Një sistem që nuk e njeh shëndetin trans
Kur Drini* filloi terapinë hormonale, nuk e kishte imagjinuar se procesi që duhej ta ndihmonte të ndihej më në harmoni me trupin e tij do ta linte për muaj me radhë të humbur, të izoluar dhe pa asnjë mbështetje të qartë nga sistemi shëndetësor.
Terapitë hormonale që afirmojnë gjininë luajnë një rol vendimtar në udhëtimin e kujdesit shëndetësor të shumë individëve transgjinorë, duke u ofruar atyre mundësinë që pamja fizike të reflektojë identitetin e tyre gjinor.
Përveç ndryshimeve fizike, këto terapi ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien psikologjike dhe vetëvlerësimin e individëve, duke ndihmuar që trupi dhe vetja të përjetohen si më të plota dhe të përputhura.
Në Kosovë, qasja në kujdes shëndetësor për personat trans mbetet e fragmentuar dhe e pasigurt. Edhe pse kuadri ligjor garanton në parim të drejtën për kujdes shëndetësor dhe ndalon diskriminimin, në praktikë mungojnë protokollet specifike për kujdesin shëndetësor që afirmon gjininë. Terapitë hormonale për personat trans nuk janë të rregulluara përmes udhëzimeve klinike të qarta, nuk ofrohen në mënyrë të strukturuar në sistemin publik dhe nuk shoqërohen me mekanizma të qëndrueshëm monitorimi dhe mbështetjeje profesionale.
Si pasojë, shumë persona trans detyrohen ta ndërtojnë procesin e tranzicionit jashtë sistemit shëndetësor institucional, duke u mbështetur në informacione jozyrtare, në përvoja të ndara mes komunitetit dhe, shpesh, duke kërkuar kujdes shëndetësor në vendet fqinje. Ky realitet jo vetëm që e rrit barrën financiare dhe emocionale mbi individët, por edhe e rrezikon procesin e trajtimit, duke e bërë të paqëndrueshëm dhe të pambrojtur nga gabimet, mungesa e kontrollit mjekësor dhe pasiguria rreth cilësisë së barnave.
Redaksia jonë ka pranuar raportime nga persona transmaskulinë që, gjatë terapisë hormonale, janë përballur me pasiguri dhe konfuzion rreth rrjedhës dhe rezultateve të trajtimit, pavarësisht se testosteroni është marrë nga farmaci të licencuara në Prishtinë.
Drini, një nga këta persona, kishte marrë vendimin për të filluar terapinë hormonale në vitin 2023. Deri vonë, nuk kishte hasur në pengesa dhe përjetimi i tij i deriatëhershëm kishte qenë i kënaqshëm.
“Unë e kam marrë vendimin para 2 viteve, edhe për me u qas në barnatore nuk kam mendu që ka me pasë naj problem, se testosteroni përdoret prej shumë njerëzve. Kam pasë folë me organizatën CEL, më kanë pas ndihmu me shku njëherë te mjeku në Shkup për me marrë recetë, për me e ditë edhe çfarë niveli me e marrë” – thotë Drini.
Përdorimi injektimeve të rreme të testosteronit mund të shkaktojë pasoja të rënda shëndetësore për burrat trans, veçanërisht kur këto produkte përmbajnë përbërës të padeklaruar ose të pasigurt.
Verën e vitit 2024, nga mesi i qershorit e tutje, për të filloi një periudhë e vështirë dhe e panjohur. Drini që atëkohë ishte 21 vjeç, ndjente se trupi i tij po i dërgonte sinjale shqetësuese dhe papritur po përballej me efekte që nuk i kishte hasur më parë.
Ai tregon se testosteronin e kishte siguruar pa vështirësi në barnatore të ndryshme në Prishtinë. Bëhej fjalë për ampula të kompanisë Galenika, të cilat përdoren për injeksion dhe ruhen në shishe qelqi. Për një periudhë, gjithçka kishte shkuar në rregull dhe nuk kishte vërejtur ndonjë ndryshim shqetësues. Megjithatë, me kalimin e kohës, ai nisi të vërejë dallime mes ampulave të mëhershme dhe atyre të reja, veçanërisht në ngjyrë dhe përbërje, të cilat i dukeshin më të holla në përmbajtje se ato më parë.
Rreth tre muaj pasi kishte filluar të përdorte paketimin e ri, gjendja e tij filloi të përkeqësohej ndjeshëm. Ndryshimet e para, thotë ai, u shfaqën në gjendjen emocionale. Pa një arsye të qartë, ndjente një rënie të thellë emocionale dhe një lloj mpirjeje që nuk e kishte përjetuar më parë. Nuk ndihej as i trishtuar, por as mirë, gjithçka i dukej neutrale dhe pa peshë. “Për tre muaj,” rrëfen Drini, “kam qenë si një njeri i vdekur duke ecur.”
Drini i kujton këto përjetime si ndër më sfidueset e jetës së tij. Ishte një periudhë e gjatë e mbushur me pikëpyetje të shumta, pasiguri të vazhdueshme, izolim social dhe ndjenja të thella faji që e kanë shoqëruar për një kohë të gjatë.
Fillimisht, ai vuri re ndryshime fizike që i dukeshin të pazakonshme. “Tani ia kanë pasë nisë me mu kthy periodat, po jo tamam,” tregon ai. Imuniteti i ishte dobësuar, nuk kishte oreks dhe ndjehej i lodhur, pa qenë në gjendje ta lidhte këtë gjendje me terapinë hormonale. “Nuk e kam llogaritë për çka, as nuk ma ka marrë mendja që janë injeksionet,” thotë ai.
Me kalimin e kohës, ndryshimet u reflektuan edhe në gjendjen e tij emocionale dhe në marrëdhëniet me njerëzit përreth. Ai tregon se ndjehej shpesh i irrituar pa arsye të qartë dhe gjithnjë e më i tërhequr. “Dojsha veç me nejt vetë, ia kam pas nisë me mshelë veten,” rrëfen ai. Në mungesë të informacionit dhe mbështetjes profesionale, Drini e fajësonte veten për gjendjen e tij. “Unë mendojsha që unë kam faj që jam tu ra në depresion. Është kanë prej periudhave ma të vështira të jetës.”
Për rreth tre muaj, kjo gjendje vazhdoi pa përgjigje të qarta, deri në momentin kur ai vendosi t’i kryente vetë analizat hormonale. Rezultatet ishin tronditëse. “Jo veç që m’ka ra prapë në të njëjtin nivel që e kam pasë testosteronin, po më ka ra edhe ma poshtë se sa kur ia kam nisë,” thotë ai. Sipas Drinit, ai nuk ishte rast i izoluar. Ai njeh të paktën edhe dy persona të tjerë transmaskulinë që, në të njëjtën periudhë dhe me të njëjtin lloj testosteroni, kishin përjetuar efekte të ngjashme.
Në kërkim të shpjegimeve, ai iu drejtua barnatoreve ku kishte siguruar terapinë. “Çdo barnatore që kam shku, seni i parë që ma kanë thanë është kanë që u ndërru paketimi, që është e njëjta kompani dhe që gjithçka është mirë,” tregon ai. Megjithatë, përvoja e tij ishte ndryshe. “Po nuk është i njëjtë. Edhe me sy m’i marrë të dyja me i këqyrë, është komplet ndryshe.”
Me zhdukjen graduale të versionit të mëparshëm të produktit nga tregu, Drini u përball edhe me vështirësi në sigurimin e terapisë. Në disa barnatore, sasia e vjetër ishte e kufizuar, ndërsa më pas nuk ishte më e disponueshme fare. “Tani veç kam kalu tu shku me e marrë në Shqipëri,” thotë ai.
Edhe pse arriti të stabilizonte gjendjen e tij me kalimin e kohës, procesi ishte i rëndë dhe i lodhshëm. “Unë kam mujt me e rikthy veten, po është dashtë shumë kohë,” rrëfen ai. Prioriteti i tij ishte rikthimi i balancit fizik dhe emocional, ndërsa kërkimi i përgjegjësisë institucionale mbeti në plan të dytë. “Kam pas nevojë me gjetë përgjigje, po ma shumë jam koncentru me e kthy veten në nivele normale. Nuk e kam pas energjinë me vazhdu ma anej.”
Në situata të tilla, shumë persona trans detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit, duke mbuluar vetë shpenzimet e udhëtimit dhe kujdesit shëndetësor, një barrë shtesë në mungesë të një sistemi të qartë dhe të sigurt të kujdesit shëndetësor në Kosovë.

