“As ni sen ma pak nuk e pranojmë”
Historia e Blertit, aktivistit që sfidoi sistemin dhe hapi rrugën për të drejtat trans në Kosovë
Nga vitet e fëmijërisë në Gjakovë që nuk i jepnin emër identitetit të tij, te Prishtina ku mësoi si të luftojë dhe si të ndërtojë veten, jeta e Blertit është një tregim përballjesh, këmbënguljeje dhe një të ardhmeje që dikur i dukej e pamundur.

“E kujtoj që n’i herë m’kan ble trenerka të kuqe edhe ju kom thon ‘ktheni se si veshi’ edhe e maj n’men qe mo nuk m’kan ble as kukulla as kurgjo tjetër që osht’ identifiku për çika. Atë kohë ngjyrat e kanë definu qartë se cilës gjini i përket. Jom kon tepër çapkën, tepër i lazdrum, tepër i lumtur. Kom bo ca kom dashtë, ton ditën kom nejt jashtë tu lujt futboll.
Nuk është diskutu fort çka pi bjen kjo për mu. Unë bile edhe kom punu me babin në lokal edhe gjithmonë ma kanë bo ‘djali Cufës, kena me t’martu me ni çikë’, e për mu nashta qajo u kon nifar afirmimi – por sigurisht kjo ka ndodhë pavetëdije, por për mu u kon e mirëqenë edhe ma ka lehtu tepër shumë fmininë”, tregon Blerti.
Vitet ikën dhe Gjakova filloi të ishte vend i ngushtë për të. Prishtina dukej si rruga e vetme ku mund të merrte frymë. Kur i tha familjes se donte ta vazhdonte shkollën e mesmen atje, u habit nga qetësia me të cilën e pranuan. Ishte një lloj bekimi i heshtur, një leje që s’i ngjante familjes së tij, por që i hapi derën drejt një jete ku imagjinonte më shumë liri.
Por liria e parë e madhe u ndal tek uniforma e shkollës. Pantallona për djemtë, funde për vajzat. Asnjë hapësirë për ata që nuk përkufizoheshin në këtë ndarje. Blerti ftoi babain që ta shoqëronte në shkollën “Sami Frashëri” për t’i shpjeguar drejtores se ai kurrë s’kishte veshur fund. Përgjigja ishte e ftohtë: nëse s’të pëlqen, ndërro shkollë.
Ai moment ishte thikë me dy tehe: të kthehej në Gjakovë dhe të mbetej aty, ose të qëndronte në Prishtinë me çmimin e dhimbjes së përditshme. Zgjodhi të qëndronte. Vuri një fund jashtë masës së tij dhe që e vishte vetëm në orë mësimore, e pastaj ia kthente trupit të vet identitetin që duhej t’i përkiste gjithmonë. Në shkollë s’flitej asnjëherë për LGBTI-në, por larmia e vogël brenda klasave e mbante të padukshëm, të paktën aq sa mjaftonte që mos ta shënjestronin si person trans.
Pas maturës, presionet familjare u shtuan. “Kur po martohesh?”, “Pse nuk i rrit flokët?”. Nëna e shihte me merak, por meraku vinte nga pritjet që nuk kishin asnjë lidhje me realitetin e tij. Ndërkohë, brenda Blertit filloi lufta e vërtetë, ajo që nuk zhvillohet me të tjerët, por me veten. Pesë herë aplikoi për vizë. Pesë herë u refuzua. E ndiente se largimi nga Kosova ishte mënyra e vetme për të funksionuar, për të dashur, për të ekzistuar i lirë. Regjistroi inxhinierinë, u dashurua për herë të parë, përjetoi depresionin e parë, dhe më pas braktisi studimet. “Tranzicioni atëherë s’kish qenë as opsion,” thotë ai. Jeta i dukej shumë e ngushtë që të kishte ëndrra kaq të mëdha.
Pastaj vazhdoi studimet për sociologji, me shpresën se pas disa provimeve, do mund të aplikonte për t’u larguar me programin Work & Travel në Amerikë. Edhe ajo vizë u refuzua. Ai moment e përplasi përballë realitetit: duhej të ndërtonte diçka këtu, jo diku larg.
Kur një kolege i tha se po bënte një hulumtim për personat LGBTI, Blerti kuptoi për herë të parë se ekzistonin organizata queer në Kosovë. Ky informacion i vogël ia hapi një botë të re. Filloi të ndjehej më i lirë, më i fortë. Shoqëria me dylbera të tjerë e shtyu të fliste më hapur në fakultet, të kërkonte njohuri, të mos fshihej më. Por, sa më shumë mësonte, aq më i vëmendshëm bëhej në shtëpi – një lloj dyzimi emocional që shumë dylbera e njohin mirë.
Te organizata CEL e gjeti veten. Aty vendosi të dilte në marshin e parë të Krenarisë. Dhe pikërisht kjo e shtyu që të fliste me familjen: “Ma mirë ta kuptonin prej meje se sa me m’pa në televizor”, kishte menduar Blerti.

