Tu e lexu qitash
Tre persona dënohen me 9.5 vite burg për krime të motivuara nga urrejtja ndaj një personi gej

Tre persona dënohen me 9.5 vite burg për krime të motivuara nga urrejtja ndaj një personi gej

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur fajtor tre persona për tri vepra penale të kryera me motiv urrejtjeje në bazë të orientimit seksual. Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 9.5 vite burgim për veprat penale të rrëmbimit, lëndimit të lehtë trupor dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.

Ngjarja kishte ndodhur 18 muaj më parë, kur një person që identifikohet si gej kishte planifikuar të takonte dikë në një vend të caktuar. Por në momentin kur kishte arritur në vendin e takimit, ishte përballur me atë person dhe dy të tjerë që e kishin orkestruar këtë takim me qëllim të dhunimit dhe poshtërimit të tij. Viktima kishte tentuar të rezistonte, por ishte detyruar me forcë të futej në një automjet dhe ishte transportuar në një shtëpi të pabanuar, ku i ishte shkelur privatësia, ishte torturuar fizikisht, dhe është trajtuar në mënyrë poshtëruese.

Sipas organizatës CSGD, “18 muaj më parë, një person u rrëmbye dhe u sulmua brutalisht vetëm sepse ishte gej. Ai u rrah, u poshtërua dhe u la i vetmuar në dhimbje. Por sot, pas një viti përballjeje me gjykatat, drejtësia u realizua”, thuhet në deklaratën e tyre në rrjetin social Facebook.

Të pandehurit e kishin pranuar fajësinë dhe procesi gjyqësor kishte vazhduar përmes marrëveshjes për pranimin e fajësisë. Gjykata e ka bazuar vendimin në provat materiale dhe në pranimin e fajësisë nga të akuzuarit.

CSGD ka ofruar ndihmë juridike përmes avokatit të saj, duke e mbështetur viktimën gjatë gjithë procesit gjyqësor. Në deklaratën e tyre thuhet se “Avokati i CSGD-së qëndroi pranë viktimës gjatë gjithë rrugëtimit të gjatë dhe të lodhshëm ligjor, dhe sot, ata besojnë se më në fund zëri i tyre u dëgjua dhe se e vërteta mori vendin që i takon, ndonëse drejtësia në këtë vend shpesh mbetet e vështirë për t’u arritur.”

Më tej, organizata thekson rëndësinë e këtij vendimi: “Kjo nuk është vetëm një fitore për viktimën. Kjo është një precedent i fuqishëm për të gjithë komunitetin LGBTI+ në Kosovë. Sot po shkruajmë një kapitull të ri në historinë e drejtësisë, ku urrejtja nuk kalon më pa ndëshkim.”

CSGD vlerëson që, pavarësisht përpjekjeve për të ndikuar procesin, prokuroria dhe gjykata arritën të veprojnë me integritet, duke mos u lëshuar përballë presioneve të jashtme. Ata shtojnë: “Për çdo homofob dhe transfob që mendon se mund të përdorë dhunën si mjet frike: mendoni dy herë. Sepse ligji është zgjuar dhe nuk do të heshtë më.”

Në fund të deklaratës, për komunitetin LGBTIQ+, CSGD ka një mesazh shprese: “Kjo është prova që edhe në Kosovë, drejtësia është e mundur. Rruga nuk është e lehtë, por ky rast na dëshmon se nuk jemi vetëm. Nuk jemi të padukshëm. Dhe sigurisht, nuk jemi të pambrojtur.”

Nëse jeni dylber dhe po përballeni me dhunë fizike, ngacmim seksual, sulme, dhunë në familje, bullizëm apo diskriminim – ju nuk jeni vetëm.

Kontaktoni CSGD dhe CEL Kosova për ndihmë juridike dhe mbështetje psikologjike falas.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top