Mospërfshirja e komunitetit LGBTQ+ në planprogramet komunale pas zgjedhjeve lokale
Shkruajnë Beatrisa Culaj, Hana Arapi dhe Rozafa Morina.
Ndërsa komunat më të mëdha të Kosovës po përgatiteshin për balotazh, një temë mbetej pothuajse e padukshme në fushatat elektorale: të drejtat e komunitetit LGBTQ+.
Edhe pse komunat e Kosovës sapo kanë zgjedhur kryetarët e rinj pas zgjedhjeve lokale dhe balotazhit të 9 nëntorit, çështjet e komunitetit mbeten jashtë planprogrameve të tyre.
Programet fokusohen kryesisht tek zhvillimi urban dhe ekonomik. Premtimet përfshijnë rritje të hapësirave të gjelbra, ndërtime të rrugëve, ndriçime e investime në arsim dhe sport.
Edhe pse disa programe përmendin mirëqenie sociale për grupe të caktuara, si gratë lehona, fëmijët me nevoja të veçanta dhe pensionistët, pothuajse çdo premtim lidhet me infrastrukturën, ekonominë, turizmin, kulturën ose biznesin, ndërsa çështjet e të drejtave të njeriut dhe mbrojtja e komunitetit LGBTQ+ mbeten të padeklaruara dhe jashtë agjendës publike.
Në Kosovë dominon mendësia heteronormativite – sistemi që bazohet në qëndrimin se “vetëm tërheqja ndaj seksit të kundërt është formë normale dhe natyrore e shprehjes së seksualitetit”, ndonëse me kushtetutë njihet ekzistenca dhe mbrojtja e komunitetit LGBTQ+.
Që nga fillimi i fushatës për zgjedhjet lokale, dita e balotazhit e deri pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, ekipi i Dylberizm ka monitoruar debatet, intervistat dhe programet e kandidatëve të partive politike, ku është vërejtur një neglizhencë e dukshme ndaj të drejtave të komunitetit LGBTQ+.
Redaksia ka bërë përpjekje për t’i kontaktuar kryetarët e rinj e gjashtë komunave më të mëdha në Kosovë për të kuptuar qëndrimet e tyre – Prishtinën, Prizrenin, Mitrovicën, Gjilanin, Pejën dhe Gjakovën.
Përveç pyetjeve të dërguara me email tash e gati dy muaj, u kërkua përgjigje edhe përmes telefonatave.
Pyetjet kishin për qëllim të sqarojnë qëndrimin e kryetarëve ndaj të drejtave dhe mbrojtjes së komunitetit LGBTQ+, përfshirë sigurimin e hapësirave të barabarta dhe të sigurta, bashkëpunimin me organizata për të drejtat LGBTQ+, mbështetjen e programeve edukative dhe kulturore që promovojnë respektin dhe diversitetin, si dhe angazhimin për politika gjithëpërfshirëse që garantojnë barazinë për të gjithë qytetarët, pa dallim orientimi seksual apo identiteti gjinor.
Duke filluar me kryeqytetin, kujtojmë se në vitin 2021, Drejtoria e Mirëqenies e Komunës së Prishtinës në programin e saj për atë vit, kishte paraparë ndërtimin e një strehimoreje për personat që i përkasin komunitetit LGBTI, për të cilën ishin planifikuar 300 mijë euro.
Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës, Adelina Sahiti, e cila asokohe nuk kishte qenë në pozitë, në një bisedë telefonike dha sqarim të shkurtër lidhur me premtimin e komunës për strehimoren në Prishtinë.
“Përmes drejtorisë së pronës i janë dhanë disa hapësira në shfrytëzim komunitetit, organizata CEL që avokon, bisedoni me ta edhe ata të dhajnë informata po besoj se edhe kanë folë direkt me kabinetin, edhe i ke update prej tyne të rejat e fundit çka kemi bo në relacion me kta, edhe e kanë qëndrimin ditor do me thanë që ja u kemi rinovu në tërësi ku ata qëndrojnë dhe i kryejnë aktivitetet e tyre ditor si organizatë” – u shpreh ajo.
