Nga Prishtina në Zagreb: rrëfimet e dylberave të Kosovës në ekran
Mbrëmjen e së premtes, më 25 tetor, në qendrën kulturore Dokukino KIC në Zagreb, Prishtina Queer Festival u prezantua në edicionin e katërt të festivalit Cherry Pop, tu sjellë para publikut kroat rrëfimet e dylberave të Kosovës nëpërmjet filmit.
Programi i veçantë i PQF-së solli nji përzgjedhje filmash mysafirë që bashkoi perspektiva të ndryshme kulturore mbi identitetet seksuale dhe gjinore përmes kinemasë, tu i lidhë komunitetet përtej kufijve përmes bisedave ndërkulturore.

Në këtë natë u shfaqën dy filma që më herët janë prezantu në Prishtina Queer Festival, animacioni “BLUSH – An Extraordinary Voyage” nga Iiti Yli-Harja, dhe dokumentari “As I Was Looking Above, I Could See Myself Underneath” nga Ilir Hasanaj.
Të dy filmat ofruan realitete të ndjeshme, të thella e intime mbi jetën dhe përvojat e personave LGBTQ+ në Kosovë.
Pas shfaqjes, Dan Sokoli dhe Dita Shaqiri nga ekipi i PQF-së u bashkuan në diskutimin me publikun për një bisedë mbi krijimin artistik, realitetin dylberave në Kosovë dhe fuqinë e filmit si mjet për dialog e rezistencë.

Edicioni i katërt i Cherry Pop Festival, i cili u mbajt prej 23 deri më 25 tetor në Zagreb, u zhvillua rreth pyetjes “And Who Are You?” (E kush je ti?). Në nji shoqni ku shumë dylbera ende përballen me margjinalizim dhe mungesë mbrojtjeje, festivali krijon një hapësinë për reflektim artistik e kritik mbi identitetin.
Përmes filmave, paneleve, ekspozitave, performancave, punëtorive dhe koncerteve, Cherry Pop Festival sfidon frikën e intolerancën me kreativitet, solidaritet e gëzim.
Pjesëmarrja e PQF në Cherry Pop Festival shënoi nji moment të veçantë për festivalin dhe për skenën queer të Kosovës, duke e vendosë atë në mesin e festivaleve që po ndërtojnë solidaritet kulturor nëpër Evropë.

Në skenën ndërkombëtare, Prishtina Queer Festival po vazhdon me dëshmu se rrëfimet tona kanë peshë, emocion e ndikim dhe se Kosova e dylberave ka shumë për me tregu, shumë për me dashtë, e shumë për me i dhanë botës.
Ky bashkëpunim mes Prishtina Queer Festival dhe Cherry Pop Festival u mundësua me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zagreb dhe të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Republikës së Kosovës.
Rreth filmave
BLUSH – An Extraordinary Voyage
Regjisore: Iiti Yli-Harja | Kosovë | Animacion | 14 min
Për Fatu-n, nji vizitë e thjeshtë në market ndihet si nji udhëtim në hënë – për herë të parë në jetën e tij, ai po del në publik me makijazh. Një rrëfim i ndjeshëm për guximin dhe ekspresionin personal në një mjedis që shpesh gjykon.
As I Was Looking Above, I Could See Myself Underneath
Regjisor: Ilir Hasanaj | Kosovë | Dokumentar | 62 min
“Home is a feeling,” thonë – por ku osht’ shtëpia kur nuk lejohet me u ndje rehat as në trupin e mendjen tande? Ky dokumentar sjell rrëfime intime të personave LGBTQ+ në Kosovë dhe kërkimin e tyne të vazhdueshëm për siguri, dashni e përkatësi.






