Tu e lexu qitash
Mbahet Parada e katërt e Krenarisë në Sarajevë

Mbahet Parada e katërt e Krenarisë në Sarajevë

Parada e Krenarisë, e katërta me radhë në Bosnje dhe Hercegovinë u mbajt në Sarajevë të shtunën më 24 qershor nën sloganin “Krenar së bashku” – me synimin për të promovuar mbështetjen për të cilën komuniteti LGBTQ+ ka nevojë çdo ditë nga njëri-tjetri dhe nga aleatët.

Pjesëmarrësit filluan të mblidhen rreth orës 16:00 në Muzeun Historik të qytetit dhe filluan të marshojnë drejt Teatrit Kombëtar në qendër të Sarajevës rreth orës 18:00.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

Ndërsa marshimi ishte gati të fillonte, organizatorët folën për mediat dhe thanë se është evidente se Sarajeva është bërë më tolerante, e hapur dhe më pranuese ndaj personave LGBTQ+, por se situata është ende larg ideales.

Njëra nga organizatoret, Lejla Huremoviq, vuri në dukje se anëtarët e këtij komuniteti ende nuk janë të barabartë në aspektin e legjislacionit dhe se kjo duhet të jetë gjëja e parë që duhet të ndryshojë.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

Në qytet pati një prezencë të vërejshmë të policisë.

Edhe pse asnjë incident i madh nuk është raportuar në kohën kur pjesëmarrësit filluan të marshonin, një grup të rinjsh janë parë duke rrëzuar një flamur ylber në qendër të Sarajevës.

Në lidhje me detajet dhe ecurinë e kësaj parade, Dylberizm ka folur me aktivistin për të drejtat e njeriut, Nikola Kandić, i cili jeton në Sarajevë dhe është pjesë e komitetit organizues të Paradës së Krenarisë.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

Ai na tregoi se edhe këtë vit si viteve të tjera, në të njejtën kohë që po ndodhte parada, në një lokacion tjetër, disa qytetarë ishin mbledhur për ta kundërshtuar atë, me arsyetimin se protesta e tyre kishte të bënte me ruajtjen e vlerave familjare dhe respektimin e religjionit.

Mirëpo përgjithësisht mbarëvajtja e paradës ka shkuar mirë, nuk ka pasur ndonjë sulm apo diçka e tillë, dhe pas mbarimit të marshit pati disa fjalime nga aktivistët dhe një koncert ku kanë performuar disa artistë vendas.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

Këtë vit në qytet nuk ishin bllokuar tërësisht rrugët në komunikacion sikurse viteve të kaluara dhe aktivistët e shohin këtë si përmirësim dhe preferojnë të vazhdojnë kështu pasi që kishte njerëz e kalimtarë të cilët ishin në rrugë gjatë asaj kohe e që mund ta dëshmonin prej më nga afër ngjarjen.

Kqyre edhe qito
Albin Kurti - Prishtina Pride

Kandić na tregoi poashtu se kryeministri i Asamblesë Kantonale të Sarajevës, Nihad Uk, iu është bashkuar paradës, mirëpo kryetarja e Komunës së Sarajevës, Benjamina Karić, le që nuk pranoi ftesën për t’u bashkuar në paradë, por ajo e refuzoi edhe kërkesën e komitetit organizues të Paradës së Krenarisë për ta ndriçuar me ngjyrat e ylberit fasadën e objektit të Komunës.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

Vetëm politikanë nga partia Naša Stranka (Partia jonë) dolën në paradë. Nga partitë e tjera nuk pati përkrahës, dhe madje politikanët nga Partia e Veprimit Dekmokratik (SDA) bënë kërkesë te policia e vendit dhe Ministria e Punëve të Brendshme ta ndalonin tërësisht paradën.

(Foto: I. Š./Klix.ba)

“Vitin tjetër shpresojmë të ketë edhe më shumë njerëz që dalin në paradë dhe poashtu të kemi më tepër mbështetje nga politikanët. Poashtu presim të shohim se çfarë do të ndodhë vitin tjetër sa iu përket zgjedhjeve politike lokale, pasi që këtë vit nuk pati shumë gjuhë të urrejtjes, ndërsa vitin e kaluar që i kishim zgjedhjet e përgjithshme disa politikanë dhanë deklarata problematike”, tha Kandić.

Ai uron që popullata në të ardhmen të vetëdijësohen për të drejtat që duhet t’i kërkojnë duke u ngritur në protesta dhe që në mënyrë që gjërat të ndryshojnë, njerëzit duhet të jenë qytetarë më pjesëmarrës dhe aktiv.

Sipas Kandić, “askush nuk është vërtetë i lirë, deri kur të gjithë të jemi të lirë.”

(Foto: I. Š./Klix.ba)

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top