Komuna e Prishtinës e lë strehimoren LGBTIQ+ jashtë buxhetit të vitit 2026
Buxheti i miratuar nga Komuna e Prishtinës për vitin 2026 në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur më 6 shkurt 2026, nuk parasheh një linjë të veçantë buxhetore për ndërtimin e strehimores për personat LGBTIQ+ në kryeqytet. Sipas Vendimit për Miratimin e Buxhetit të Komunës së Prishtinës për Vitin 2026 dhe listës së investimeve kapitale të publikuara nga komuna, nuk figuron një projekt i dedikuar për këtë qëllim.
Projekti për strehimore për komunitetin LGBTIQ+ është përmendur ndër vite në diskutime publike dhe kërkesa të vazhdueshme nga organizatat dhe aktivistët queer, të cilët e kanë konsideruar atë një nevojë urgjente për sigurinë e personave që përballen me dhunë, përjashtim familjar dhe pasiguri banimi. Megjithatë, në dokumentin buxhetor për vitin 2026 ai nuk paraqitet si investim i veçantë kapital. Buxheti përfshin projekte të tjera infrastrukturore dhe zhvillimore, ndërsa nuk identifikohet një projekt specifik për këtë strehimore.
Edhe në buxhetin e vitit paraprak, projekti nuk ishte përfshirë si investim konkret kapital, pavarësisht debatit publik dhe pritjeve që kryeqyteti do të ndërmerrte hapa institucionalë drejt krijimit të një strukture të tillë mbështetëse. Në mungesë të një linje të qartë buxhetore, mbetet e paqartë nëse dhe kur ndërtimi i strehimores do të trajtohet si prioritet në kuadër të politikave sociale të komunës.
Ky përjashtim i vazhdueshëm nga dokumentet buxhetore nënvizon dallimin mes diskutimeve publike për përfshirje dhe masave konkrete financiare që do ta mundësonin realizimin e projektit në praktikë.






