Tu e lexu qitash
Raporti i ILGA-Europe tregon se Kosova vazhdon të mbetet pa progres në të drejtat LGBTIQ+ 

Raporti i ILGA-Europe tregon se Kosova vazhdon të mbetet pa progres në të drejtat LGBTIQ+ 

Raporti i ri i ILGA-Europe, organizatës më të madhe ombrellë LGBTIQ+ në Evropë, paraqet një kontinent të ndarë mes progresit dhe regresit sa i përket ligjeve dhe politikave që ndikojnë në jetën e personave LGBTIQ+.

Krahasuar me shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova renditet më poshtë se Shqipëria (41%), Mali i Zi (53%) dhe Bosnja dhe Hercegovina (37%), të cilat kanë bërë hapa më konkretë në mbrojtjen ligjore të personave LGBTI+, por mbetet përpara Maqedonisë së Veriut (29%) dhe Serbisë (34%), ku hapësira për shoqërinë civile dhe liria e tubimit vazhdojnë të përballen me pengesa serioze.

Harta e Ylberit 2026 i rendit 49 shtete evropiane bazuar në 76 kritere që lidhen me barazinë, familjen, njohjen ligjore të gjinisë, krimet e urrejtjes, azilin dhe hapësirën e shoqërisë civile. Mesatarja evropiane këtë vit është 43%, ndërsa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian arrin në 52%.

Ndonëse Kosova shpesh perceptohet si më progresive në diskurs publik sesa disa vende të rajonit, kjo ende nuk është përkthyer në reforma konkrete ligjore.

Kosova vazhdon të mbetet në vendin e 28-të me rezultat prej 35%, pa asnjë përparim që nga viti 2020. Sipas raportit, stagnimi reflekton mungesë serioze të veprimit institucional dhe mungesë vullneti politik për të shtyrë përpara reformat kyçe për komunitetin LGBTIQ+.

Draft Kodi Civil ende nuk është miratuar, ndërsa reformat për njohjen ligjore të gjinisë dhe partneritetet civile vazhdojnë të mbeten të bllokuara.

Shqipëria është ngjitur me dy vende në renditje, duke arritur pozitën e 24-të me 41% të pikëve. Vendi miratoi një Ligj të ri për Barazinë Gjinore, i cili përcakton se diskriminimi mbi bazën e identitetit gjinor, shprehjes gjinore dhe orientimit seksual konsiderohet diskriminim me bazë gjinore. Në të njëjtën kohë, u forcua edhe Ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi janë ndër të vetmet vende në Evropë me mbulim të plotë të SOGIESC (orientimi seksual, identiteti gjinor, shprehja gjinore dhe karakteristikat gjinore) në kuadrin kundër diskriminimit, ndërsa Kosova vazhdon të ketë boshllëqe në njohjen ligjore të identiteteve trans dhe të drejtave familjare për çiftet queer.

Ndër të tjera, gjetjet e Hartës së Ylberit paraqesin edhe shtetet më të sigurta në Evropë për personat LGBTIQ+. Pesë shtetet më të mira në renditje për vitin 2026 janë Spanja, Malta, Islanda, Belgjika dhe Danimarka.

Këtë vit, Spanja ka zënë për herë të parë vendin e parë në renditje, duke i dhënë fund dominimit dhjetëvjeçar të Maltës. Ngjitja e Spanjës reflekton një kombinim reformash të rëndësishme: depatologjizimin funksional të identiteteve trans në sistemin shëndetësor, strategji të reja kombëtare për personat LGBTIQ+, si dhe rezistencë aktive ndaj përpjekjeve të së djathtës ekstreme për të zhbërë mbrojtjet ekzistuese.

“Harta e Ylberit këtë vit tregon dy histori njëkohësisht: një histori guximi politik dhe rezistence, dhe një histori rreziku real që nuk mund të nënvlerësohet”, tha Katrin Hugendubel, drejtore e avokimit në ILGA-Europe.

Raporti i këtij viti evidenton edhe një valë të re sulmesh ndaj të drejtave trans në shumë vende evropiane. Megjithatë, disa shtete kanë shënuar hapa përpara. Në Çeki dhe Letoni, personat trans tani mund të ndryshojnë shënuesit ligjorë të gjinisë pa sterilizim të detyrueshëm. Ndërsa Suedia ka miratuar legjislacion të ri për njohjen ligjore të gjinisë, edhe pse organizatat queer theksojnë se reforma ende nuk bazohet plotësisht në vetëvendosje.

Në fund të listës mbeten Armenia, Bjellorusia, Turqia, Azerbajxhani dhe Rusia.

Bjellorusia ka miratuar një ligj anti-LGBTIQ+ të modeluar sipas atij rus, Sllovakia po shtyen amendamente kushtetuese që e bëjnë të pamundur njohjen ligjore të gjinisë, ndërsa Turqia po përballet me një përshkallëzim alarmues të sulmeve ndaj aktivistëve dhe organizatave queer. Rusia mbetet e fundit në renditje për të tretin vit radhazi.

ILGA-Europe thekson se sulmet ndaj personave LGBTIQ+ nuk mund të ndahen nga sulmet më të gjera ndaj demokracisë, lirisë së shprehjes dhe autonomisë trupore, dhe se komunitetet queer në të gjithë Evropën, përfshirë Ballkanin, duhet të mbeten të bashkuara.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top