Tu e lexu qitash
Pas Prishtinës e Tiranës, “House With a Voice” shfaqet në Podgoricë

Pas Prishtinës e Tiranës, “House With a Voice” shfaqet në Podgoricë

Pas shfaqjes së dokumentarit House With a Voice në Tiranë, Dylberizm ka vazhduar udhëtimin rajonal të solidaritetit queer, këtë herë në kryeqytetin malazez Podgoricë, në bashkëpunim me Asocijacija Spektra dhe Prishtina Queer Festival. Më 19 nëntor, në Itaka Library Bar, u mbajt shfaqja e tretë e dokumentarit, i cili rrëfen jetën e gjashtë burrneshave shqiptare dhe na sfidon të rimendojmë se si identiteti, liria dhe tradita ndërthuren brenda strukturave patriarkale të rajonit tonë. Meqenëse burrneshat kanë ekzistuar edhe në rajonin jugor të Malit të Zi në kufi me Shqipërinë dhe Kosovën, shfaqja u mikprit nga audienca në Podgoricë, si diskutim i rëndësishëm social e kulturor edhe për shoqërinë malazeze.

Pas filmit, panelistët Jelena Čolaković, Anita Stjepčević dhe Dan Sokoli zhvilluan një diskutim të hapur me pjesëmarrësit e pranishëm, duke ndarë reflektimet e tyre mbi dokumentarin dhe temat që ai ngre. Diskutimi u hap nga Jelena, e cila i inkurajoi të pranishmit të ndaleshin te emocionet e para pas shikimit të filmit, një ftesë për të artikuluar ndjenjat, momentet që i prekën dhe mënyrën se si rrëfimet e burrneshave rezonuan me ta. Shumë pjesëmarrës/e ndanë emocione të përziera, nga dhembshuria te pikëllimi e zemërimi, duke theksuar se filmi u kishte lënë një përshtypje të thellë, një eksperiencë njëkohësisht e bukur, prekëse dhe sfiduese.

Anita, teksa mori fjalën, tregoi se ishte hera e dytë që e shikonte filmin, pasi e kishte parë fillimisht para shfaqjes që të përgatitej për diskutim. Kësaj here, kishte lejuar veten të rrëmbehej plotësisht nga emocionet që dokumentari ngjall, emocione që, siç tha ajo, ndonjëherë të bëjnë të qeshësh, e ndonjëherë të shpërbëhesh emocionalisht. Përjetimi i saj i parë kishte qenë shumë më i rëndë, saqë e kishte lënë të “thyer në një milion copëza”. Sipas saj, kjo ndodh sepse filmi prek tema thelbësore dhe të dhimbshme që lidhen ngushtë me përvojat e shtypjes mbi trupin, identitetin dhe lirinë personale.

“Arsyeja pse po e citoj këtë deklaratë është se filmi përmban tre segmente të ndryshme që ndoshta duhet t’i theksojmë: E drejta për vetëvendosje ose rëndësia e vetëvendosjes, në të njëjtin kuptim që po kërkojmë ta kemi si të drejtë sot.” tha ndër të tjera Anita, e cila po i referohej diskursit politik në Malin e Zi mbi ligjin për njohjen ligjore të identitetit gjinor bazuar në vetëvendosje që ka ngjallur përqarje mes qeverisë malazeze, dhe reagime nga shoqëria civile dhe BE-ja.  

Kurse Dan Sokoli theksoi se nevojitet të flitet më shumë për çështjet e gjinisë, duke kujtuar se kjo temë është hapur tashmë në Prishtinë dhe Tiranë, dhe se vazhdimi i kësaj bisede në Podgoricë ishte i natyrshëm dhe i domosdoshëm. Pas pyetjeve të publikut mbi seksualitetin e burrneshave, dhe nëse ata/ato kanë përjetuar ndonjëherë ndjenja romantike ose seksuale, Danii përmendi se një nga momentet që i kishte mbetur më shumë në mendje ishte komentimi i regjisores së filmit gjatë premierës në Prishtinë “nëse nuk e pyesim një prift për jetën e tij, atëherë pse duhet ta pyesim një burrneshë?”, një reflektim mbi respektin ndaj betimit të tyre për të jetuar si një burrneshë apo virgjëreshë e përbetuar. Dani shtoi se nuk është e ditur nëse burrneshat janë penduar apo jo për zgjedhjet e tyre, dhe se kjo, në fund, mbetet një interpretim që i lihet publikut.

Në një kontekst më të gjerë, kjo ngjarje në Podgoricë mori edhe një peshë politike. Edhe pse Mali i Zi ka një kuadër ligjor më progresiv se shumica e vendeve të rajonit, komuniteti queer vazhdon të përballet me tensione sociale, gjuhë urrejtjeje dhe nën-raportim të dhunës. 

Narrativat anti-gjinore dhe anti-queer janë bërë pjesë e diskursit publik, veçanërisht nga grupet konservatore që përpiqen të instrumentalizojnë frikën dhe paragjykimet për përfitime politike. Përballë këtij realiteti, krijimi i hapësirave kulturore dhe edukative bëhet jo vetëm i nevojshëm, por esencial për të ruajtur hapësirën publike të pluralizmit dhe solidaritetit. House With a Voice në Podgoricë tregoi se arti mund të jetë një mjet i fuqishëm kundër izolimit dhe frikës, duke hapur rrugë për dialog, bashkëpunim dhe reflektim të thellë shoqëror në një kohë kur komuniteti queer ka nevojë më shumë se kurrë për dukshmëri dhe mbështetje.

Ky projekt është mbështetur nga EFB, një bashkëpunim i organizuar nga Rrjeti i Fondacioneve Evropiane.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top