Nale Dheze

5 aryse pse duhet Edona James ta fitojë Big Brother VIP Kosova 2

Një grua transgjinore ka qenë diskursi më i bujshëm në vend përgjatë tre muajve të fundit.

Edona James, 37 vjeçare nga fshati Vraniq i Suharekës ka pushtuar ekranet televizive të çdo shtëpie në vend përmes reality show Big Brother VIP Kosova, ku ajo ka arritur ta sigurojë finalen mes 3 garuesve tjerë cis-ginor e heteroseksual. Përveç se ka arritur t’i marrë zemrat e shikuesve përmes humorit dhe pozitivitetit të saj, ajo ka shfrytëzuar këtë platformë për të folur për çështjet që prekin personat trans dhe queer në Kosovë, duke përfshirë tranzicionin, disforinë gjinore, punën e seksit, depresionin e varfërinë.

Për vetëm këtë, ajo ka fituar më shumë se çmimi i madh i kësaj gare, mirëpo ju sjellim 5 arsyet pse Edona James duhet ta fitoj edicionin e dytë të Big Brother VIP Kosova.

1) Edona është simbol i rezistencës queer

Edona është përballur me sfida të ndryshme, të cilat i ka ndarë edhe brenda formatit, duke filluar nga abuzimi fizik e emocional nga babai i saj, tentimet për vetvrasje dhe vetlëndim për shkak të disforisë gjinore, kancerit të gjirit, transfobisë etj. Ajo ka rrëfyer të gjitha sfidat që ka hasur për shkak të identitetit të saj gjinor dhe profesionit që e kishte ushtruar për një kohë, si dhe tranzicionin e saj. Gjithsesi, përkundër të gjitha sfidave, ajo sot është e pathyeshme dhe një simbol i rezistencës. Edona është një luftëtare e pamposhtur, e cila përveç që është e fuqishme për vete, ka shumë dashuri dhe kurajo për t’iu dhënë të tjerëve. Është tejet inspiruese fuqia e saj për t’u mos u dorëzuar nga jeta përkundër sfidave që ajo sjellë.

2) Fitorja e Edonës është e rëndësishme për shoqërinë

Edona James ka qenë një ndër personazhet më të urryera e të ofenduara për shumë vite me radhë, për shkak të qenurit transgjinore dhe një ndër të parat që ka folur publikisht për identitetin e saj gjinor dhe ndërrimin e gjinisë. Kjo më së shumti vërehet në fjalorin diskriminues dhe jokorrekt që ajo shpesh e përdor si mburojë ndaj çfardo sulmi qoftë edhe më i vogël. Ndonëse ne njohim prapavijën e saj socio-ekonomike, ne njohim edhe ndjenjat e rënda që ajo mund ti ketë shkaktuar te një pjesë e caktuar e shikuesve. Gjithsesi, rikthimi i saj para publikut kosovar është guxim dhe rivendosje e pozitës së saj në shoqëri. Rrjedhimisht, ajo pa dyshim që ka ndikim në mendimet e qytetarëve dhe në pranueshmërinë e personave transgjinorë në shoqëri. Personat trans janë një ndër kategoritë më të shtypura dhe të diskriminuara në shoqëri. Andaj, fitorja e Edonës do të ishte një mesazh frymëzimi, guximi dhe ndryshim i pushtetit që të tjerët e kanë pasur karshi personave transgjinorë. Do të ishte një mesazh që personat LGBTIQ+ janë si gjithë qytetarët e tjerë dhe duhet të iu jipen hapësira të barabarta me të tjerët. Ajo është zëri i çdo personi transgjinorë që nuk e ka hapësirën dhe mundësitë e saj të jetojnë në paqe dhe ta manifestojnë identitetin e tyre lirshëm, ashtu siç ju garantohet ligjërisht e moralisht. Fitorja e Edonës do ta bënte atë transgjinoren e dytë në botë që e fiton këtë garë si dhe, gruan e parë që e fiton këtë format në trojet shqiptare. 

3) Edona e ktheu urrejtjen për të në dashuri

Në vitin 2015 kur Edona doli haptazi si transgjinore, ajo u shndërrua në një nga personat më të urryer në vend. Të mllefosur nga daljae saj e guximshme, kosovarët e sulmuan atë aq rëndë sa që ajo më nuk u kthye kurrë në Kosovë. Të njejtit sulmuan edhe shumë persona tjerë në Kosovë, nëse dyshonin se ishin queer, duke i thirrë Edona James ose në emrin e vdekur të saj. Pas shumë pak ditëve në Big Brother, kur audienca e njejtë e patën mundësinë ta njohin më shumë atë, filluan ta admironin. Kështu, ajo shumë shpejt rriti ndjekësit e saj 5 fish në rrjete sociale dhe u zgjodh e preferuara e publikut për disa javë rresht. Përkrahja ndaj saj mund të kuptohet edhe përmes postimeve, komenteve, votave, klikimeve dhe të gjitha videot e saj që janë bërë virale dhetë frazave që ka përdur ajo. Edona ka fituar zemrat e publikut të të gjitha moshave, gjinive dhe prapavijave socio-kulturore, e sidomos të kosovarëve nga zonat rurale të cilët përmes fjalorit të pafiltruar që ajo përdor ndjehen të përfaqësuar.  

4) Edona James theu rekordet e shikueshmërisë 

Edona James pa dyshim që ka qenë emri kryesor i këtij formati. Emri i saj ka qarkulluar vazhdimisht në platformat mediale e televizive duke arritur mbi 1 miliard shikime në Tik Tok në kohë rekorde. Për më tepër ajo ka shënuar rritjen më të madhe të ndjekësve dhe klikimeve në rrjetet e tjera sociale, në krahasim me garuesit e tjerë të garës më të ndjekur në vend. Ky rekord na tregon se Edona për 3 muaj ishte pjesë e diskutimeve nëpër shtëpi, zyre e kafiteri të Kosovës, duke i rikthy si kurrë më herët çështjet transgjinore në diskursin publik, duke përfshirë tranzicionin, disforinë gjinore, punën e seksit, varfërinë etj. 

5)  Edona është mbretëresha e pozitivitetit, sinqeritetit dhe dashurisë

Arsyesja pse ajo është bërë fenomen është pikërisht për shkak të sinqeritetit të saj. Ndonjëherë edhe me nguti, ajo i shpreh mendimet dhe ndjenjat e saj pa kushte e pa asnjë filter. Sinqeriteti i saj është tejet karakteristik dhe një ftesë për t’u larguar nga komplekset që mund t’i kemi të gjithë. Edona është po ashtu simboli i pozitivitetit të këtij formati dhe jo vetëm. Nuk ka ditë që ajo nuk na bën të gjithëve të qeshim e buzëqeshim. Ajo është një ‘show woman’. Secila fjalë e saj, secila shprehje, secili gjest bëhet viral dhe përqafohet me dashuri nga publiku. Së fundmi, të gjithë kemi pasur mundësi të shohim zemrën e saj të madhe dhe dashurinë që e ka brenda vetes. Ajo është e mbushun me jetë e dashuri.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top