Tu e lexu qitash
Gjykata e lartë e Singaporit vazhdon ta mbajë ndalimin e homoseksualitetit nga epoka koloniale

Gjykata e lartë e Singaporit vazhdon ta mbajë ndalimin e homoseksualitetit nga epoka koloniale

Gjykata e lartë e Singaporit nuk ka marrë asnjë masë për të ndryshuar ligjin e periudhës së kolonizimit që kriminalizon seksin gej, me pretendimin se nuk mund të vihet në zbatim nga qeveria.

Gjykata e Apelit, që përbën ndarjen më të lartë brenda Gjykatës së Lartë të Singaporit, shprehu qëndrimin e saj në një vendim prej 152 faqesh në çështjen gjyqësore të ashtuquajtur “Tang Seng Kee v. Attorney General”, raporton platforma them.

Kjo çështje gjyqësore përfaqëson përpjekjen më të fundit të aktivistëve të të drejtave LGBTQ+ për të hequr seksionin 377A nga kodi penal i Singaporit. Apeluesit, Roy Tan Seng Kee, Johnson Ong Ming dhe Bryan Choon, mbrojtën qëndrimin se ky ligj bie ndesh me shumë nene të kushtetutës së Singaporit që garantojnë barazinë para ligjit dhe lirinë e fjalës.

Gjykata mbrojti qëndrimin se apeluesve nuk u janë cenuar të drejtat kushtetuese, duke qenë se ky ligj zbatohet shumë rrallë. Edhe pse vendimi shpreh qartazi se “në tërësi ky ligj është i pazbatueshëm”, shpreh edhe se i takon procesit legjislativ për të vendosur nëse seksioni 377A duhet të hiqet dhe jo sistemit juridik.

“Gjykata nuk është bartëse e ndryshimeve shoqërore apo arkitekte e politikave shoqërore dhe pasojat e vendimeve që merren mund të jenë shumë të rrezikshme,” shkruan në dokumentin e vendimit. “Prandaj, ripërsërit vazhdimisht se çfarëdolloj vendimi gjyqësor në lidhje me 377A duhet të ketë të bëjë vetëm më ligjshmërinë ose kushtetutshmërinë e tij dhe nuk mund të shtrihet në meritat politike ose dëshirat shoqëroro – politike për ta mbajtur ose shfuqizuar 377A.”

Ky vendim erdhi pavarësisht faktit se Gjykata e Lartë e Indisë mori vendimin në vitin 2018, se versioni i atjeshëm i seksionit 377A ishte jo kushtetues, duke shfuqizuar në të njëjtën kohë edhe ligjin. Duke qenë se edhe Singapori ashtu si India ka qenë nën sundimin kolonial britanik në të njëjtën periudhë, në vetvete seksioni 377A është kopje identike e seksionit në Indi. Ky vendim në të njëjtën kohë injoron faktin se duke mbajtur seksionin 377A, në fakt, i jep formë politikës shoqërore.

“Ready4Repeal”, një koalicion singaporian i organizatave LGBTQ+ që kundërshton seksionin 377A, u shpreh në një deklaratë se vendimi i gjykatës është “një hap i vogël në drejtimin e duhur”, sepse anulon implikimet ligjore të ligjit, por “thjesht nuk shkon aq larg sa për të ofruar mbrojte reale për komunitetin LGBTQ+”.

“Mbajtja e seksionit 377A do të thotë që individët LGBTQ+ në Singapor do të vazhdojnë të cenohen në aspekte themelore: në shëndetësi, strehim, arsim, punësim dhe përfaqësim,” thuhet në deklaratë. “Është pengesë në politikat e gjithëpërfshirjes LGBTQ+. Krijon barriera të pakapërcyeshme për personat LGBTQ+ që kërkojnë ndihmë. U mohon studentëve LGBTQ+ një mjedis të sigurt dhe të favorshëm mësimi. Justifikon censurimin. Përjetëson diskriminimin dhe dhunën në shoqërinë tonë, si dhe pengon drejtësinë për viktimat e krimit. Ndikon në familjet dhe mjetet e jetesës. Ngurrimi i gjykatës për t’i trajtuar këto çështje ka rezultuar në një mundësi të humbur për të arritur progres të vërtetë.”

Kqyre edhe qito

Një deklaratë e veçantë nga grupi i avokimit Pink Dot SG u bëri thirrje udhëheqësve “të veprojnë urgjentisht dhe me vendosmëri për ta shfuqizuar këtë ligj të tepërt,” meqë vendimi i gjykatës ia la përgjegjësitë ligjvënësve, në mënyrë eksplicite. Grupi citoi komentet e fundit konfirmuese nga Ministri i Punëve të Brendshme, K. Shanmugam, dhe Ministri i Financave, Lawrance Wong, të cilët premtuan të mbrojnë komunitetin LGBTQ+ në vitin 2021.

Lajmi është publikuar nga them. dhe është përkthyer në shqip nga Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top