Tu e lexu qitash
Solidariteti në mes personave LGBTIQ+

Solidariteti në mes personave LGBTIQ+

Shkrim i Agon Rexhepit.


“Solidariteti” nuk është fjalë e dëgjume rrallë. Nuk është as fjalë e re sepse gjeneza e saj është mjaft e vjetër, qoftë në teori e qoftë në praktikë. Bile-bile, fjalën “solidaritet” mundemi me e has bukur shpesh në ditët e sotme. Mundemi me e gjet në nisma humanitare, në mediume publike, pas katastrofave shoqërore a natyrore, në lëvizje të ndryshme shoqërore etj.

Ani pse mendimtarë  të ndryshëm ndër vite kanë tentu me i dhanë definicione të ndryshme teorike e praktike solidaritetit, sidomos atij mes grupeve shoqërore, prapë mundemi me u pajtu në një të përbashkët se çka është solidariteti.

Solidaritetin, pak a shumë, mujmë me e përkufizu si përkrahje e nji njeriu ose nji grup karshi nji njeriu a nji grupi tjetër, ndryshe me thanë bashkim i njerëzve, si rezultat i ndjenjave, mendimeve, synimeve të njëjta a përbashkëta.

Historikisht, grupe të ndryshme shoqërore janë fuqizu, zhvillu dhe kanë fitu ma shumë të drejta e vizibilitet kur kanë fillu me u solidarizu brenda grupit. Njashtu, është shumë e rëndësishme që personat LGBTIQ+ të solidarizohen me njëri-tjetrin sepse solidariteti është nji mekanizëm i nevojshëm për fuqizim, zhvillim e vizibilitet.

Po, çka saktësisht domethanë solidariteti mes personave LGBTIQ+?  

Solidariteti mes personave LGBTIQ+, sipas meje, fillon në njohjen dhe respektimin e diversitetit brenda komunitetit.

Komuniteti LGBTIQ+ nuk është parti politike, ku të gjithë kemi bindje, pikëpamje e ideologji të njëjtë politike; nuk është as sekt, ku të gjithë kemi stile të njëjta të veshjes, të muzikës, të kulturës, të besimit, të shprehjes etj.

Pra, si persona LGBTIQ+, mundet me na bashku nji pjesë e identitetit tonë, qoftë orientimi seksual apo identiteti gjinor. Por, identiteti jonë është shumë më i pasur, kompleks e shumë më i gjerë së aq. Pra, edhe shumë karakteristika e tipare të tjera bëjnë pjesë në ndërtimin e identitetit tonë, personalitetit tonë.

Rrjedhimisht, është esenciale të kuptohet, të njihet dhe të respektohet llojllojshmëria e personave LGBTIQ+. Personat LGBTIQ+, mund të dallojnë për nga raca, etnia, nacionaliteti, konstrukti fizik, feja, pikëpamjet ideologjike, mënyra e shprehjes (gjinore) e shumë të tjera. Disa persona LGBTIQ+ janë më të priviligjuar se disa të tjerë. Disa janë më të hapur se disa të tjerë. Disa janë më të angazhuarë në aktivizëm se sa disa të tjerë etj.

Solidariteti mes personave LGBTIQ+ fillon pikërisht në momentin që ne arrijmë me e kuptu këtë diversitet brenda komunitetit. Arrijmë me e kuptu se sa të ndryshëm jemi dhe se si asnjëri opsion nuk është më i mirë se tjetri. Arrijmë me e kuptu se si në disa aspekte jemi më të priviligjuarë se sa disa të tjerë, por në disa aspekte të tjera, jemi më të shtypur ose më poshtë se sa disa të tjerë.

Pra, nuk kemi nevojë as të mendojmë njëjtë, as të dukemi njëjtë, as të flasim njëjtë, as të kemi stil të njëjtë të jetës për të qenë në solidaritet mes vete dhe për të vazhdu me u ndje si familje e madhe.

Përkundër dallimeve që i kemi, e kemi një “armik” të përbashkët: shtypjen si pasojë e homofobisë e transfobisë. E me qenë solidar mes vete nënkupton me i bashku forcat në luftën kundër këtij sistemi shtypës. Por, për t’u bashku në këtë luftë, na nevojitet një tjetër formë solidariteti, që është komunikimi.

Komunikimi mes vete është nji formë tjetër solidariteti që fillon në momentin kur na e dëgjojmë njani-tjetrin. Fillon në momentin që na e krijojmë hapësirën e sigurt e të përbashkët me diskutu për shtypjen e diskriminimin, për historitë e tona të jetës, për andërrat, gajlet, synimet etj.

Komunikimi si mjet solidariteti na lejon me e kuptu që në momentin që në tryezën e diskutimit na fillojmë me bo llaf, arrijmë me e kuptu shtypjen e diskriminimin ndaj neve. Kur fillojmë me diskutu, na e krijojmë hapësirën që mendimet ndryshe mos me u pa si ndarje, por si lidhje. Kur fillojmë me diskutu, e ndërtojmë bashkëndjesinë e “ne”. Kur fillojmë me komuniku mes vete, i kuptojmë privilegjet tona, njashtu mangësitë tona. Rrjedhimisht, kur t’i njohim priviligjet tona, duhemi me tentu me i përdor pikërisht ato privilegje për të mirën tonë, për të mirën tonë të përbashkët.

