Tu e lexu qitash
Figura të harruara që sfiduan shprehjen dhe identitetin gjinor shekuj më parë

Figura të harruara që sfiduan shprehjen dhe identitetin gjinor shekuj më parë

Personat jo-binarë dhe transgjinorë kanë qenë gjithmonë këtu, së paku në çdo shoqëri të regjistruar që nga bota e lashtë e deri në ditët e sotme. Pse atëherë ata shpesh mungojnë në tregimet dhe në listat e figurave historike për të cilat dëgjojmë? Përgjigja qëndron pjesërisht tek mënyra se si është regjistruar historia dhe kush e regjistron atë.

Personat që i përkasin grupeve që kanë frikë se mos izolohen dhe persekutohen, shpesh e zbulojnë vetën e vërtetë vetëm tek disa njerëz. Si rezultat, dukshmëria e personave LGBTQ+  është shpesh e kufizuar edhe gjatë momenteve të historisë kur janë përballur me armiqësi. Bashkë me këtë është edhe mungesa e të dhënave historike, sepse autorët e këtyre tregimeve historike shpesh paragjykoheshin dhe nuk donin të regjistronin përvojat e atyre që konsideroheshin të turpshëm nën vlerat e kohës së tyre.

Historianët që hulumtojnë në të kaluarën queer duhet të kuptojnë pse personat LGBTQ+, së bashku me grupet tjera të margjinalizuara, nuk shfaqen aq shpesh në historinë e regjistruar në krahasim me personat jashtë këtyre komuniteteve. Për fat të mirë, historianët kanë filluar të kenë më shumë kujdes për të gjetur këto histori të rëndësishme.

Prezantimi gjinor në shekujt 18 dhe 19

Në dekadat e fundit, kuptimi i të qenit transgjinor ka evoluar në mënyrë të konsiderueshme. Përvojat transgjinore nuk janë domosdoshmërisht të kufizuara tek personat që i nënshtrohen procedurave mjekësore për të ndryshuar trupin e tyre; ato përfshijnë gjithashtu personat që e paraqesin veten si ndryshe nga gjinia që u është caktuar në lindje.

Pjesa më e madhe e shoqërisë tash vlerëson se gjinia e cila i caktohet personit në lindje mund të jetë krejtësisht ndryshe nga identiteti i tyre gjinor, që është përsëri ndryshe nga shprehja e tyre gjinore. Në një nivel, gjinia e një personi përcaktohet nga mënyra se si ata/ato identifikohen, domethënë se si ndihen nga brenda: si grua, ose burrë, ose asnjëra, ose si çdo gjë në mesin e spektrit gjinor. Por ajo që është gjithashtu e rëndësishme është shprehja gjinore, domethënë sinjalet e qëllimshme dhe aksidentale që u jepni të tjerëve për gjininë tuaj përmes aspekteve stereotipike  si veshja dhe si i prisni flokët.

Megjithëse terminologjia që përdorim për të përshkruar gjininë do të kishte qenë e huaj gjatë shekullit 18-të dhe në fillim të shekullit të 19-të, në ato periudha, shumë njerëz do t’i kishin kuptuar këto koncepte. Disa gra që tërhiqeshin seksualisht dhe në mënyrë romantike nga gratë e tjera, dhe atëherë si tani, paraqiteshin si më mashkullore, si për kënaqësi personale, edhe ndonjëherë për t’u pranuar nga shoqëria.

Anne Lister (ose “Gentleman Jack” – subjekt i një serie të fundit televizive me Suranne Jones) është një shembull i mirë. Sipas ideve të shekullit të 19-të për gjininë, ajo do të ishte perceptuar nga të tjerët si mashkullore, dhe vetëm në vitin 1988 kur Helena Whitbread, shkrimtare biografe deshifroj ditarët e saj përmes të cilëve u zbulua jeta dhe marrëdhëniët e saja lezbike.

