Tu e lexu qitash
Publikohet raporti mbi monitorimin e diskursit LGBTIQ+ gjatë ciklit zgjedhor të Kosovës 2025

Publikohet raporti mbi monitorimin e diskursit LGBTIQ+ gjatë ciklit zgjedhor të Kosovës 2025

Sot u mbajt diskutimi lidhur me publikimin e raportit “Monitorimi i Diskursit LGBTIQ+ përgjatë ciklit zgjedhor të Kosovës 2025”, ku u bisedua mbi gjuhën e përdorur ndaj komunitetit LGBTIQ+, reagimet institucionale dhe sfidat që e kanë përcjellë këtë komunitet gjatë një viti të shënuar nga tri procese zgjedhore.

Monitorimi i realizuar nga Dylberizm dhe Qendra për Barazi dhe Liri (CEL Kosova) ka ndjekur në vazhdimësi reagimet e institucioneve ndaj gjuhës diskriminuese gjatë fushatës zgjedhore dhe diskursin e kandidatëve politikë ku ka identifikuar raste të retorikës diskriminuese dhe deklaratave publike kundër të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ nga disa kandidatë.

Sipas raportit, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas ankesave të paraqitura nga CEL Kosova dhe Dylberizm, e gjobiti disa herë Koalicionin për Familje për përdorimin e gjuhës fyese dhe denigruese ndaj komunitetit LGBTIQ+, me gjoba që arritën në gjithsej 16,500 euro.

Megjithatë, një pjesë e vendimeve u rrëzuan më vonë nga Gjykata Supreme, duke nxitur debat mbi kufijtë e zbatimit të sanksioneve ndaj gjuhës diskriminuese në fushata zgjedhore.

Sa i përket zgjedhjeve lokale, raporti vlerëson se temat që lidhen me komunitetin LGBTIQ+ pothuajse munguan nga programet dhe debati politik në nivel komunal. Edhe pse mekanizmat institucionalë të ankesave mbetën aktivë, intensiteti i shkeljeve dhe sanksioneve ishte më i ulët krahasuar me periudhën e zgjedhjeve në shkurt.

Monitorimi evidenton se çështje si strehimorja e premtuar për personat LGBTIQ+ në Prishtinë mbetën pa trajtim të qartë, ndërsa pati qëndrime të ndryshme mes zyrtarëve komunalë dhe organizatave të shoqërisë civile lidhur me progresin e bërë. Përtej kryeqytetit, komunat e mëdha si Mitrovica, Peja, Gjilani, Ferizaj dhe Prizreni nuk iu përgjigjën fare kërkesave për monitorim, duke treguar se temat LGBTIQ+ mbetën kryesisht jashtë diskutimeve gjatë fushatës lokale.

Raporti trajton edhe kontekstin më të gjerë ligjor dhe politik në Kosovë, duke rikujtuar se ndonëse Kushtetuta ndalon diskriminimin mbi bazën e orientimit seksual, debatet rreth Kodit Civil, partneriteteve civile dhe të drejtës për krijimin e familjes vazhdojnë të shoqërohen me kundërshtime politike dhe narrativa që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e komunitetit LGBTIQ+.

Diskutimi i sotëm u mbajt në Qendrën Sociale Kometë në Ulpianë me autorin e raportit, Xhemajl Rexha, i cili prezantoi gjetjet kryesore të raportit.

Pas prezantimit, u zhvillua një diskutim i hapur me pjesëmarrësit të cilët ndanë komente dhe ngritën pyetje mbi gjetjet e raportit, përgjegjësinë e institucioneve dhe ndikimin që diskursi politik vazhdon të ketë në të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ në Kosovë.

Raportin e plotë mund ta gjeni këtu.

Ky raport është bashkë-financuar nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Franceze për Zhvillim (AFD). Përmbajtja e tij është përgjegjësi e vetme e Dylberizm dhe CEL Kosova dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, AFD, ose BIRN-it.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top