Këtu, pra kur arrijmë në pikën e dëshirës për t’i përdor privilegjet tona për diçka të hajrit, kalojmë në nji tjetër mjet solidariteti: në veprim, në aksion.

Për fuqizimin e nji grupi të shtypur gjithmonë nevojitet aktivizimi i personave të po këtij grupi, në bazë të mundësive dhe hapësirave që kanë. Domethënë, është shumë e rëndësishme që personat LGBTIQ+ luftojnë kundër shtypjes ndaj tyre.

Por, përdorimi i privilegjeve tona kunddrejt luftës ndaj sistemit shtypës duhet të jetë paralel me mundësitë tona, me mirëqenien dhe sigurinë tonë. Jam fort i vetdijshëm për rrethanat e personave LGBTIQ+ në Kosovë. Por, më një shpirt aktivisti, unë i thirrem idesë se është e nevojshme dhe e rëndësishme që të gjejmë një formë, jo domosdoshmërisht të përbashkët, për të luftuar kundër sistemit homofob e transfob. Pra, një formë që nuk e vë në rrezik mirëqenien e as sigurinë e askujt.

Poashtu, është shumë e rëndësishme të kuptohet se nuk ekziston një formë e duhur apo një formë e përshtatshmë për të gjithë për të luftuar homofobinë e transfobinë. Për këtë gjerësisht do të flas më vonë.

Pra, me qenë në solidaritet mes vete nënkupton me e kuptu diversitetin e personave LGBTIQ+ edhe mos me besu që njëri opsion është më i mirë së tjetri. Thanë ma ndryshe, nënkupton me e dijtë se çka na bën ndryshe e çka na bashkon. Nënkupton me komuniku mes vete, me e dëgju njani-tjetrin e me tentu me kriju hapësira që gjithkush me fol për vete. E kur nuk arrijmë me i kriju këto hapësira, ata që munden e ngritin zanin për ata që nuk munden. Me qenë në solidaritet domethanë me e pa njani-tjetrin ma shumë si “ne” se sa si “ata”

Solidariteti brenda aktivizmit LGBTIQ+

Për zhvillimin e një lëvizje shoqërore, respektivisht për fuqizmin e nji grupi shoqëror, është shumë e rëndësishme të njihet dhe të ruhet historia. Pra, është esenciale me e njoft e vlerësu historinë e aktivizmit LGBTIQ+.

Kur flasim për solidaritetin mes personave LGBTIQ+ unë besoj që është shumë e rëndësishme me diskutu edhe për solidaritetin në mes të aktivistëve LGBTIQ+ sidomos për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që aktivistët e kanë për fuqizimin e komunitetit LGBTIQ+.

Aktivizmi dita-ditës merr forma të ndryshme, fryma të reja, njerëz të rinj etj. Është shumë e nevojshmë që aktivizmi me u vazhdu, me u zgjeru, me u zhvillu, me u rikujtu dhe me u bashku.

Praktikisht, duhet me qenë fort mirënjohës ndaj aktivistëve që kanë luftu mish e shpirt që ne me ardh në ditën që jemi sot. Ata e kanë fillu dikur nji luftë, të cilën unë nuk dyshoj që na jemi t’u e forcu, sepse po rritemi dita-ditës e rrjedhimisht rezistenca forcohet.

Ndonjëherë e shoh nji tendencë, që nuk besoj se vjen prej nji vendi dashakeqës, me besu që aktivizmi i ditëve të sotme është më i mirë, më i duhur, emërtoje qysh të dush, se sa aktivizmi i mëhershëm. Por, për me mbërri deri në aktivizmin e ditëvë të sotme, shumë njerëz është dashtë me sakrifiku e me punu vazhdimisht. Kontributi i tyre duhet vlerësu jashtëzakonisht shumë sepse është pikënisje e fitimit të të drejtave ligjore dhe fuqizmit të komunitetit LGBTIQ+. Vlen me u përmend që në rrethana të ndryshme veprohet ndryshe. Njerëz të ndryshëm veprojnë ndryshe.

Poashtu, kur jemi te aktivizmi, është tejet e nevojshme të rikujtohet se nuk ekziston një formë e duhur e të qenit aktivistë. Aktivizmi LGBTIQ+ ka forma të ndryshme, njerëz të ndryshëm, rrethana të ndryshme, synime të ndryshme etj. Pra, paralel me diversitetin e personave LGBTIQ+, kemi edhe diversitetin e aktivizmit LGBTIQ+.

Aktivizmi mundet me ardh prej individëve, grupeve joformale, organizatave jo-qeveritare, artistëve, sportistëve, e prej çdo fushe tjetër. E secila prej këtyre formave është themelore, e nevojshme dhe e duhur për Lëvizjen LGBTIQ+ në Kosovë e kudo.