(paketimi i vjetër)

(paketimi i ri)
Testosteroni që Drini kishte përdorur vazhdimisht ishte Testosteron Depo, një produkt i prodhuar nga kompania Galenika në Beograd. Përkundër përpjekjeve për të marrë sqarime nga disa farmaci të përmendura nga Drini lidhur me cilësinë e këtij produkti, redaksia jonë ka arritur të sigurojë përgjigje vetëm nga njëra prej tyre.
Nga farmacia PriFarm në Prishtinë, përfaqësuesit kanë deklaruar se testosteroni në formë injeksioni ka munguar në treg për disa muaj. “Na kemi testosteron në formë tablete, që është bimore, si dhe ‘testosterone power’, ndërsa testosteroni si injeksion është në mungesë tash e disa muaj,” kanë thënë ata. Sipas farmacisë, kompania Galenika nuk ka pasur prodhim aktiv për rreth një vit dhe, sipas tyre, ky produkt nuk ka qenë i disponueshëm në barnatoren e tyre gjatë kësaj periudhe. Ata shtojnë se nuk kanë pranuar ankesa nga pacientët, duke shprehur gjithashtu habi për mënyrën se si ky produkt është siguruar në barnatore të tjera.
Ndërkaq, sipas Agjencisë Kosovare për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), produkti medicinal i lartëcekur është i regjistruar për qarkullim në Republikën e Kosovës. Sipas këtij institucioni, “leja më e fundit e importit e lëshuar për produktin Testosterone Depo nga bartësi i Autorizimit të Marketingut (AM), Galenika, është dhënë në muajin tetor 2025.”
Drejtori i AKPPM-së, Muhamer Beshiri, thekson se në dokumentacionin zyrtar të produktit janë të listuara edhe efekte të mundshme anësore. “Në PKP (Përmbledhjen e Karakteristikave të Produktit) dhe në Fletëudhëzimin Informativ për Pacientë (FIP) përshkruhen, si efekte të mundshme anësore gjatë përdorimit të këtij produkti, edhe depresioni dhe ankthi,” deklaron ai.

