Heshtja si strategji politike: Si u injoruan çështjet LGBTIQ+ në zgjedhjet lokale në Kosovë

Në rrugët e Kosovës, fushata elektorale për zgjedhjet lokale po zhvillohej në mënyrë të zakonshme. Premtime për rrugë më të mira, shërbime publike më efikase dhe zhvillim ekonomik. Diskursi politik dukej i njohur, pothuajse i parashikueshëm. Por në mes të kësaj zhurme zgjedhore, ndryshe nga zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, një zë mungonte krejtësisht: ai i komunitetit LGBTIQ+.
Një monitorim i kryer nga Dylberizm zbulon se në asnjë program elektoral të analizuar, nuk u përfshi ndonjë politikë konkrete që lidhet me të drejtat apo nevojat e komunitetit LGBTIQ+.
Pjesa më e madhe e kandidatëve në 38 komunat e vendit zgjodhën ta shmangin këtë temë. Krahasuar me zgjedhjet parlamentare, ku temat queer janë përdorur shpesh si armë politike për polarizim dhe mobilizim elektoral, zgjedhjet lokale u karakterizuan nga një strategji e ftohtë distancimi. Asnjë kandidat nuk propozoi masa konkrete për mbrojtjen apo avancimin e të drejtave të personave LGBTIQ+, ndërsa injorimi institucional u bë mënyra më e butë, por po aq efektive, e përjashtimit politik.
Në këtë kuadër, është e pamundur të injorohet një precedent i afërt në nivel kombëtar. Gjatë zgjedhjeve parlamentare të shkurtit 2025, Dylberizm udhëhoqi fushatën “Mos i Voto Homofobat”, një iniciativë që monitoroi dhe ekspozoi hapur gjuhën e urrejtjes të përdorur nga partitë politike dhe kandidatët. Përmes “Listës së Homofobave”, fushata identifikoi publikisht aktorët që përdorën retorikë diskriminuese dhe anti-LGBTIQ+, mobilizoi aktivistë të rinj dhe arriti një audiencë online prej më shumë se një milion njerëzish.
Dylberizm paraqiti tetë ankesa zyrtare në Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ndaj Koalicionit për Familje, përgjegjës për një fushatë të koordinuar anti-gjinore dhe homofobike. Gjashtë prej tyre u aprovuan, me një shumë të gjobave që arriti 37,100 €. Edhe pse Gjykata Supreme e Kosovës më pas e reduktoi shumën në 15,000 €, ky ishte një moment kyç institucional që njohu publikisht se targetimi i grupeve të margjinalizuara bie ndesh me parimet demokratike. Vendimi u pasua me një deklaratë të përbashkët të nënshkruar nga mbi 30 organizata të shoqërisë civile, që denoncoi boshllëqet serioze në adresimin institucional të gjuhës së urrejtjes në proceset zgjedhore.
Pikërisht pas kësaj periudhe përplasjesh publike dhe gjuhë të ashpër në nivel kombëtar, zgjedhjet lokale u zhvilluan në një klimë të re: një heshtje e ftohtë, por domethënëse. Në vend të debateve të hapura mbi barazinë apo diversitetin, kandidatët preferuan të mos flasin fare, duke e bërë kështu injorimin një formë të re të përjashtimit.
Në terren, fushatat elektorale shmangën çdo referencë ndaj temave queer. Por në hapësirat online, situata ishte ndryshe. Faqe të lidhura me parti politike përdorën çështjet queer si instrument për sulme të koduara.
Një faqe në rrjete sociale që përkrah Partinë Demokratike të Kosovës ka sulmuar kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për Mitrovicën e Jugut, Faton Peci, për një deklaratë të mëhershme në mbështetje të Kodit Civil, dokument që përfshin dispozita për union civil mes seksit të njejtë. Një tjetër faqe ka publikuar sulme ndaj kandidatit të VV-së për Prishtinë, Hajrulla Çeku, duke e kritikuar për mbështetjen që Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ka dhënë organizatës Dylberizm.
Këto raste ilustrojnë mënyrën se si temat që lidhen me të drejtat LGBTIQ+ vazhdojnë të trajtohen si çështje të kontestuara në diskursin politik dhe shërbejnë më tepër për të krijuar polarizim publik sesa për të nxitur debat konstruktiv mbi barazinë dhe përfshirjen.
Megjithëse disa kandidatë kanë përmendur përfaqësimin e barabartë gjinor në strukturat komunale, mungesa e përfshirjes së komunitetit LGBTIQ+ në diskursin politik tregon një boshllëk të theksuar midis politikave të barazisë dhe praktikës politike në nivel lokal.
Ky hendek mes parimeve të barazisë dhe praktikës politike në nivel lokal mbetet një simptomë e thellë e marginalizimit të institucionalizuar. Me afrimin e raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, Dylberizm do të vazhdojë të monitorojë nga afër mënyrën se si partitë dhe kandidatët adresojnë (ose zgjedhin të injorojnë) çështjet që lidhen me barazinë gjinore, të drejtat LGBTIQ+ dhe përdorimin e gjuhës së urrejtjes në hapësirën publike dhe online.

Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.