Tu e lexu qitash
Vikendi i Krenarisë në Shkup sjell trupat queer në qendër të rezistencës artistike

Vikendi i Krenarisë në Shkup sjell trupat queer në qendër të rezistencës artistike

Sot nis në Shkup edicioni i ri i Skopje Pride Weekend 2026, festivali i artit, kulturës dhe teorisë queer, që do të mbahet nga 28 maji deri më 13 qershor në hapësira të ndryshme të qytetit.

Me temën ANARCHIC BODIES: consent not to be a single being (TRUPA ANARKIKË: pëlqimi për të mos qenë vetëm një qenie), festivali i sivjetmë e trajton trupin si vend rezistence dhe transformimi kolektiv – trupin që refuzon normat e gjinisë, seksualitetit, racës, kapitalit dhe pushtetit, përmes të cilave organizohet dhe kontrollohet jeta.

Këtë vit, festivali mbledh artistë/e, performues/e, teoricienë/e dhe punëtorë/e kulturorë/e nga rajoni dhe bota në institucione dhe hapësira si Muzeu i Artit Bashkëkohor, Qendra Kulturore Rinore, Teatri i Dramës, Kotur Café & Film dhe Bar Ljubov.

Programi hapet me veprën Unchained: Newborn (I/e pazinxhiruar: i/e sapolindur) të artistit maqedonas Hristijan Nashulovski, një performancë që e sheh jetën e natës si hapësirë radikale për trupa queer, trans dhe të margjinalizuar, ku intimiteti dhe mbijetesa kolektive bëhen praktikë politike.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 30 maj në Muzeun e Artit Bashkëkohor me ekspozitën kolektive ANARCHIC BODIES (TRUPA ANARKIKË), kuruar nga Slavcho Dimitrov, e cila përmes perspektivave queer, feministe dhe dekoloniale e eksploron trupin si fragment, dëshirë anti-normative dhe material në transformim të vazhdueshëm.

Një nga ngjarjet kryesore të këtij edicioni është ligjërata e teoricienit queer Jack Halberstam, i cili në Anarchitecture After Everything (Anarkitektura pas gjithçkaje) flet për trupin trans si forcë që jo vetëm kërkon njohje, por çmonton vetë sistemet binare dhe normat që prodhojnë përjashtim.

Në program përfshihet edhe EUNUCHS (Eunukët) nga duoja braziliane travesti Irmãs Brasil, një performancë që përmes ritualit, teatrit dhe vallëzimit eksploron dhunën patriarkale, transformimin trupor dhe rezistencën queer.

Më 6 qershor, artistja britanike Emma Frankland sjell No Apologies (Pa kërkuar falje), një performancë e frymëzuar nga MTV Unplugged i Nirvana-s, ku autobiografia trans dhe muzika grunge ndërthuren në një rrëfim për tranzicionin, humbjen dhe mbijetesën queer.

Programi përmbyllet me mbrëmjen letrare Anarchic Queer Bodies and Poetry (Trupa queer anarkikë dhe poezi), dedikuar poezisë dhe kulturës queer bashkëkohore, si dhe me performancën Technoburlesque: Image Snatchers (Technoburlesque: Rrëmbyesit e imazheve) nga kolektivi The Feminalz.

Skopje Pride Weekend vazhdon të mbetet një nga platformat më të rëndësishme queer në rajon. Organizatori kryesor i Skopje Pride Weekend 2026 është Coalition MARGINS, në partneritet me Qendrën për Mbështetje LGBTI.

Festivali kurohet nga Slavcho Dimitrov, ndërsa programi realizohet nga një ekip artistësh/e dhe punëtorësh/e kulturorë/e që vazhdojnë të ndërtojnë hapësira të rezistencës kulturore, solidaritetit politik dhe imagjinatës transformuese queer në rajon.

Kliko KËTU për të lexuar më shumë rreth temës ANARCHIC BODIES.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top