Blerti në Paradën e Parë të Krenarisë në Kosovë – 2017
Në ankth dhe në stres se si tua shpjegonte familjarëve, rrugës për në Gjakovë, Blerti kishte përgatitur një fjalim të gjatë për ta lexuar para familjarëve.
Motrat, vëllai dhe prindërit e prisnin Blertin në sallonin e shtëpisë së tyre, pasi ai i kishte ftuar për një lajm. Ai shpresoi që nëse u tregonte të gjithëve për njëherë, së paku dikush do e mbështeste.
Të gjithë fjalimin e gjatë dhe emocional që kishte përgatitur, përfundoi në vetëm dy fjalë –
jam trans.
Motra iu përgjigj: “Ma n’fund.”
Familja reagoi me pranueshmëri. Pas daljes së tij, filluan edhe të kujdeseshin më shumë, si për të kompensuar heshtjen e viteve të mëhershme. Këtë mbështetje nuk e merr kushdo në Kosovë — dhe Blerti e di këtë. “Është për shkak se jam burrë,” thotë ai. “Gratë trans përjetojnë tjetër realitet.”
Pastaj nisi procesin për ndryshimin e emrit dhe shënjuesit gjinor. Kërkesa iu refuzua fillimisht në komunë dhe më pas nga Agjencia e Regjistrimit Civil. Bashkë me avokaten Rina Kika, shoqen e dikurshme të bankës, e çuan rastin në Gjykatën Themelore, ndërsa paralelisht u trajtua edhe në Gjykatë Kushtetuese. Proceset ishin të lodhshme dhe zvarritëse, ndërsa institucionet vazhdonin ta mohonin të drejtën e tij për njohje ligjore të identitetit. Për Blertin dhe Rinën ishte thelbësore të sfidohej logjika e shtetit se e drejta për vetëpërcaktim gjinor nuk kushtëzohet me operacione kirurgjike, as me standarde të tjera që kufizojnë autonominë trupore.

Seanca e parë në Gjykatën Themelore, 9 Tetor 2019
Rastit mori vëmendje të madhe. Ai vendosi të dilte në televizion bashkë me Rina Kika dhe përfaqësuesin e Avokatit të Popullit. E gjithë Kosova e pa. Edhe fshati i tij. Ai priste t’i prishej gjithçka, por ndodhi e kundërta. Të gjithë e pranuan si Blert dhe kjo i dha forcë.
Shumë persona trans filluan ta kontaktonin për këshilla. Por ai vetë nuk i kishte përgjigjet. Kishte vizituar katër spitale për të kuptuar se çfarë ishte e mundur. Procesin e tranzicionit e nisi në klinikën Sistinë në Shkup, me kosto shumë më të ulët se ç’e kishte imagjinuar. Shteti i Kosovës nuk ofron asnjë shërbim të tranzicionit — një boshllëk që i detyron transgjinorët të udhëtojnë, të paguajnë shumë dhe të jetojnë në pasiguri të vazhdueshme. Ajo që s’arriti ta bëjë shteti, e bëri komuniteti dhe rrjeti i CEL-it.

