Tu e lexu qitash
Java e Krenarisë 2023 hapet zyrtarisht nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

Java e Krenarisë 2023 hapet zyrtarisht nga presidentja Osmani dhe kryeministri Kurti

Albin Kurti - Prishtina Pride

Sivjet është viti i shtatë me radhë që Java e Krenarisë po mbahet në Prishtinë në kuadër të Muajit të Krenarisë. Dje më 5 qershor, në orën 18:00 u bë hapja zyrtare në objektin e qeverisë të Republikës së Kosovës, ku ishin prezent dhe dhanë fjalime dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.

Për Kryeministrin Kurti ishte hera e parë që u paraqit në hapje zyrtare sepse herave të tjera kishte refuzuar ftesën e shoqërisë civile për të marrë pjesë në këtë ngjarje. Ai e nisi fjalimin e tij duke lexuar Mitin e Aristofanit nga Simpoziumi i Platonit, i cili është shkruar rreth 2000 vite më parë dhe cilësohet si shkrim me retorikë të hartuar jo dhe me aq kujdes, por që ka përmbajtje imagjinative dhe argëtuese. Pas këtij leximi, Kurti foli rreth filozofisë dhe gjallërisë së dashurisë, dhe përgëzoi shoqërinë civile që Javën e Krenarisë këtë vit e përqendruan tek dashuria, edhe pse sivjet, tema e Javës së Krenarisë në Kosovë është shëndeti mendor.

“Andaj unë ju përgëzoj që java e krenarisë është përqendruar tek dashuria. Mendoj se më shumë se kaq dhe më mirë se kaq nuk ka qenë e mundur”, tha Kurti, pa i përmendur sfidat nëpër të cilat komuniteti LGBTI+ kalon në Kosovë, të cilat po që është e mundur të jenë më mirë të luftuara. Gjatë fjalimit të tij nuk e dëgjuam të përmendur as edhe një herë akronimin LGBTI+, as fjalët lezbike, gej, bisekual apo të tilla të ngjashme; dhe në sallën ku u mbajtën këto fjalime, as këtë vit nuk pati të vendosur ndonjë flamur të krenarisë.

Kurti përmendi edhe disa ngjarje politike të rëndësishme në historinë e Kosovës që kanë ndodhur në muajin qershor, si Lidhja e Prizrenit, arritja e lirisë  në Kosovë, mirëpo pavarësisht se ndodhej në hapje zyrtare të Javës së Krenarisë, kur i numëroi ato ngjarje, ai nuk e shtoi në listë kremtimin e Javës së Krenarisë në qershor si ngjarje e rëndësishme për Kosovën.

Megjithatë, në përmbyllje të fjalës së tij të rastit, ai tha se “duke u thirrur në frymën e ngazëllimit, duhet të kuptojmë se në zemrën e popullit tonë të dashur, gjendet besimi ynë se të gjithë individët meritojnë respekt dhe të drejta të plota të njeriut pavarësisht nga raca, feja, etnia, identifikimi gjinor apo orientimi seksual. Për të ruajtur ato liritë që i çmojmë, duhet të vendosim një themel të bazuar fort në etikën e dashurisë dhe dhembshurisë në mëyrë që tragjeditë e së kaluarës të mos bëhen motiv i përsëritur në kronikat e historisë sonë.”

Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, tha që Java e Krenarisë është një mundësi e mirë për mbrojtjen e çdo anëtari të shoqërisë sonë dhe në të njejtën kohë për të adresuar sfidat me të cilat përballen personat LGBTI+, sepse barazia dhe diversiteti nuk janë vlera vetëm për disa, por janë vlera për të gjithë.

“Gjithsesi në këtë rrugë të barazisë së plotë, kemi ende shumë e shumë punë për të bërë. Personat LGBTI+ janë padiskutim ende shënjestër e dhunës, diskriminimit e stigmatizimit, të cilat vazhdojnë të mbesin pengesë për të arritur qëllimin tonë të përbashkët: ndërtimin e një shoqërie më të barabartë e të drejtë për të gjithë” – tha Osmani.

