë grua ma keni marrë burrin”, “në dasma dhe kanagjegje a rrini ka gratë a kah burrat”, “a i bon punët e shpisë”, “sa është problem me dalë në rrugë me take”etj.


Duke mos mjaftuar me kaq, intervista bëhet më e rëndë kur Kika i pyet mysafiret “a ju kanë rreh burrat” dhe vazhdon të qesh kur Qerkica në siklet ja kthen “është një pyetje palidhje” sikur dhuna fizike ndaj grave të ishte diçka shumë normale dhe argëtuese. Ai vazhdon të qesh duke thënë se “po du me ditë a osht lidhja tamam si burrë e grua”, duke vazhduar kështu gjatë gjithë kohës të e trajtojë Qerkicën jo si një grua, por si dikush që “e trajton vetën si grua”, duke krijuar kështu ndarje mes grave dhe grave trans.


Intervista përfundon me Kikën i cili i thotë Antigonës “për herë të parë ke pas mysafirë që janë konë jashtë kësaj bote”.


Edhe pse qëllimi i gazetares Antigona Kotorri mund të kishte qenë vetëdijësimi i publikut mbi çështjet trans, dhe vështirësitë e grave transgjinore në Kosovë, kjo intervistë në fakt ka shkaktuar më shumë dëm sesa dobi.

Publiku është mbushur plotë paragjykime dhe informata të pasakta, transfobi, homofobi, seksizëm dhe normalizim të dhunës. Trajtimi i çështjeve të ndjeshme si kjo, nuk mund të bëhet pa pasur informacione të sakta dhe edukim të duhur para se të trajtohen.

Trajtimi i dukurive të rënda si transfobia, dhuna, abuzimet dhe diskriminimet në bazë të identitetit gjinor dhe orientimit seksual nuk mund të bëhet pa pasur të ftuar ekspertë të çështjeve përkatëse, të cilët i trajtojnë këto çështje në mënyrë të duhur. Mysafiret e këtij emisioni janë detyruar të flasin dhe të ndajnë me publikun informata të rënda personale, si dhuna fizike, psikologjike dhe emocionale, por në anën tjetër nuk kanë marrë trajtimin mbi këto raste, përkundrazi, ato u bënë subjekt i talljes dhe argëtimit të gazetarëve të painformuar dhe paedukuar.


Dylberizm përgëzon dhe duartroket guximin, forcën dhe vetëbesimin e Qerkicës dhe Kleas ndaj qasjes diskriminuese të gazetarëve të emisionit Madam në First Channel, dhe për mesazhet e mira për të rinjtë trans dhe queer nga Kosova e Shqipëria.


Dylberizm kërkon falje ndaj gjithë atyre personave trans dhe queer, që përmes këtij artikulli dhe shpërndarjes së kësaj interviste, ka shkaktuar emocione dhe ndjenja të rënda, shqetësuese dhe të parehatshme.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top