Turqia thellon represionin ndaj komunitetit LGBTQ+
Autoritetet turke kanë nisur një operacion të gjerë kundër komunitetit LGBTQ+, duke bastisur bare dhe ambiente të tjera, si dhe shtëpitë e aktivistëve dhe zyrat e organizatave të të drejtave LGBTQ+. Operacioni, i zhvilluar më 13 shtator në disa qytete të vendit, është pjesë e fushatës së qeverisë të quajtur “Familja ime është e sigurt”.
Sipas ministrit turk të Drejtësisë, Akın Gürlek, janë nisur procedura ligjore ndaj 162 të dyshuarve, nëntë organizatave dhe 13 bizneseve në gjithsej 15 provinca. Sipas raportimeve të fundit, të paktën 47 persona janë ndaluar, ndërsa organizata LGBTQ+ Kaos GL ka deklaruar se numri i aktivistëve të ndaluar është të paktën 50.
Në kuadër të operacionit janë bastisur edhe zyrat e gjashtë organizatave LGBTQ+, ndërsa policia ka kontrolluar bare gej, klube nate dhe një hamam. Prokuroria pretendon se hetimet lidhen me akuza për prostitucion dhe prodhim apo shpërndarje të materialeve të pahijshme, përfshirë pretendime se të miturit janë ekspozuar ndaj përmbajtjeve që lidhen me orientimin seksual dhe identitetin gjinor.
Paralelisht, autoritetet kanë bllokuar qasjen në dhjetëra faqe interneti dhe llogari në rrjete sociale të organizatave, aktivistëve dhe mbrojtësve të të drejtave LGBTQ+. Mes organizatave të prekura është edhe Kaos GL, një nga organizatat më të njohura LGBTQ+ në Turqi.
Qeveria turke e paraqet operacionin si pjesë të përpjekjeve për “mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve”. Ai zhvillohet në kuadër të politikave të Presidentit Recep Tayyip Erdoğan për familjen dhe popullsinë. Në maj të këtij viti, Turqia e shpalli periudhën 2026–2035 “Dekadën e Familjes dhe Popullsisë”, ku rritja e normës së fertilitetit është një nga prioritetet kryesore të qeverisë.
Organizatat e të drejtave të njeriut dhe grupet LGBTQ+ e kanë denoncuar operacionin si një përshkallëzim të represionit shtetëror ndaj komunitetit. Ndërkohë, raportimet për arrestime dhe bllokimin e hapësirave online vijnë pas një periudhe të rritjes së presionit ndaj organizatave dhe aktivistëve LGBTQ+ në Turqi.
Burimet: Reuters; Associated Press