Presidentja poashtu theksoi se të drejtat e njeriut u takojnë të gjithëve, pa dallim; e në mbrojtjen e të drejtave të njeriut nuk duhet të bëhet kompromis, dhe se kjo është një betejë për të garantuar një jetë të përmbushur me dashuri, e jo një jetë në mes të stigmës e paragjykimit, një jetë nën hije e nën drojë.

“Prandaj, le të punojmë së bashku për të ndërtuar një shoqëri ku dashuria triumfon mbi urrejtjen, ku respekti i ndërsjellë është parakusht, dhe ku të gjithë njerëzit, pa dallim, jetojnë një jetë të plotë, të lumtur dhe në harmoni. Të punojmë për një shoqëri ku gjithsecili mund të jetojë lirshëm, të zgjedhë lirshëm dhe të dashurojë lirshëm”, shtoi Osmani.

Kqyre edhe qito

Përpara aktivistëve për të drejtat e njeriut dhe të komunitetit LGBTI+, anëtarëve të shoqërisë civile dhe të pranishmëve të tjerë, pati fjalime edhe nga Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey M. Hovenier; Shefi i Zyrës të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Sunjog; Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund; drejtori i organizatës CEL, Blert Morina; dhe Habit Hajredini, nga Zyra për Qeverisje të Mirë.


“Në mungesë të shtetit, ligjin për ne e bëjnë homofobët. Homofobët na i caktojnë dënimet, kohën e burgut dhe palirinë. Dhe, pa strehimore, me diskriminim në vend të punës, varfëri, shteti na lë në duar të tyre. Ose, shteti ua lë jetët tona në dorë atyre. Ne e kërcënojkam edhe traditën. Lehtësisht, traditës iu mvesh dhuna dhe tash, shpërfillet hisja që edhe ne e kemi në traditë. Nëse tradita qenka e kaluara, atëherë, traditë është edhe të jesh gej, lezbike, transgjinor. Urrejtja nuk e zhbën faktin që ne kemi qenë këtu dhe urrejtja nuk do ta zhbëjë faktin e kryer se ne do të jemi këtu. E kërcënojmë shëndetin publik, thonë ata e ato që vështirë se i përvjelin mëngët që qytetarët e tyre të kenë qasje në shëndet publik. Jo, të nderuar, urrejtja e kërcënon shëndetin publik. Diskriminimi e minon shëndetin publik. Njerëzit LGBTQ+ nuk kanë qasje në shërbime shëndetësore. Shëndeti mendor i njerëzve LGBTQI+ është çështje e shëndetit publik. Shkalla e vetëvrasjeve të njerëzve LGBTQI+ është cështje e shëndetit publik. E kur shteti nuk na njeh se edhe ne jemi pjesë e këtij publiku, atëherë në vend se të na fajsoni neve, rimendojeni veten. Ne e hapem këtë muaj me moton “Duke parë mbrapa, duke ecur përpara”, për të treguar se ne nuk harrojmë. Ne nuk zvogëlohemi nëse ju nuk miratoni një kod civil sot; nëse në parlament tregoni sesa të padurueshëm jemi për ju. Ne shohim mbrapa, për ta kujtuar qëndresën tonë, solidaritetin tonë me njëri-tjetrin, solidaritetin e njerëzve që njëmend besojnë në drejtësi e barazi. Shohim mbrapa edhe për njerëzit LGBTQ+ që nuk janë sot, po që midis shtypjes, jetën e jetuan me dinjitet. Sepse, dinjitetin s’na e vjedh askush” tha Blert Morina në një fjalim emocionues.

Këtë vit Java e Krenarisë, e cila do të zgjasë deri më 10 qershor, po festohet nën slloganin ‘T’DU QASHTU QYSH JE’, pasi që po përqëndrohet në shëndetin mendor me qëllimin t’ua rikujtojë të gjithë personave queer se nuk janë vetëm.

Agjendën e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top