Tu e lexu qitash
Partitë politike “harrojnë” votuesit LGBTQ+
Nale Dheze

Partitë politike “harrojnë” votuesit LGBTQ+

Shkrim i Agon Rexhepit.


Kosova është një vend i mbushur me dramë politike. Viteve të fundit e kemi pa një situatë labile politike, me zgjedhje qendrore të shpeshta. Si rrjedhojë e zgjedhjeve të shumëta, të parakohshme e urgjente, shpesh mund të shohim e përcjellim fushata të ndryshme zgjedhore.

Në fakt, fushatat zgjedhore të partive politike në Kosovë janë fort interesante dhe të rëndësishme për t’u përcjell. Partitë politike a individë të pavarur që kandidojnë, angazhohen fuqishëm gjatë fushatës zgjedhore për të fitu sa më shumë votues, respektivisht për t’i fitu zgjedhjet. Gjatë këtyre fushatave, partitë politike përpilojnë edhe planprogramet e tyre qeverisëse, të cilat shpesh tingëllojnë si plane utopike. Në këto planprograme mund të gjesh kryesisht plane rreth infrastukturës dhe urbanizmit, si një prej katrahurave kryesore në Kosovë, por, nuk mund të gjesh shumë plane rreth mirëqenies sociale (ani pse kjo, sipas meje, është qenësore për qytetarët) e aq më pak mund të gjesh plane për barazi sociale, të drejtat e njeriut, respektivisht për komunitetet e margjinalizuara.

Prishtina është në prag të zgjedhjeve lokale. Më 17 tetor, qytetarët e Prishtinës do të votojnë për kryetar njërin nga burrat e kandiduar nga partitë politike. Këto zgjedhje do të përcaktojnë jetesën dhe mirëqenien e qytetarëve të Prishtinës për më së paku 4 vite.

Gjatë kësaj fushate elektorale, kemi mujt me dëgju gjithkah e me lexu rreth planprogrameve të partive politikë për Prishtinën, rreth kandidatëve, rreth thashethemeve, rreth luftës “ne” kundër “atyre” etj. Kemi mujt me dëgju edhe për ndryshime, se qysh kanë me u zbukuru Prishtinën, qysh kanë me e ba Prishtinën lulë, qysh kanë me ndërtu teleferik, liqe artificial në mes të qytetit etj.

Se sa janë të realizueshme këto plane, është temë tjetër. Gjithsesi, është e rëndësishme me u përmend që plane të tilla neve na duken “hajgare” e besa edhe të parealizueshme, sepse jemi mësu që në planprograme qeverisëse mos me pasë ndryshime rrënjësore e aq të mëdha. 

Në planprogramet qeverisëse , ku mund të gjesh plane kryesisht të infrastrukturës, shumë pak mund të gjesh plane a strategji për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara shoqërore. Kalimthi flitet për mirëqenie sociale, as për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, as për mirëqenien e komunitetit LGBTQ+, komuniteteve Romë, Ashkali e Egjiptian, as për të drejtat e grave etj.

Pra, edhe në këto zgjedhje lokale, partitë politike vazhdojnë të mos e shohin komunitetin LGBTQ+ si pjesë të kësaj shoqërie e as nuk angazhohen për përmirësimin e jetës së personave LGBTQ+.

Kujtoj që ende në Kosovë,  partitë politike hezitojnë të flasin publikisht e të angazhohem për respektimin e të drejtave LGBTQ+. Vlen të përmendet që PSD-Partia Social-Demokrate është partia e parë e cila ka qëndrim publik rreth komunitetit LGBTQ+ dhe janë angazhuar në të mirë të personave LGBT+.

Nga partitë e tjera ka pasur deklarata “përkrahëse” e bile edhe deklarata homofobike të figurave brenda partive politike, por jo një qëndrim konkret e publik të partive politike.  Po i quaj deklarata “përkrahëse” për dy arsye:

-një figurë politike, e zgjedhur me votat e qytetarëve nuk duhet të përkrah a të mos e përkrah një të drejtë njerëzore. Pra, nuk është çështje mendimi a opinion e drejta e dikujt tjetër, sidomos kur je i zgjedhur nga populli;

-dhe arsyeja e dytë: këto deklarata zakonisht janë deklarata simbolike e neutrale.

Me pak fjalë, partitë politike vazhdojnë të jenë populliste, duke mos u interesu për të gjithë qytetarët. Ato harrojnë që personat LGBTQ+ po ashtu votojnë. Partive politike nuk iu intereson për personat LGBTQ+, të paktën gjatë fushatës zgjedhore.

Ndër kandidatët për kryetar të Prishtinës, mes Arben Vitisë nga LVV, Avni Çakmaku nga Fjala, Daut Haradinaj nga AAK, Florim Isufi nga Partia Balliste, Gëzim Mehmeti nga AKR, Përparim Rama nga LDK dhe Uran Ismaili nga PDK, vetëm dy prej tyre kanë përfshirë komunitetin LGBTQ+ në fushatat e tyre zgjedhore.  Faktikisht, komunitetit LGBTQ+ për herë të parë në histori të zgjedhjeve në Kosovë është përfshirë në planprogramin qeverisës të një partie politike. 

