Tu e lexu qitash
Diskriminimi i dyfishtë ndaj refugjatit nga Kosova: Gej dhe rom

Diskriminimi i dyfishtë ndaj refugjatit nga Kosova: Gej dhe rom

Një portal italian i quajtur “Osservatorio diritti”, ka publikuar sot një artikull mbi Ervin Bajramin, një aktivist gej dhe rom nga Kosova, i cili jeton si refugjat në Itali.

Përderisa sot vazhdon të mbrojë të drejtën e tij si pjesë e komunitetit rom, ai ngelet viktimë e diskriminimit të dyfishtë. Thotë se diskriminohet edhe nga të diskriminuarit.

Është ndër të paktët që guxoi të dilte haptas në Itali si gej. 30-vjeçari Ervin Bajrami është aktivist i të drejtave të komunitetit LGBTQ+ dhe atij rom. Ai jeton në Bergamo.

Shkoi nga Kosova kur ishte vetëm tetëvjeçar. Tash po përjeton diskriminim të dyfishtë: i përjashtuar nga familja e tij sepse është homoseksual, por edhe nga komuniteti LGBTQ+ sepse është rom. “Në këtë shtet s’kam shumë të drejta, as si gej as si rom”, ka thënë ai për diskriminimin në Itali.

Foto e Ervin Bajramit.

Bajrami u lind më 1991 në Prishtinë. Familja e tij kishte jetë mesatare. Kur shpërtheu lufta, ai dhe familja e tij ikën në drejtim të Italisë.

Të qenit rom dhe gej s’ka qenë kurrë e lehtë për të. “Gjithmonë kam pasur një luftë të brendshme, që njëra anë të triumfojë mbi tjetrën. Kjo më ka ndodhur edhe për të shmangur situata të rrezikshme: Ka shumë të tilla”, ka thënë ai.

Familja e tij ende është e lidhur për traditat dhe është e mësuar vetëm që burri të martohet me gruan dhe të kenë fëmijë. Për shkak të kësaj, Ervini e përjetoi tejet vështirë daljen hapur si gej.

“Isha 18-vjeçar. Ishte e tmerrshme. Prindërit e mi ishin të shqetësuar se çfarë kanë bërë gabim, unë isha turpi i familjes. Isha i tmerruar, më pas kuptova se s’jam i vetmi, por se jo gjithkush ka kurajën për ta thënë. Turpi s’isha unë, por injoranca që dominon në komunitetin rom”, ka thënë ai për “Osservatorio diritti”.

Pasi doli hapur, ai u detyrua të largohej nga shtëpia për të jetuar me hallën. Pas një kohe, prindërit u pajtuan dhe donin ta kuptonin se ai s’ishte i sëmurë.

“Sot ne nuk flasim për këtë, por e di se ata hyjnë në internet për të parë intervistat apo projektet e mija me komunitetin LGBTQ+. Njerëzit më seriozë që i kam pasur i kam prezantuar. S’kam qenë kurrë eksplicit, por sigurisht disa gjëra kuptohen pa pasur nevojë për fjalë. Vëllai im tash ka miq të komunitetit gej dhe gjithçka është më e qetë, gjërat janë më normale, s’ka më sensacion”, ka vazhduar ai.

Foto e Ervin Bajramit.

Gjithsesi, Ervini s’u përball me krizë vetëm në familje, por edhe te komuniteti LGBTQ+, kur tregoi se është rom.

“Shumë njerëz më pyesin nëse vjedh apo jetoj në fushë. Nuk e kuptojnë që po mbahen në stereotipe, nga të cilat po ndihen të turpëruar. Baza për këtë është paragjykimi dhe tallja. Edhe të diskriminuarit diskriminojnë”, ka thënë më tej ai.

Ervini ka thënë se ndihet krejtësisht italian pasi është rritur aty. Megjithatë, edhe pse ka kaluar 21 vjet në këtë shtet, ende s’ka marrë shtetësinë italiane dhe jeton me lejeqëndrim të cilin e rinovon çdo dy vjet.

“Procedura për marrjen e nënshtetësisë kërkon një stabilitet ekonomik që nuk e kam dhe më pas procedurat janë shumë të gjata”, shpjegon ai. “Megjithatë më duket absurde që një djalë si unë, që kam 21 vite këtu, që flet shtatë gjuhë dhe që punon në sektorin social, nuk ka të njëjtat të drejta si të tjerët. Gjëja që më mungon më shumë është e drejta për të votuar: në një demokraci, kjo është e drejta më e lartë dhe do të doja të isha në gjendje ta ushtroja me ndërgjegje. Po jap shembullin e një gare në vrapim: nëse je i bardhë bën një hap më shumë, nëse je burrë bën një hap më shumë, nëse je i pasur bën edhe tre hapa. Nëse je rom, je i fundit që ka mbetur. Nëse je rom dhe gej, as nuk merr pjesë”.

Foto e Ervin Bajramit.

Si refugjat, Ervini është shprehur i gatshëm të ndihmojë të tjerët në edukim e integrim në shoqëri duke u zotuar se do të luftojë çdo paragjykim e se s’do të ndalet në ndjekje të qëllimeve.

Për një kohë ai ishte pjesë e Big Hummingbird, një shoqatë multikulturore që u jep zë njerëzve që vuajnë nga diskriminimi i dyfishtë. Tani është pjesë e UCRI, Unioni i komuniteteve rome në Itali dhe i Khetane (që në gjuhën rome do të thotë “së bashku”), e cila synon të njohë pakicën etniko-gjuhësore dhe kulturore të komunitetit rom.

“Ajo që ne kërkojmë është tejkalimi i kampeve, i getoizimit, i punësimeve, mafias së sotme”, shpjegon Ervini. “Ne ofrojmë trajnime dhe informacione: dija është hapi i parë për të shkatërruar stereotipin”.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top