Tu e lexu qitash
U mbajt Parada e katërt e Krenarisë LGBTI në Prishtinë

U mbajt Parada e katërt e Krenarisë LGBTI në Prishtinë

https://www.instagram.com/p/CGPtqAwlQta/

Me moton “Po,du”, të hënën me 12 tetor është mbajtur Parada e Krenarisë LGBTI në Prishtinë. 30 vetura kanë vërshuar kryeqytetin e Kosovës me muzikë dhe flamuj krenarie, për të adresuar sfidat, kërkesat si dhe për të shfaqur prezencën e personave LGBTI në Kosovë.

Organizimi i tillë i Paradës, frymëzuar nga Bosnja dhe Hercegovina, është bërë duke respektuar rregullat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, duke u limituar vetëm në 30 vetura me 3 persona në një veturë.

Parada e Krenarisë me vetura. Prishtinë, 12 tetor 2020. Foto: Urim Krasniqi.

Ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit Parada e Krenarisë është shkurtuar në vetëm një ditë me aktivitete, ku përpos Paradës me vetura, është mbajtur edhe diskutimi FemTalk me temën ‘’Parada në kushtet e Pandemisë’’.

Dita është mbyllur me “Natën Queer” në Termokiss, një event i organizuar nga kolektivi Hyjneshat.

Për ta shënuar këtë ditë, Komuna e Prishtinës ka ngjyrosur vendkalimin në hyrje të objektit të Komunës me ngjyrat e ylberit.

Komuna e Prishtinës ngjyros vendkalimin në hyrje të objektit të Komunës me ngjyrat e ylberit, në përkrahje të Paradës së Krenarisë 2020. 

“Në ditën e komunitetit LGBTIQ+ solidarizohemi për të treguar se jemi të vendosur të ndërtojmë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, ku respektohen të gjithë, pa dallim. Ne në vazhdimësi angazhohemi që të zhvillojmë dhe zbatojmë politika të avancuara sociale për të gjitha komunitetet e shoqërisë sonë, andaj edhe kemi planifikuar ndërtimin e qendrës dhe një strehimores për komunitetin LGBTIQ+” ka shkruar kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një postim në Facebook.

Ndërsa, kryeparlamentarja e vendit Vjosa Osmani ka shfaqur mbështetjen e saj për personat LGBTI duke thënë se orientimi seksual dhe identiteti gjinor nuk janë arsyetim për diskriminim, dhunë ose stigmatizim.

“Dashuria është dashuri -kjo është e padiskutueshme! Të gjithë kemi të drejtë të ndiejmë ashtu si ndihemi – është një premisë themelore e dinjitetit njerëzor. Orientimi seksual dhe identiteti gjinor NUK janë justifikim për diskriminim, dhunë ose stigmatizim. Këtë Javë krenarie & çdo ditë, le të luftojmë për barazi, dashuri dhe integritet!” ka shkruar ajo në profiling e saj në Twitter.

Ndërkaq Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka thënë se është duke punuar në themelimin e Komitetit Këshillues për personat LGBTI, në urimin e tij për Paradën e Krenarisë.

Me vendimin e Kryeministrit Avdullah Hoti, dje në të gjitha ndërtesat qeveritare janë vendosur flamuj krenarie, “simbolikë kjo e mbështetjes institucionale dhe respektimit të universalitetit të të drejtave të njeriut dhe parimit themelor të barazisë dhe mos diskriminimit”.

Kqyre edhe qito

“Republika e Kosovës ka konsoliduar kornizën ligjore me Ligjin për Mbrojtje nga Diskriminimi, i cili siguron promovimin dhe mbrojtjen e të gjitha grupeve të margjinalizuara në shoqëri, duke përfshirë edhe komunitetin LGBTIQ+. Pra, promovimi dhe mbrojtja e të drejtave të personave të komunitetit LGBTIQ+ është një përgjegjësi integrale e të gjitha institucioneve në vend.” ka shkruar Kryeministri Hoti në profilin e tij në Facebook.  

“Grupi Qeveritar Koordinues dhe Këshillëdhënës, si një nga mekanizmat më të larta institucionale i udhëhequr nga Zyra e Kryeministrit / Zyra për Qeverisje të Mirë, në vazhdimësi ka pasur dhe do të ketë mbështetjen time për nismat dhe veprimet të cilat qojnë drejt përmbushjes së nevojave dhe të drejtave të komunitetit LGBTIQ+ konform të drejtave kushtetuese, ligjore dhe standardeve evropiane për të drejtat e njeriut.” ka përfunduar ai.

Grupi Koordinues dhe Këshillëdhënës për komunitetin LGBTI së fundmi është përmendur në raportin vjetor të Komisionit Evropian të Paketës së zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Raporti tregon se Grupi Këshillëdhënës dhe Koordinues për komunitetin LGBTI zhvilloi një plan të ri veprimi 2019-2022. Sidoqoftë, KE vlerëson se ka pak vullnet për të zbatuar këtë plan dhe asnjë përparim nuk është arritur deri më tani.

Ndër të tjera, raporti i Komisionit Evropian ka vlerësuar se përkundër zhvillimeve pozitive si organizimi i Paradës së Krenarisë, ndërgjegjësimi i publikut dhe pranimi i përgjithshëm i të drejtave të personave LGBTI në Kosovë mbetet i ulët.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top