Sipas AKPPM, efektet e dyshuara anësore të produkteve medicinale mund të raportohen përmes adresës elektronike info@akppm.com , duke përdorur formularin standard CIOMS, i cili është i publikuar në ueb-faqen zyrtare të agjencisë. Megjithatë, nga Departamenti i Farmakovigjilencës i këtij institucioni bëhet e ditur se deri më tani nuk kanë pranuar ndonjë raportim zyrtar lidhur me efekte të tilla.
Ndërkohë, edhe Inspektorati Farmaceutik në Kosovë që funksionon brenda strukturave të Ministrisë së Shëndetësisë nuk ka raportime konkrete për shitjen e testosteronit nga farmacitë në Prishtinë, edhe pse sipas tyre monitorimi dhe konfiskimet e produkteve hormonale kryhen rregullisht gjatë inspektimeve.
“Testosteroni është produkt medicinal që duhet të ketë leje importi të lëshuar nga AKPPM, i cili i nënshtrohet banderolës dhe, si i tillë, mbikëqyret nga Inspektorati Farmaceutik,” thuhet në përgjigjen e këtij institucioni. Sipas tyre, Inspektorati kryen inspektime të vazhdueshme me qëllim të luftimit të informalitetit dhe mbrojtjes së shëndetit publik. Në kuadër të inspektimeve të planifikuara për Praktikat e Mira Farmaceutike, kontrollohet menaxhimi i produkteve dhe pajisjeve medicinale, përfshirë edhe produktet hormonale.

“Gjatë vitit 2025 janë realizuar gjithsej 2,221 inspektime dhe, në rastet kur janë hasur produkte të paautorizuara apo të dyshuara, ato janë konfiskuar nga Inspektorati Farmaceutik. Në kuadër të këtyre veprimeve, janë konfiskuar edhe produkte hormonale, përfshirë testosteronin. Për çdo shkelje ligjore, merren masa ndëshkuese në përputhje me dispozitat ligjore dhe aktet nënligjore në fuqi.”
Mungesa e raportimeve zyrtare nuk nënkupton domosdoshmërisht mungesë të efekteve anësore, por shpesh lidhet me qasjen e kufizuar në informacion, frikën nga stigmatizimi dhe barrën individuale që u lihet personave trans për të naviguar sistemin shëndetësor.
Rastet e tilla tregojnë se mungesa e sigurisë dhe e transparencës në qarkullimin e barnave mund të ketë pasoja serioze për shëndetin fizik dhe mendor të individëve transgjinorë, duke e bërë mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe kontrollin efektiv të produkteve medicinale të domosdoshëm.
Përvoja e Drinit e pasqyron qartë këtë boshllëk sistemik. Në mungesë të një rruge të qartë institucionale për terapinë hormonale, ai u detyrua të navigojë i vetëm mes farmacive, mungesës së informacionit dhe pasigurive shëndetësore, duke e bartur vetë rrezikun e një procesi që duhej të ishte pjesë e kujdesit të rregullt shëndetësor. Edhe kur barnat sigurohen përmes kanaleve formalisht të licencuara, mungesa e mbështetjes profesionale dhe e monitorimit të vazhdueshëm e lë individin të ekspozuar ndaj pasojave serioze fizike dhe mendore.
Në këtë kontekst, mungesa e qasjes së sigurt dhe të strukturuar në kujdes shëndetësor për personat trans nuk duhet të konsiderohet një çështje administrative apo teknike. Ajo përkthehet drejtpërdrejt në rrezik për shëndetin, izolim social dhe barrë të padrejtë mbi individët, të cilët detyrohen të kërkojnë jashtë vendit atë që sistemi shëndetësor vendas ende nuk arrin ta ofrojë. Rasti i Drinit është realitet i një sistemi që ende nuk e trajton shëndetin trans si pjesë integrale të shëndetit publik.
*Emri i personit të intervistuar është ndryshuar për arsye të mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë së tij.

Ky publikim është financuar nga Bashkimi Evropian. Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it.
Beatrisa Culaj
Beatrisa Culaj ka përfunduar studimet Bachelor në Komunikim Masiv – Gazetari. Ajo ka përvojë katër vjeçare në fushën e gazetarisë në televizion dhe media online, kryesisht me fokus në tema për të drejtat e njeriut dhe çështje të barazisë sociale.






