Tu e lexu qitash
Rasti “Fabian”: Precedent per krimet e urrejtjes në Kosovë

Rasti “Fabian”: Precedent per krimet e urrejtjes në Kosovë

Frika nga ekspozimi, turpi dhe mosbesimi në institucione janë shpesh arsyet pse personat LGBTIQ+ nuk raportojnë dhunën. Rasti “Fabian” e sfidon këtë realitet. Për herë të parë në Kosovë, një rast i dhunës me motiv urrejtjeje ndaj një personi LGBTIQ+ u trajtua me dispozita të posaçme ligjore dhe përfundoi me dënime efektive, duke hapur një kapitull të ri në qasjen ndaj drejtësisë.

Tre persona, në janar të vitit 2024, e vendosën në kurth Fabianin*, e rrëmbyen dhe e mbajtën për orë të tëra, duke ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike. E gjithë kjo u bë për një arsye të vetme: orientimin e tij seksual. Kjo u konfirmua edhe nga vendimi i gjykatës, e cila i dënoi të tre kryesit me rreth 9.5 vjet burgim efektiv. Vendimi erdhi si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë nga të pandehurit.

Pas raportimit të rastit në polici nga Fabiani, natën e ngjarjes, prokurori Bashkim Zeqaj kërkoi ndalimin e të dyshuarve, duke iniciuar rastin dhe duke filluar hetimet.

Prokurori Zeqaj, në një konferencë të mbajtur për këtë rast, tha se të dyshuarit asnjëherë nuk i kanë mohuar provat e paraqitura nga prokuroria kundër tyre.

“Vetëpohimi i tyre në gjykatë është i njëjtë me provat e gjetura. Kjo e ka ndihmuar që rasti të përfundojë më shpejt dhe pranimi i fajësisë ishte edhe më i fortë se vetë provat”, tha Zeqaj.

“Rasti ‘Fabian’ është shembulli më i mirë se si një proces i koordinuar mirë mund të prodhojë drejtësi të prekshme”, thuhet nga Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore (CSGD). Fillimisht, viktima kishte kërkuar ndihmë psikologjike nga CSGD dhe përmes psikologes, CSGD u njoftua me rastin, duke angazhuar më pas avokatin Albert Krasniqi për ndjekjen ligjore të tij.

Sipas Krasniqit, menjëherë pas marrjes së rastit ai ka kërkuar nxjerrjen e një urdhërese për mbrojtjen e identitetit të viktimës.

“Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, menjëherë kemi kërkuar nxjerrjen e një urdhërese ku do të fshiheshin të dhënat personale në procedurat e mëtejshme, pasi kemi parë se ky rast, nëse do të merrte publicitet të tepruar, mund të dëmtonte jo vetëm rastin, por edhe kauzën. Gjykata e ka aprovuar këtë dhe ka vendosur përdorimin e emrit ‘Fabian’”, tha avokati Krasniqi.

Kodi Penal i Republikës së Kosovës ofron mbrojtje specifike për orientimin seksual dhe identitetin gjinor. Neni 70, pika 2.12, përcakton “aktin e urrejtjes” si vepër të motivuar në bazë të orientimit seksual ose identitetit gjinor dhe parashikon ashpërsimin e dënimit. Neni 141 sanksionon nxitjen e urrejtjes dhe përçarjes publike bazuar në orientimin seksual dhe identitetin gjinor, ndërsa nenet 184, 185 dhe 186 kanë të bëjnë me sulmin dhe lëndimin, ku rrethanat ashpërsuese aplikohen kur vepra kryhet me motive të tilla.

Aktakuza, edhe pse e mbyllur për publikun, përmbante tri vepra penale: rrëmbim, lëndim të lehtë trupor dhe armëmbajtje pa leje për njërin nga të dyshuarit. Të gjitha këto u trajtuan si rrethana të ashpërsuara për shkak të motivit të urrejtjes, bazuar në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, tha avokati i viktimës.

