Tu e lexu qitash
Java e Krenarisë 2026 hapet zyrtarisht në Prishtinë: Një dekadë rezistencë, dukshmëri dhe luftë për dinjitet

Java e Krenarisë 2026 hapet zyrtarisht në Prishtinë: Një dekadë rezistencë, dukshmëri dhe luftë për dinjitet

Java e Krenarisë 2026 është hapur zyrtarisht mbrëmë në Prishtinë, duke shënuar dhjetë vjet nga marshimi i parë i Paradës së Krenarisë në Kosovë.

Ceremonia hapëse u mbajt në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës dhe mblodhi bashkë ambasadorë, zyrtarë qeveritarë, aktivistë, dylbera dhe aleatë, duke shënuar fillimin e një jave aktivitetesh kushtuar dukshmërisë, barazisë dhe të drejtave të personave LGBTIQ+.

Hapjen e bëri Habit Hajredini, drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, të Drejtat e Njeriut, Mundësi të Barabarta dhe Çështje Gjinore nga Zyra e Kryeministrit, i cili mirëpriti të pranishmit dhe foli për punën e zyrës dhe të institucioneve në promovimin e barazisë, gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në shoqëri.

Megjithëse ceremonia u mbajt në ndërtesën e Qeverisë dhe u organizua nga institucionet, të pranishëm nuk ishin kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, njëherësh kryetare e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu.

Këtë vit shënohen dhjetë vjet nga marshimi i parë publik për të drejtat e personave LGBTIQ+ në Kosovë. Nga një kohë kur dylberat dilnin në hapësirën publike nën masa të shtuara sigurie dhe përballeshin me stigmatizim të vazhdueshëm, Java e Krenarisë është shndërruar në një nga ngjarjet më të rëndësishme për të drejtat e njeriut në vend.

Ndër folësit kryesorë ishte edhe Blend Bytyqi nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD), i cili vuri në pah lidhjen e pandashme mes të drejtave të personave LGBTIQ+ dhe demokracisë.

Në fjalimin e tij, Bytyqi theksoi se Krenaria nuk është vetëm festë e dukshmërisë dhe lirisë, por edhe mbrojtje e vlerave demokratike. Ai ngriti shqetësime për rritjen e narrativave anti-gjinore, mungesën e progresit në barazinë martesore dhe njohjen ligjore të gjinisë, si dhe pengesat me të cilat vazhdojnë të përballen personat transgjinorë në qasjen në kujdes shëndetësor. Duke iu referuar edhe rastit të Fabianit si shembull i rëndësisë së qasjes së barabartë në drejtësi, ai u bëri thirrje institucioneve dhe përfaqësuesve politikë që të mbështesin aktivisht të drejtat e komunitetit queer.

“Demokracia nuk matet nga mënyra se si e trajton shumicën; demokracia matet nga mënyra se si  i mbron ata që kanë më së shumti nevojë për mbrojtjen e saj”, tha Bytyqi.

Në emër të Qeverisë në detyrë mori pjesë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Mimoza Kusari Lila, e cila tha se mbështetja për personat LGBTIQ+ nuk duhet të shihet vetëm si përgjegjësi institucionale.

“Këtu nuk jam veç në kapacitetin institucional, por e dini që edhe jam dhe do t’jem me ju përgjithmonë. Kjo është bindje, është përkushtim dhe është besim se pa barazi të plotë dhe pa inkuadrim dhe gjithëpërfshirje të të gjithëve, ne nuk mund të kemi shoqëri të barabartë”, tha ajo.

Lila-Kusari shtoi se askush nuk duhet të jetojë me frikë për shkak të identitetit apo personit që dashuron.

“Asnjë person në Republikën tonë nuk duhet të jetojë me frikën se kush është apo kë e dashuron. Koha kur njerëzit fshiheshin për t’u pranuar më lehtë në familje e në shoqëri duhet t’i takojë të kaluarës dhe ne duhet ta bëjmë këtë kohë të kaluar.”

Ajo foli edhe për klimën politike dhe gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore, duke theksuar se të drejtat e njeriut nuk duhet të bëhen objekt kalkulimesh politike.

“Dua ta jap një mesazh personal se çështja e gjithëpërfshirjes dhe diversitetit në shoqëri duhet të jetë vlerë e komunikimit edhe gjatë fushatës zgjedhore. Është absolutisht e papranueshme që për arsye meskine dhe për arsye oportuniste të cenohet, të goditet, të mohohet një e drejtë që është e pakontestueshme. Që duhet të jetë jo vetëm e garantuar me ligj, por e promovuar nga secili e secila prej nesh.”

Ushtruesi i detyrës së shefit të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Boguslaw Gertuda, theksoi rëndësinë e Javës së Krenarisë dhe sigurinë e personave LGBTIQ+, të garantuar edhe me Kushtetutën e Kosovës. Ai nënvizoi se shërbimet thelbësore për personat LGBTIQ+ nuk duhet të mbeten barrë e organizatave të shoqërisë civile, por duhet të ofrohen nga shteti. Gertuda paralajmëroi gjithashtu se rritja globale e narrativave kundër të drejtave të njeriut mund të ndikojë edhe në Kosovë, duke nxitur më tej stigmën dhe gjuhën e urrejtjes ndaj komunitetit queer.

Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, foli për sfidat me të cilat vazhdojnë të përballen personat LGBTIQ+ në Kosovë dhe bëri thirrje për veprime konkrete institucionale. Ai përmendi mungesën e një strehimoreje për personat queer, mungesën e kujdesit shëndetësor afirmues për personat transgjinorë, nevojën për njohje ligjore të gjinisë dhe një Kod Civil gjithëpërfshirës, si dhe domosdoshmërinë e luftimit më efektiv të gjuhës së urrejtjes dhe krimeve të urrejtjes.

Fjalim mbajti edhe shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Kosovë, Mary Ann Hennessey, e cila theksoi se shumë persona queer vazhdojnë të fshehin identitetin e tyre për shkak të stigmës dhe përjashtimit. Sipas saj, pamundësia për ta jetuar hapur jetën, për ta shprehur identitetin apo për të treguar publikisht afërsinë me partnerin apo partneren ka pasoja reale në jetën e personave LGBTIQ+, duke ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin e tyre mendor dhe fizik.

Java e Krenarisë do të vazhdojë gjatë ditëve në vijim me diskutime publike, ekspozita, performanca artistike dhe aktivitete të tjera, për t’u përmbyllur me Paradën e Krenarisë në Prishtinë.

 Agjendën e plotë të Javës së Krenarisë e gjeni këtu.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top