Gra të tjera u paraqitën si burra për arsye të ambicieve në karrierë, sepse dëshironin të bënin zgjedhjet e e tyre jetësore që iu mohuan gjysmës së popullsisë të caktuar femër në lindje. Gjatë luftës civile Amerikane, Franklin Thompson dhe Harry Buford ishin ushtarë me lavdata që luftuan dhe spiunuan për Shtetet Konfederate. Të dyja ishin gra që paraqiteshin si burra, ose me frazën e historianit Matthew Teorey që ka punuar në rastet e tyre, gra që “zhveshën seksin” e tyre.

Një shembull i mëparshëm rreth fluiditetit gjinor është rasti i shekullit të 18-të i Chevalier D’Eon, që punoi për mbretin francez Louis XV si spiun në Londër përpara se më vonë të kërkonte azil politik në Angli. Chevalier u bë personazh i famshëm i shoqërisë dhe u paraqit si burrë dhe grua në momente të ndryshme të jetës së tyre, deri në moshën rreth 50 vjeç kur filloi të jetonte përgjithmonë si grua.

Ndër shqiptarë, e kemi të njohur termin e “burrneshave”, persona që kanë lindur me seksin femër, mirëpo për shkak të organizimit shoqëror të asaj kohe i është dashur të performoj gjininë e burrit. Burrneshat janë të pranuar në shoqëri, mirëpo duhet të konsiderojmë se atyre iu është imponuar ta perfomojnë figurën e burrit për shkak të mungesës së kësaj figure në shtëpi. Ndonëse ky imponim ka ardhur si pasojë e sistemit patriarkal të rajonit që përfshin Shqipërinë veriore, Kosovën, jugun e Malit të Zi, ka bërë më të njohur dhe më të pranuar ndërrimin e rolit të caktuar gjinor të një personi në shoqërinë shqiptare, atë të identitetit trans maskulin. Ndërsa, tranzicioni trans feminin vazhdon të jetë i stigmatizuar.

Kqyre edhe qito

Në këtë rajon, ndërrimi i gjinisë festohej përmes këngëve dhe vallëzimeve tradicionale si në rastin e “Valles të Ylberit” nga rajoni i Tropojës.  

Të qenit transgjinor në një kontekst global

Është e rëndësishme të kuptohet se në të kaluarën jetët e personave LGBTQ+ përjetoheshin shumë ndryshe në kulturat jashtë Evropës. Nocioni i një gjinie të tretë ose “Mahu” është pjesë e kulturës polineziane. Mund të nënkuptojë një gjini mes mashkullit dhe femrës, ose fluid. Në Havai dhe Tahiti, personat Mahu ishin shumë të respektuar në kulturën vendase si ruajtës të traditave gojore dhe njohurive historike. Ata shpesh mësonin kërcimin hula, të famshëm në rajon, i cili ka një funksion të kohës së lirë, por edhe një kuptim të rëndësishëm shpirtëror. Personat Mahu ekzistojnë jo vetëm në të kaluarën, por janë një pjesë e rëndësishme e kulturës queer në Havai sot.

Kulturat e tjera vendase shfaqin gjithashtu një respekt të thellë për diversitetin gjinor. Fisi Navajo nga `jugperëndimi i Shteteve të Bashkuara ka një kategori gjinore të quajtur Nadleeh, që mund t’u referohet personave transgjinorë që kanë kaluar në tranzicion përgjatë binarit gjinor (që janë caktuar mashkull në lindje dhe tani  identifikohen si gra ose femër në lindje dhe tani identifikohen si burrë), personat me fluiditet gjinor dhe ata që paraqitja gjinore e të cilëve është më mashkullore ose femërore sesa sugjeron identiteti i tyre gjinor. Nadleehi në kulturën Navajo ka një funksion shpirtëror, si dhe janë anëtarë të respektuar të fisit.

Krahasuar me shoqërinë perëndimore, ky ndryshim në perceptim u vu re nga antropologët që në vitet 1920. Autori William Willard Hill ishte i befasuar që shoqëria Navajo e konsideronte një person transgjinor “shumë me fat”, ndryshe nga kultura e tij në SHBA, për të cilin fluiditeti gjinor shkaktoi ankth në shoqërinë kryesore. Një përkujtim  se është gjithmonë e rëndësishme të shikosh jashtë kulturës së dikujt për të mësuar rreth përfshirjes dhe diversitetit. Ju mund të habiteni nga ajo që zbuloni.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top