“Fatkeqësisht, apo më mirë të them fatmirësisht, Instituti Ligjor i ka klasifikuar lëndimet e Fabianit si lëndime të lehta trupore, pasi nuk ka pasur pasoja afatgjata si humbje të ndonjë gjymtyre apo ndonjë lëndim tjetër serioz. Në shkurt 2025 kemi pasur vendimin e parë dënues. Në prill 2025 rasti është kthyer në rigjykim dhe në korrik është arritur marrëveshja, ku të pandehurit janë dënuar. Ky është një vendim me burgim efektiv, afërsisht 10 vjet”, shtoi Krasniqi.

Avokati Krasniqi ka theksuar se punën më të madhe e ka bërë vetë Fabiani duke e raportuar rastin. Ai e cilësoi këtë rast si moment historik për mbrojtjen e komunitetit LGBTIQ+.

“Roli kryesor i takon viktimës. Viktima ka qenë një person shumë i guximshëm. Ky është një moment historik për këtë kategori të popullit, sepse kryesit janë në burg, motivi i urrejtjes është konfirmuar me vendim gjyqësor dhe për herë të parë janë përdorur dispozitat e përpunuara për këto lloj rastesh. Drejtësia është vënë në vend, por megjithatë na mbetet ende shumë punë përpara dhe shpresoj që ky rast të jetë një pikënisje edhe për raste të tjera”, tha avokati i Fabianit.

Ndërkohë, procesi nuk ishte i lehtë për t’u monitoruar. Avokati i Popullit, Naim Qelaj, e përshkruan rastin si sfidues.

“Ka qenë sfiduese monitorimi i këtij rasti për shkak se gjykimi është mbajtur gjysmë publik. Pyetja ka qenë se kush duhet të qëndrojë brenda, kush përjashtohet dhe sa e siguron kjo viktimën nga paragjykimet dhe nxjerrja e informatave jashtë”, thotë Qelaj.

Avokati i Popullit z. Naim Qelaj. Fotografia: CSGD.

Sipas tij, rasti nxjerr në pah edhe boshllëqet strukturore të sistemit. “Nuk është e mjaftueshme vetëm ekzistenca e legjislacionit dhe institucioneve. Ne kemi parë mangësi në evidentimin e rasteve dhe në faktin që jo çdo rast merret parasysh si krim i urrejtjes”, thekson ai, duke shtuar se “qasjen në drejtësi ia kemi borxh secilit qytetar”.

Ndërsa Arbër Nuhiu nga CSGD thotë se rasti i Fabianit është dëshmi e përkushtimit institucional.

“Fabiani është dëshmia jonë se kur institucionet janë të hapura dhe të qasshme, viktimat janë më të hapura dhe raportojnë rastet. Drejtësia është e mundur dhe e arritshme kur profesionalizmi nuk mungon, kur koordinimi ndërinstitucional funksionon dhe kur përkushtimi është i vërtetë. Fabiani është dëshmi e këtij përkushtimi”, tha Nuhiu.

Arbër Nuhiu, drejtor ekzekutiv në CSGD. Fotografia: CSGD.

Rasti i Fabianit shënon një precedent të rëndësishëm në trajtimin e krimeve të urrejtjes në Kosovë, duke dëshmuar se drejtësia mund të funksionojë edhe për grupet më të margjinalizuara kur institucionet veprojnë me profesionalizëm dhe koordinim. Megjithëse sfidat strukturore dhe shoqërore mbeten, ky rast dërgon një mesazh të qartë: raportimi i dhunës, mbështetja institucionale dhe zbatimi i ligjit janë hapa thelbësorë drejt ndërtimit të besimit dhe sigurimit të barazisë para ligjit për të gjithë qytetarët.

*Për shkak të ndjeshmërisë së rastit, gjykata ka ndryshuar emrin e viktimës dhe ka përdorur emrin Fabian në transmetim për publikun për ta ruajtur privatësinë e tij.

Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top