Me 6 qershor mbahet Parada e dhjetë e Krenarisë në Prishtinë
Këtë vit, Muaji i Krenarisë vjen me një peshë të veçantë. Nga 1 deri më 6 qershor, Java e Krenarisë 2026 shënon një dekadë të Paradës së Krenarisë në Prishtinë, që kulmon më 6 qershor nën sloganin “Barazi ose Revoltë!”.
Lajmi është bërë i ditur nga Prishtina Pride, e cila organizohet nga organizatat CEL Kosova dhe CSGD, në bashkëpunim me YIHR Kosova, Qendra Kosovare për Studime Gjinore dhe Civil Rights Defenders.
“Nga 1 deri më 6 qershor 2026, hapësirat publike të Prishtinës do të mbushen sërish me ngjyrat e lirisë. Ky moment shënon më shumë se një festë, është një kujtesë e forcës, rezistencës dhe komunitetit që e kanë mbajtur Krenarinë gjallë për një dekadë. Bashkohuni me ne për të festuar historinë tonë dhe për të vazhduar marshin drejt të ardhmes që meritojmë”, thuhet në deklaratën e Prishtina Pride.
Këtë vit, parada që do mbahet më 6 qershor, ndryshe nga herët e tjera, nis në mbrëmje. Tubimi fillon te Sheshi Skënderbeu nga ora 19:00 deri në 19:30, vazhdon drejt Bibliotekës Kombëtare nga 19:30 deri në 20:30, dhe përmbyllet me koncert nga ora 20:30 deri në 22:00.
Në ditët në vazhdim pritet të publikohen më shumë detaje për koncertin, aktivitetet dhe programin e plotë të Javës së Krenarisë 2026.
Slogani i këtij viti nuk vjen rastësisht. Ai flet për përditshmërinë e personave LGBTIQ+, për sigurinë që mungon, për strehimin, për njohjen e identitetit dhe të partneriteteve, për shërbimet bazë që shpesh nuk ekzistojnë, për dhunën që vazhdon edhe brenda familjes.
“Ky nuk është vetëm slogan, ky është realiteti ynë. Java e Krenarisë, në dhjetëvjetorin e saj, nuk bën më asnjë kompromis”, shkruhet ne deklaratën e Prishtina Pride.
Në këtë frymë, organizatorët ftojnë të gjithë të bashkohen për të qëndruar bashkë në një kohë që kërkon më shumë zë, më shumë kujdes dhe më shumë guxim.