Njohja e kontributit të të gjithëve, pa marrë parasysh formës së aktivizmit, na shpie deri te solidariteti. E solidariteti mes njani-tjetrin, ka me na bashku e fuqizu në luftën tonë përballë sistemit shtypës.

Kritikë brenda aktivizmit LGBTIQ+

Gjithmonë duhet të ketë hapësirë për kritikë për Lëvizjen LGBTIQ+, por edhe për gjithçka tjetër. Kritika na i hap sytë, na përmirëson, na fuqizon e na bashkon. Kritika është mënyra e mirë me e mat dëshirën e njerëzvë për ndryshim, për përmirësim. E mat vëmendjen dhe ndikimin tek njerëzit.

Gjithsesi, unë besoj që ekzistojnë dy lloje të kritikës:

1. Kritika progresive dhe ajo konzervatore.

Kritika progesive, e cila është pikërisht lloji i kritikës që na duhet, nënkupton llojin e kritikës që gjenezën e ka në përmirësim, në dëshirën për ndryshim pozitiv. Pra, kur na kritikojmë përmes kritikës progresive nënkupton që i adresojmë kritikat aty ku na mendojmë që duhet, njerëzve që na besojmë se kanë nevojë me i dëgju kto kritika. Pra, kritikën e drejtojmë tek njerëzit kompetentë, me të cilët  duhet të ulemi e të tentojmë të gjejmë një mes te përbashkët e një zgjidhje për dy palët. Jo domosdoshmërisht, por mendoj që kjo lloj kritike është hala ma legjitime kur vjen prej njerëzve që tentojnë me ba diçka për kauzë.

Kurse, kritika konzervatore, apo qysh unë zgjedhi me e qujt “kritika e kafes” është e dëmshme sepse nuk e ka gjenezën në aktivizëm e as në përmirësim, po e ka në ankesë përulëse se çka të tjerët janë duke ba gabim. Pra, është lloji i kritikës që nuk synon përmirësim, por përulje, përqeshje, ndarje. Është lloji i kritikës që adresohet kafeve, te njerëzit që hiç nuk kanë mundësi me e trajtu kritikën e në skenarin ma të mirë me e zbatu kritikën. E kritika të tilla, krijojnë përçarje mes komunitetit LGBTIQ+, sepse ti nuk dëgjon nji kritikë që është adresu te personat të cilët ti i kritikon, por është një kritikë që ti paraqet pikërisht ata persona ndaj të cilëvë drejtohet kritika, direkt apo indirekt,  si persona “të këqinj”. E sipas meje, kjo s’është gjë tjetër veçse përçarje, kritikë me themel negative.

Është e shëndetshme që të kritikojmë, të jetësojmë problemet dhe ta ndajmë perspektivën tonë mbi aktivizmin LGBTIQ+. Por, besoj që është shumë e rëndësishme të kuptohet se kritika duhet me qenë objektive, dashmirëse, e sinqertë edhe duhet me u adresu, në skenarin më të mirë të mundshëm.


Pra, po, sa më shumë kritikë, sa ma shumë kritikë progresive. Kritika, analiza, dëshira e nevoja për përmirësim e ndryshim, adresimi i komenteve, ngritja e zanit ndaj padrejtesivë/pakënaqësive janë tejet të nevojshme për zhvillimin dhe fuqizin e lëvizjes LGBTIQ+.

 
Solidariteti përtej komunitetit

Kqyre edhe qito

Njashtu si brenda komunitetit LGBTIQ+, duhet të solidarizohemi me çdo invidiv a grup shoqëror që shtypet sistematikisht. Qysh e përmenda edhe ma herët, armiku i përbashkët i joni është: sistemi shtypës. Andaj, lufta kundër këtij sistemi duhet të na takojë me një pikë të gjithëve.

Ky sistem disa grupe shoqërore i shtypë në forma të ndryshme. Gratë, personat LGBTIQ+, komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian, personat me aftësi të kufizuara, grupet e tjera etnike etj., shtypen dhe diskriminohet sisteamtikisht, lihen anash dhe me raste edhe çnjerëzohen, shihen si pjesë më pak e rëndësishme e shoqërisë. Andaj, solidariteti dhe bashkimi për një shoqëri të lirë dhe të barabartë është fort i rëndësishëm dhe i domosdoshëm. Për fund, duhet me e rikujtu që solidariteti mes njani-tjetrit  ka me na ndihmu me ec përpara, me e fuqizu bashkë. Sepse, veç bashkë mundemi!


Agon Rexhepi është një aktivist i ri queer nga Prishtina. Si aktivist për të drejtat e njeriut, përmes blogut dhe poezisë, ai synon ta ngrisë vetëdijen rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, e sidomos me të drejtat LGBTIQ+. 

Ky artikull është bërë i mundur me mbështetjen e CSGD. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësia e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e CSGD apo të Dylberizm.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top