Tu e lexu qitash
Prishtina Queer Festival sjell për herë të parë në Ballkan spektaklin e mundjeve drag të Choke Hole

Prishtina Queer Festival sjell për herë të parë në Ballkan spektaklin e mundjeve drag të Choke Hole

Prishtina Queer Festival rikthehet nga 4 deri më 6 shtator 2026, duke sjellë edhe këtë vit artistë, performanca dhe forma të ndryshme të shprehjes queer nga Kosova dhe bota. Prej vitesh, festivali ka krijuar një hapësirë ku arti, aktivizmi dhe komuniteti takohen, duke prezantuar zëra që sfidojnë normat dhe imagjinojnë mënyra të reja të të qenit e të krijuarit.

Një nga ngjarjet më të veçanta të këtij edicioni do të jetë performanca e Choke Hole, kolektivit të njohur ndërkombëtarisht të mundjeve drag nga New Orleans, SHBA. Më 5 shtator, Choke Hole do të performojë për herë të parë në Prishtinë, duke shënuar njëkohësisht debutimin e tyre në Ballkan.

I krijuar në vitin 2018 nga artistët Hugo Gyrl, Jassy dhe Visqueen në skenën alternative të jetës së natës queer në New Orleans, Choke Hole u bë shpejt një fenomen lokal, përpara se të fitonte vëmendje ndërkombëtare. Ajo që nisi si një eksperiment mes performancës drag dhe mundjeve profesionale është shndërruar në një nga format më të veçanta të performancës bashkëkohore queer.

Në qendër të Choke Hole qëndron ekzagjerimi – një nga mjetet më të fuqishme të performancës queer. Brenda ringut, artistët drag shndërrohen në mundës, monstra, diva, anti-heronj, alienë, të dashuruar, antagonistë e kampionë. Çdo ndeshje është një histori në vete, ku përzihen performancat me sinkronizim të buzëve, duelet e koreografuara, reklamat televizive të sajuara dhe një humor absurd që e shtyn realitetin deri në kufijtë e tij.

Nga një investitore e pangopur e pasurive të paluajtshme që përpiqet të shndërrojë lagjet në zona luksoze, te një alien në formë insekti, një yll i harruar i muzikës pop apo një polic që ushqen teori konspirative, personazhet e Choke Hole marrin figura të njohura nga jeta e përditshme dhe kultura pop, duke i çuar ato drejt absurdit. Përmes tyre, kolektivi vë në pikëpyetje mënyrën se si e kuptojmë pushtetin, gjininë, heroizmin dhe vetë idenë e spektaklit.

Megjithëse wrestling-u njihet si një sport spektakolar, ai ka pasur gjithmonë një dimension teatral dhe queer. Pikërisht këtë trashëgimi Choke Hole e rimerr dhe e transformon në një univers ku personat queer nuk kanë nevojë të kërkojnë leje për të ekzistuar, ku skena u përket atyre që guxojnë ta pushtojnë dhe ku performanca bëhet mjet për rezistencë, humor dhe festë.

Gjatë viteve, Choke Hole ka performuar në institucione dhe festivale prestigjioze si Area15 në Las Vegas, Kampnagel në Hamburg, Times Square Arts në New York, Metropolitan Museum of Art dhe MoMA PS1, duke u bërë një nga kolektivet më të rëndësishëm në ndërthurjen e artit bashkëkohor, performancës eksperimentale dhe jetës së natës queer.

Për publikun në Kosovë, ardhja e Choke Hole është një mundësi për të përjetuar nga afër një formë arti që rrallëherë prezantohet në rajon, por edhe për të parë se si humori, kampi, teatri dhe performanca fizike mund të shndërrohen në mjete për të sfiduar normat dhe për të imagjinuar realitete tjera.

Në një vend ku komuniteti queer vazhdon të krijojë hapësira për veten përballë paragjykimeve dhe sfidave të shumta, një performancë si kjo është njëkohësisht festë, rezistencë dhe kujtesë se arti mund të krijojë hapësira të reja për dukshmëri, lidhje dhe solidaritet.

Performanca do të mbahet më 5 shtator, duke filluar nga ora 23:00, në Sallën e Djegur të Pallatit të Rinisë, si ngjarja kryesore e Prishtina Queer Festival 2026.

Për më shumë informata dhe përditësime, ndiqni Prishtina Queer Festival në Instagram, TikTok dhe Facebook. 

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top