Tu e lexu qitash
As gjatë festave të fundvitit, nuk je vet!

As gjatë festave të fundvitit, nuk je vet!

Fundviti vjen çdo herë me të njëjtin premtim se ka gëzim, fillime të reja, drita dhe njerëz që duhet me u ndi mirë. Ama për shumë prej nesh, festat nuk jon veç kaq. Ato vijnë edhe me nji peshë të heshtun, me ndjenja që përzihen mes dashnisë, lodhjes, ankthit dhe dëshirës me i përjetu gjanat ma lehtë se ç’janë.

Ka momente kur festat i don. I don sepse sjellin njerëz bashkë, sepse të japin arsye me u mbledhë, me pi nji gotë, me qeshë pak ma fort. Po në të njëjtën kohë, ato edhe t’lodhin. T’lodhin pritshmëritë shoqnore, pyetjet që s’bëhen gjithmonë me qëllim të keq, rolet që pritet me i performu. Dashnia osht’ aty, po shpesh shoqnohet me nji lloj ankthi që s’ta lëshon trupin.

Për shumë dylbera, gëzimi osht’ ma i plotë kur osht’ me shoqni. Aty ku s’ke nevojë me u mshefë e me u shpjegu. Shoqnia shpesh osht’ hapsina ku mundesh me qenë krejt vetja, pa frikë e pa filtra. Ndërsa në ambiente tjera, sidomos familjare, ende ekziston ajo nevoja me u tkurrë pak, me u rujtë, me e shty festën diqysh tu qenë prezent fizikisht, po jo gjithmonë emocionalisht.

E prapë, n’krejt këtë përzierje ndjenjash, ekziston solidariteti që na mban bashkë. Ai vjen prej faktit që shumë prej nesh i përjetojmë festat me kufizime, me frikë ose me nevojën me u mshefë. Ama kur e dimë që s’jemi vetëm, barra bëhet pak ma e lehtë. Solidariteti shihet n’mbledhjet e vogla me shoqni, n’neja, n’biseda që zgjasin deri vonë dhe n’përpjekjen e përbashkët me gjetë gëzim, edhe kur rrethanat s’janë ideale.

Ka edhe vite kur festat thjesht kalojnë. Pa emocione t’forta, pa gëzim t’madh e pa dhimbje. Janë neutrale. Edhe kjo osht’ krejt në rregull. Jo çdo fundvit duhet me qenë i veçantë apo i paharrueshëm. Nganjëherë, veç me e kalu periudhën qetë osht’ mjaftueshëm, nji pushim i vogël para se me vazhdu tutje.

Nëse këto festa t’gëzojnë, lejoje veten me u gëzu.
Nëse t’lodhin, mos u ndje fajtor pse je i/e lodhun. Pusho.
Nëse t’kujtojnë çka nuk ki, mos harro se çka ki – veten, shoqninë, komunitetin.

Si çdo vit, po ta kujtojmë edhe nji herë se nuk je vetëm.
As n’gëzim, as n’ankth e as n’lodhje.

Nëse ti ose dikush që e njeh po përjetoni ankth, vetmi e izolim gjatë festave të fundvitit, kontaktoni Linjën e Jetës në 080012345 pa pagesë. Organizatat CEL Kosova dhe CSGD ofrojnë seanca psikologjike falas për dylbera, mjafton veç me i kontaktu në info@cel-ks.org dhe info@csgd-ks.org.

Festat kalojnë, e na kemi me vazhdu bashkë për tan vitin.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top