Mirëpo, drejtori i organizatës CEL, Blert Morina, sqaroi se pavarësisht zotimeve komunale, në praktikë nuk është zhvilluar asnjë diskutim i mirëfilltë për çështjet e komunitetit LGBTQ+, përfshirë edhe strehimoren.
“Është shumë zhgënjyese me e pa që në nivel komunal, në të gjitha komunat, nuk ka pasë përfshimje të diskutimit mbi personat LGBTQ+, as në programet e këtyre partive politike nuk kemi pa diçka konkrete mbi akomodimin e nevojave të personave LGBTQ+, sidomos në Komunën e Prishtinës kemi prit që edhe në aspektin e strehimores do t’ketë diskutim pak ma të gjanë, qofshin nëpërmes emisioneve të ndryshme e kështu me radhë” – u shpreh ai.
Sipas tij, kjo qasje ndikon drejtpërdrejt në hezitimin e qytetarëve queer për të votuar, për shkak të mungesës së përfaqësimit.
“Ma zhgënjyes ka qenë fakti që personat LGBTQ+ gjatë këtij viti janë përmendur në nivelin qendror, zgjedhjet e nivelit qendror, dhe e kemi pa konotacionin në të cilin janë përmend, duke përdorë gjuhë përjashtuese. Është jashtëzakonisht zhgënjyese me i pa qysh partitë politike, programet të cilat i ofrojnë, e shohim një përjashtim komplet të grupeve që ndoshta ma së shumti pritet intervenimi me qëllime dhe rezultate konkrete” – tha përfaqësuesi i CEL-it.
“Nuk e di si presin me i motivu njerëzit me dalë me votu, kur e shohim që ka përjashtim komplet të disa grupeve të cilat me të vërtetë nevojat e tyre do të duheshin të trajtoheshin me prioritet, dhe oferta do të duhej të ishte konkrete gjatë këtyre kandidaturave dhe fushatës zgjedhore” – shtoi tutje.
Ndërkaq, përmes një bisede telefonike, kontaktuam Drejtoreshën e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Gjakovës, Adelina Shehu–Kola, lidhur me planet që ka komuna për mbështetjen ndaj komunitetit.
“As nuk e kam menu këtë punë bile, se kena punë ma me rëndësi se sa me u marrë me LGBT na. A din nuk jam kundër e kshtu, veç ka punë ma të rëndësishme kah qendra për punë sociale se me menu per LGBT çka dojnë me bo”– u shpreh Shehu-Kola.
Kur u pyet se kur është koha e duhur për të menduar për LGBTQ+, ajo tha: “Vallahin se di, për mu… A e din ti çka përfshin qendra për punë sociale? Ka shumë punë për me ardhë me menu deri për LGBTQ+.”
Ndërkohë, kryetari i komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ndonëse përmes telefonit premtoi se do u përgjigjet pyetjeve të drejtuara në email, nuk u bë më i gjallë.
Kryetarët aktualë të katër komunave të tjera, Prizrenit, Mitrovicës, Gjilanit e Pejës nuk kanë kthyer përgjigje, pavarësisht tentimeve të shumta për kontaktim. Heshtja ka qenë e vetmja përgjigje.
Heshtja ndaj një teme të ndjeshme si të drejtat e personave LGBTQ+ ngre pikëpyetje mbi vullnetin politik dhe gatishmërinë e institucioneve lokale për të trajtuar barazinë dhe përfshirjen sociale.
Nëse zyrtarët nuk mund t’i përgjigjen disa pyetjeve bazike lidhur me një komunitet që përballet me diskriminim të vazhdueshëm, a mund të pritet prej tyre të adresojnë probleme më strukturore?
Personat queer janë pjesë aktive e jetës shoqërore, jetojnë, punojnë, krijojnë dhe kontribuojnë në kulturën dhe ekonominë e vendit. Megjithatë, mungesa e përfshirjes nga kandidatët dhe partitë politike vetëm sa vazhdon ta riprodhojë një realitet heteronormativ, që dëmton sigurinë, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre.

Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.






