Tu e lexu qitash
dua.com përjashton shqiptarët LGBTQ+ nga platforma sociale për “bashkimin e shqiptarëve”

dua.com përjashton shqiptarët LGBTQ+ nga platforma sociale për “bashkimin e shqiptarëve”

Platforma sociale shqiptare dua.com e cila u lançua në qershor të këtij viti, është një “Aplikacion që bashkon shqiptarët në mbarë botën” dhe “e cila ka për qëllim bashkimin shqiptarëve kudo në botë përmes dashurisë, ndihmës dhe biznesit”.

Ndonëse ky mund të jetë qëllimi i kësaj platforme, krijuesit e platformës e kanë dizajnuar aplikacionin që të jetë i disponueshëm vetëm për personat heteroseksualë e cis-gjinorë, duke i përjashtuar komplet shqiptarët që nuk i takojnë këtyre dy grupeve identiteti.

Platforma e krijuar nga Valon Asani dhe Larklind Cerkezi është e dizajnuar vetëm për përdoruesit që identifikohen si mashkull apo femër dhe janë heteroseksualë.

Pas shkarkimit të aplikacionit, dhe gjatë procedurës së hapjes të një llogarie në këtë platformë, paraqiten vetëm dy opsione për të e zgjedhur gjininë: mashkull dhe femër. Mashkull dhe femër janë terme biologjike që përdoren për të e identifikuar anatominë dhe fiziologjinë e një qenie të gjallë, njohur ndryshe si seksi i një organizmi. Çka dallon qeniet e tjera të gjalla nga njerëzit është gjinia, e cila është konstrukti shoqërorë që përbën sjellje, norma, role dhe atribute që shoqëria i asocion me individët, e që mund të jenë gra, burra, vajza, djem etj.

Opsionet për zgjedhjen e gjinisë në dua.com.

Nga kjo kuptojmë se krijuesit e dua.com nuk i kanë të qartë terminologjitë dhe dallimin mes seksit dhe gjinisë. Kjo ngase ky aplikacion është diskriminues dhe përjashton të gjithë shqiptarët që nuk identifikohen si mashkull/femër, apo burrë/grua.

Për më tepër, ky aplikacion sugjeron seksualitetin e të gjithë përdoruesve, duke i bërë automatikisht lidhjet vetëm mes vajzave dhe djemve, duke përjashtuar shqiptarët që tërhiqen nga personat e gjinisë së njëjtë.

Pas zgjedhjes së gjinisë, aplikacioni automatikisht i prezanton personat e gjinisë së kundërt si “opsione” për mundësi takimi, duke mos lejuar vetë përdoruesit të e zgjedhin opsionin që përkon me orientimin e tyre seksual.

Kqyre edhe qito

Edhe videoja reklamuese e platformës paraqet vetëm persona heteroseksualë.

Si përfundim, platforma sociale dua.com është platfromë diskriminuese, e cila është krijuar vetëm për shqiptarët heteroseksualë e cis-gjinorë, duke përjashtuar shqiptarët gej, lezbike, biseksualë, transgjinorë etj.

Fatmirësisht ekzistojnë platforma të tjera globale të cilët janë gjithëpërfshirëse dhe jo diskriminuese të cilat përdoren nga personat queer në Kosovë, Shqipëri e në botë si Tinder, Grindr etj. Mirëpo, përjashtimi i personave LGBTQ+ nga platforma të njohura shqiptare, nxit besimin se shqiptarët janë popull heteroseksualë dhe cis-gjinorë, besim ky që shkakton urrejtje dhe dhunë ndaj çdokujt tjetër që nuk i takon këtyre dy identiteteve.

Bëjmë thirrje ndaj krijuesve të platformës dua.com që të krijojnë hapësirë të barabartë edhe për shqiptarët LGBTQ+, duke iu ofruar mundësi të zgjedhin vetë identitetin e tyre gjinor dhe orientimin seksual, si çdo platformë tjetër e takimeve në botë.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top