Tranzicioni ishte ëndrra e tij. Por kur erdhi, nuk ishte aq i lehtë sa e kishte përfytyruar. Përveç ndryshimeve fizike dhe emocionale, po përballej edhe me proceset gjyqësore, edhe me detyrimet e punës si drejtor i CEL-it. Presioni ishte i madh. Emocionet ishin të forta dhe testosteroni po bënte efektin e tij.
Iu desh gati një vit që të stabilizohej, si fizikisht ashtu dhe mendërisht. Nuk shkoi te psikologu, por e mbajti rrjeti shoqëror. Pastaj, ngadalë, gjithçka filloi të binte në vendin e vet. E fitoi gjyqin dhe i ndërroi dokumentet. “Nuk mujsha me e besu që osht’ tu ndodhë,” thotë ai. Ndonjëherë, kur ishte vetëm në banesë, e nxirrte letërnjoftimin dhe e shikonte gjatë, me mosbesim të ëmbël.
Ky ishte një moment që u raportua gjerësisht si fitore historike jo vetëm për Blertin si individ, por për gjithë komunitetin trans në Kosovë, sepse vendosi precedent ligjor dhe hapi derën për njohje ligjore dhe respektimin e të drejtave themelore, që deri atëherë ishin të pamenduara. Për shumë persona trans, ky vendim ishte dëshmi se ndryshimi është i mundur dhe se sistemi detyrohet t’i njohë ata ashtu siç janë.
Ndryshimi i dokumenteve ia lehtësoi jetën në mënyrë të jashtëzakonshme. Më nuk duhej të shpjegonte veten në banka, institucione, sportele. Më nuk i shtrohej pyetje që e lodhnin, edhe kur nuk ishin keqdashëse. Masketominë (operimin e gjoksit) e kreu, kurse metoidioplastikën (operimin e organit gjenital) e sheh si hapin tjetër, kur të ketë mundësi. “Unë jam shumë pozitiv që do ta kryej edhe atë,” thotë.
Edhe mes gjithë sfidave personale, Blerti nuk e ndali kurrë aktivizmin. Qysh herët ai ishte i përfshirë në shoqërinë civile dhe pjesë e organizimit të marshit të parë të Krenarisë në Kosovë, një moment që për të mbetet shumë më i fuqishëm se çdo vendim gjykate. Ai e pa komunitetin duke dalë hapur në rrugë për herë të parë, duke e marrë hapësirën publike me guxim politik dhe kolektiv. Në vitet që pasuan, Festivali Queer i Prishtinës vetëm e forcoi këtë ndjenjë, se lëvizja po rritet, po merr terren, dhe nuk pranon më të shtyhet në margjina.

“As ni sen ma pak nuk e pranojmë”, thotë sot. Dhe beson se me këtë qëndrim, Kosova do të bëhet shembull për rajonin.
Në fund, Blerti i kthehet të gjithëve atyre që sot ndihen të bllokuar në rrethe të vogla, pa mbështetje, duke besuar se nuk do të arrijnë kurrë të jetojnë si vetja. Është një mesazh që ai e njeh nga përvoja, një e vërtetë që dikur e ka rënduar edhe atë.
“E di që kaniher, varësisht ku je tu jetu, t’doket që veç qat rreth e ki edhe që s’munesh mu largu e me kon’ vetvetja. Njejtë kom mendu edhe unë. Amo ka ndrru. Unë e di që vij prej një pozite t’privilegjit, ama gjithmonë ekziston një realitet tjetër. Gjithmonë është një grup që kanë me kon’ qaty për ty.
Edhe mos harroni që krejt senet bohen. Qashtu qysh kanë mujt me ndodhë për mu sene që veç i kom andrru, kanë me ndodhë edhe për juve”.
Në fund të ditës, rruga e Blertit nuk është vetëm e tij. Është pjesë e historisë së një gjenerate që refuzon të fshihet, që nuk pranon më pak, dhe që po ndërton një të ardhme ku secili prej nesh mund të shihet siç është, pa kushte, pa frikë, pa kompromis me vetveten.





