Identiteti në pritje: zvarritja e reformave ligjore për njohjen e gjinisë në Kosovë
Në Kosovë, njohja ligjore e gjinisë nuk është e rregulluar përmes një dispozite të qartë ligjore që përcakton procedurë administrative të bazuar në vetë-deklarim. Në mungesë të këtij rregullimi, personat trans detyrohen t’i drejtohen gjykatave për të realizuar të drejtën e tyre themelore në mënyrë që të përputhin dokumentet zyrtare me identitetin e tyre gjinor.
Kjo do të thotë se një e drejtë që lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin, jetën private dhe sigurinë juridike trajtohet si çështje kontestimore gjyqësore, jo si procedurë standarde civile. Çdo kërkesë për ndryshim të shënuesit gjinor nis si rast individual në Gjykatën Themelore dhe, në disa raste, përfundon deri në Gjykatën Kushtetuese.
Rasti i Blert Morinës në vitet 2018–2019 u bë një prej rasteve më të njohura publike për ndryshimin e emrit dhe shënuesit gjinor. Argumenti i tij ishte i qartë: e drejta për identitet nuk mund të kushtëzohet me ndërhyrje mjekësore. “Jo krejt personat transgjinor dojnë me bo qat’ sen… nuk osht’ e domosdoshme me kry procedurat kirurgjike për me u ndi trans,” është shprehur ai, duke theksuar se kushtëzimi me prova mjekësore krijon pabarazi ekonomike dhe përjashton ata që nuk kanë mundësi financiare për trajtime mjekësore.

Gjykata Themelore vendosi në favor të tij, duke njohur të drejtën për ndryshim të emrit dhe shënuesit gjinor. Megjithatë, ky vendim kishte efekt individual dhe nuk krijoi një standard të përgjithshëm detyrues për të gjithë. Edhe pse çështja u trajtua në instanca më të larta dhe mori vëmendje publike, mungesa e një vendimi me fuqi të përgjithshme apo e një ndryshimi ligjor e la situatën të pandryshuar në thelb. Çdo person tjetër duhet të nisë një proces të ri gjyqësor për të realizuar të njëjtën të drejtë.
Hulumtuesja dhe avokatja e të drejtave të njeriut, Rina Kika, e cila ishte edhe avokatja e Blert Morinës, ka theksuar se publiciteti i rastit ishte pjesë e strategjisë ligjore: “Prej përvojës teme, rasti ka funksionu për shkak se e kena bo si strategji prej fillimit me qenë një rast publik, që me pas sa ma shumë presion ndaj gjykatës që me vendos ma shpejt.” Kjo deklaratë e bën të qartë një problem themelor se realizimi i të drejtës nuk duhet të varet nga ekspozimi publik apo nga presioni mediatik, por nga ekzistenca e një mekanizmi të qartë dhe të parashikueshëm ligjor.

Sipas të dhënave të referuara nga Avokati i Popullit, gjatë vitit 2025 janë evidentuar disa raste në Gjykatën Themelore për ndryshim të shënuesit gjinor, ndërsa në disa instanca procedurat kanë zgjatur me vite. Zvarritja e proceseve gjyqësore krijon kosto të konsiderueshme emocionale dhe financiare për individët, duke e shndërruar qasjen në të drejtë në një çështje të varur nga resurset personale.
Në një nga qëndrimet e tij, Avokati i Popullit thekson: “Një sistem ku njohja ligjore e gjinisë realizohet kryesisht përmes procedurave gjyqësore nuk është i pranueshëm, pasi nuk ofron siguri juridike dhe efektive në të drejta.” Procedurat gjyqësore kërkojnë kohë, përfaqësim ligjor dhe mjete financiare, duke krijuar pabarazi reale mes atyre që kanë resurse ekonomike dhe atyre që nuk kanë. Në këtë mënyrë, e drejta për identitet kthehet në një proces të kushtëzuar nga mundësitë individuale.
Mungesa e rregullimit të qartë ligjor ndikon edhe në pasigurinë institucionale. Aktualisht, Avokati i Popullit mbetet një prej mekanizmave të rrallë për adresimin e çështjeve në Gjykatën Kushtetuese. Ndryshimet në mandat dhe paqartësitë institucionale shtojnë shqetësimin se mbështetja për raste të tilla mund të mos jetë e qëndrueshme, duke e thelluar më tej pasigurinë juridike për komunitetin trans.
Përveç kësaj, Avokati i Popullit thekson se mosnjohja e identiteteve jobinare, edhe pse në dukje paraqitet si boshllëk ligjor, në praktikë funksionon si përjashtim institucional, pasi sistemi njeh vetëm kategoritë binare të gjinisë. Institucioni nënvizon se sipas praktikës së GjEDNj-së (Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut) shteteve u lihet hapësirë vlerësimi, por KEDNj (Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut) kërkon interpretim evolutiv, duke ngritur shqetësimin se mospërshtatja e kornizës ligjore me realitetin shoqëror mund të cenojë dinjitetin dhe jetën private të individëve.
Zvarritja e miratimit të ndryshimeve në Kodin Civil dhe në ligjin për gjendjen civile e mban çështjen e njohjes ligjore të gjinisë në nivel individual gjyqësor, në vend që ta trajtojë si përgjegjësi të drejtpërdrejtë shtetërore. Përderisa nuk ekziston një procedurë e qartë administrative, çdo person trans që kërkon përputhje të dokumenteve me identitetin e vet duhet të bëhet palë në një proces gjyqësor.
Kjo situatë e zhvendos barrën nga shteti tek individi. Në vend që shteti të krijojë një mekanizëm të qartë, të parashikueshëm dhe të bazuar në vetë-deklarim, individët detyrohen të dëshmojnë në gjykatë atë që duhet të njihet si e drejtë themelore.
Njohja ligjore e gjinisë nuk është çështje precedentësh individualë, por e vullnetit për ta institucionalizuar të drejtën përmes ligjit. Derisa kjo të ndodhë, personat trans në Kosovë do të vazhdojnë të kalojnë nëpër procese gjyqësore për të realizuar një të drejtë që duhet të garantohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të barabartë për të gjithë.

Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.
dylber1






