Tu e lexu qitash
Fitoret e dylberave gjatë vitit 2025

Fitoret e dylberave gjatë vitit 2025

Viti 2025 dëshmoi edhe një herë se, pavarësisht kundërshtimeve, regresit politik dhe valëve konservatore që po përhapen në shumë vende, lëvizja queer feministe vazhdon të fitoj terren. Nga vendime gjyqësore historike, te ligje të reja për barazi gjinore, njohje ligjore për personat trans dhe interseks, e deri te ndëshkimi i gjuhës së urrejtjes dhe praktikave diskriminuese, këtu janë disa nga fitoret më të rëndësishme të dylberave gjatë vitit 2025.

Në fillim të vitit, Lihtenshtajni shënoi një hap të rëndësishëm drejt barazisë ligjore, duke garantuar të drejta të barabarta për çiftet e të njëjtit seks dhe duke i dhënë fund diskriminimit institucional. Ky vendim përforcoi standardet evropiane për barazi dhe njohje ligjore të familjeve queer.

Po ashtu, gjatë janarit, në Francë u ndërmorën masa konkrete për rritjen e sigurisë dhe përfshirjes së personave LGBTQI+ në transportin publik, veçanërisht në rrjetin hekurudhor. Kjo ndërhyrje adreson dhunën dhe ngacmimet në hapësira publike, duke e bërë lirinë e lëvizjes më të sigurt për dylbera.

Në Kosovë, institucionet shtetërore ndërmorën një sërë vendimesh të rëndësishme kundër gjuhës së urrejtjes gjatë fushatës për zgjedhjet e shkurtit 2025. Gjykata Supreme rrëzoi disa nga dënimet e shqiptuara ndaj Koalicionit për Familje, ndërsa Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa vendosi disa gjoba radhazi ndaj kësaj partie për shkelje ligjore dhe përhapje të diskursit diskriminues në hapësirën publike. Këto vendime shënuan një precedent të rëndësishëm për trajtimin institucional të gjuhës homofobike dhe transfobike në kontekst zgjedhor (vendimi i Supremes, gjoba e parë, gjoba 5000 euro, gjoba e tretë, gjoba e katërt).

Në mars, Kenia ndërmori një hap historik duke njohur zyrtarisht personat interseks. Ky vendim përbën një fitore të madhe për të drejtat trupore, dinjitetin njerëzor dhe njohjen ligjore të një komuniteti që për dekada ka qenë i padukshëm dhe i përjashtuar nga politikat shtetërore.

Në maj, Polonia shënoi një kthesë të rëndësishme politike dhe simbolike me rrëzimin e të ashtuquajturave “zona pa LGBT”. Këto zona kishin institucionalizuar përjashtimin dhe diskriminimin ndaj komunitetit queer, ndërsa eliminimi i tyre përfaqëson një fitore të drejtpërdrejtë të aktivizmit dhe presionit ndërkombëtar.

Gjithashtu në maj, një vendim i rëndësishëm gjyqësor në Brazil riafirmoi mbrojtjen kushtetuese të personave LGBTQI+ dhe ndalimin e praktikave diskriminuese ndaj tyre duke lejuar shënuesin gjinorë neutral në dokumentet zyrtare. Ky vendim vjen në një kontekst të tensionuar politik, duke e bërë edhe më domethënës rolin e gjyqësorit në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Italia në qershor, përmes një një vendimi gjyqësor, hapi rrugë për njohjen e të drejtave prindërore të çifteve lezbike, duke sfiduar drejtpërdrejt politikat konservatore dhe përjashtuese të qeverisë. Ky vendim ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e familjeve queer dhe në sigurinë juridike të fëmijëve të tyre.

Në korrik, Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, ka shpallur fajtor tre persona për tri vepra penale të kryera me motiv urrejtjeje në bazë të orientimit seksual. Të akuzuarit janë dënuar me gjithsej 9.5 vite burgim për veprat penale të rrëmbimit, lëndimit të lehtë trupor dhe mbajtjes së paautorizuar të armëve.

Njashtu në korrik, Kuba miratoi një ligj të ri progresiv për personat trans, duke forcuar të drejtën për vetë-identifikim gjinor dhe akses në dokumente zyrtare pa procedura patologjizuese. Ky ligj shënon një hap të rëndësishëm për autonominë trupore dhe dinjitetin e personave trans

Në nëntor, Shqipëria miratoi ligjin për barazi gjinore, duke forcuar kuadrin ligjor kundër diskriminimit dhe duke përfshirë më qartë mbrojtjen e personave queer dhe trans. Ky ligj përfaqëson një hap të rëndësishëm institucional drejt barazisë gjinore dhe sociale.

Në dhjetor, Gjykata Evropiane e Drejtësisë mori një vendim historik duke njohur martesat queer brenda Bashkimit Evropian, duke detyruar shtetet anëtare t’i respektojnë ato në aspektin e të drejtave civile dhe të lëvizjes së lirë.

Kolumbia i tha po diversitetit gjinor në kartat e identitetit, duke mundësuar njohjen ligjore të identiteteve gjinore përtej binarëve tradicional gjinor dhe duke avancuar të drejtën për vetë-përcaktim.

Në fund të vitit, Gjibraltari ndaloi zyrtarisht terapinë e konvertimit, duke e njohur atë si praktikë të dëmshme dhe shkelje të të drejtave të njeriut. Ky vendim forcon konsensusin ndërkombëtar kundër dhunës së maskuar si “terapi”.

Fitoret e vitit 2025 tregojnë se avancimi i të drejtave të personave LGBTQI+ nuk vijnë nga vullneti i mirë institucional, por nga presioni i vazhdueshëm politik, juridik dhe shoqëror. Çdo vendim gjyqësor, çdo ligj i miratuar dhe çdo ndalim i praktikave diskriminuese është rezultat i rezistencës së organizuar dhe i refuzimit për të pranuar normalizimin e urrejtjes.

Këto zhvillime dëshmojnë se barazia nuk është e garantuar, por e fituar. Ato gjithashtu tregojnë se përparimi është i mundur edhe në kontekste politike armiqësore, për sa kohë që lëvizja queer mbetet e zëshme, e dokumentuar dhe e pranishme në hapësirën publike.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top