Vrasjet e ashtuquajtura të “nderit” vazhdojnë të marrin jetët e dylberave në Irak
Paralajmërim: Ky artikull diskuton dhunën, vrasjen dhe urrejtjen anti-LGBTIQ+, andaj përmbajtja mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues/e.
Një incident tragjik i cili ndodhi në kryeqytetin e Irakut, Bagdad, më 22 janar të këtij viti ka tronditur shoqërinë irakiane, ku një baba vrau djalin e tij 24-vjeçar duke e qëlluar tri herë me armë zjarri.
Në një postim në Instagram, organizata joqeveritare që punon për mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave të komunitetit LGBT+ në Irak, ka thënë se “ky incident është një kujtesë tronditëse se dhuna në familje dhe të ashtuquajturat “vrasje për nder” janë ende fort të pranishme në Irak, dhe se jetët e komunitetit queer janë vazhdimisht në rrezik.
Babai e justifikoi aktin e tij duke pretenduar se arsyeja ishte një video “imorale”, të cilën ai e konsideroi si provë se djali i tij ishte gej, gjë që e shtyu të kryente një vrasje të dhunshme ndaj djalit të vet, raporton organizata Iraqueer.
“Shtëpitë, që supozohet të jenë strehë të sigurta, mund të shndërrohen në vendet më të rrezikshme që kërcënojnë jetën tonë, dhe ata që duhet të ofrojnë mbrojtje dhe mbështetje mund të bëhen rreziku më i madh”, shkruhet tutje në deklaratën e organizatës.