Fillimisht, një analizë të shkurtër disa prej kandidatëve:

– Arben Vitia vie nga një parti, e cila përkundër në pushtet, nuk është pozicionuar kurrë në përkrahje të komunitetit LGBTQ+. Bashkëpartiaku i z. Vitia, kryeministri Albin Kurti, nuk doli në Paradën e Krenarisë. Bile-bile, as fjalën “LGBTQ+” nuk e ka thënë kurrë publikisht. Përgjigjet e tij janë gjithmonë të përgjithshme, neturale, populliste e diplomatike. Z. Vitia, po ashtu, si ministër i shëndetësisë, nuk është angazhu në asnjë mënyrë për personat LGBTQ+, ani pse ministria që ai drejtonte, para se ta “braktiste” për të garu për kryetar të Prishtinës, mund të bën shumë gjëra për personat LGBTQ+.  Një rast konkret të mungesës së angazhimit të tij si ministër në të mirë të personave LGBTQ+ është edhe dështimi i Qeverisë së Kosovës për të përfshirë personat transgjinorë në pakot emergjente gjatë pandemisë COVID 19. Ky diskriminim morri edhe vëmendjen e Amnesty International.

-Avni Çakmaku vjen nga Partia Fjala, parti e cila publikisht është deklaru kundër komunitetit LGBTQ+. Jo vetëm që janë deklaru kundër, por kanë bë edhe thirrje kundër Paradës së Krenarisë e kundër të drejtave LGBTQ+. Me gjasë mendojnë se e drejta e tyre për të fol është më e rëndësishme se sa e drejta e dikujt për jetë.

-Përparim Rama nga LDK, është i vetmi kandidat i cili gjatë fushatës së tij elektorale është interesu për personat LGBTQ+, përmes një takimi që ka zhvillu me organizatën jo-qeveritare për të drejtat LGBTQ+, CSGD, ku është zotu për angazhim në të mirë të komunitetit LGBTQ+. Poashtu, z.Rama, në planprogramin e tij qeverisës ka përfshirë strehimoren LGBTQ+ si pjesë e planit të tij për mirëqenien sociale të qytetarëve të Prishtinës. Kujtoj që kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, është shpreh në përkrahje të komunitetit LGBTQ+, ani pse partia e tij në të kaluarën, e cila brenda saj ka edhe homofob, nuk ka dhanë kurrë qëndrim publik rreth komunitetit LGBTQ+.  E njëjta parti, kur ka qenë në pushtet, nuk është angazhu seriozisht për përmirësimin e situatës LGBTQ+ në vend.

-Daut Haradinaj nga AKK, e ka përfshirë komunitetin LGBTQ+ në planprogramin e tij qeverisës. Ani pse në këtë planprogram nuk ka ndonjë strategji a plan konkret për komunitetin LGBTQ+, ai zotohet për angazhim në respektimin e të drejtave LGBTQ+. I njëjti nuk ka takuar aktivistë LGBTQ+ gjatë fushatës zgjedhore, por gjithsesi, është shumë e rëndësishme që i ka përfshirë personat LGBTQ+ në planin e tij qeverisës.

-Uran Ismaili nga PDK, poashtu nuk është interesu për personat LGBTQ+ gjatë kësaj fushate. Uroj që ai nuk mendon si bashkëpartiaku i tij, Mërgim Lushaku. PDK-ja, njashtu nuk ka qëndrim publik rreth komunitetit LGBT, por gjatë mandateve të tyre në nivel qendror, nuk ka pasë angazhim serioz për përmirësimin e të drejtave LGBTQ+ a për përmirësimin e jetesës së personave LGBT+.

Për kandidatët e tjerë, nuk kam informata mbi qëndrimet e tyre rreth komunitetit LGBTQ+. Por, asnjëra nga partitë e tjera nuk ka qëndrim publik rreth komunitetit LGBTQ+, e leje më ndonjë plan a angazhim konkret kundër shtypjes ndaj personave LGBTQ+.

Kritika ime mbi partitë politike vjen veç prej nji zhgënjimi të radhës dhe prej frikës rreth situatës LGBTQ+ në vend, e veçanërisht në Prishtinë. Pra, nuk ka asnjë favorizim të ndonjë partie a kandidati.

Votuesë/e të nderuar/a LGBTQ+,

unë ju bëj ftesë të keni kujdes kur votoni këtë të diele. Mirëqenia juaj, e të gjithë/a personave LGBTQ+ në Prishtinë varet pikërisht nga vota juaj. Mos votoni kandidatë që na çnjerëzojnë e harrojnë që personat LGBTQ+ janë pjesë e po kësaj shoqërie.

Për ta kuptu se sa rëndësi ka angazhimi i një partie politikë në pushtet komunal për të drejtat LGBTQ+, më lejoni me ju rikujtu se streha për personat LGBTQ+ në Prishtinës, hapësira sociale për qëndrim ditor, qendra sociale e kulturore, strategji punësimi, mbrojtja nga diskriminimi, siguria, angazhimi në ngritjen e vetëdijes së përgjithshme rreth personave LGBTQ+, përfshirja e personave LGBTQ+ në sferën publike e shumë gjëra të tjera janë pikërisht në dorën e kryetarit të ardhshëm të Prishtinës, respektivisht, Kuvendit Komunal të Prishtinës.

Një institucion si Komuna e Prishtinës mund të luaj rol shumë të rëndësishëm në fuqizimin e personave LGBTQ+ dhe në luftën kundër shtypjes homofobike e transfobike. Andaj, ju ftoj të bëni kujdes se kujt ja besoni mirëqenien tuaj dhe të familjes së madhe LGBTQ+.

Ani pse decentralizimi i aktivizmit LGBTQ+ synohet tash e sa vite e vazhdimisht punohet në këtë aspekt, komuniteti LGBTQ+ vazhdon të jetë më i dukshëm dhe më i zëshëm në Prishtinë. Rrjedhimisht, partitë politike komunitetin LGBTQ+ e konsiderojnë si një grup shoqëror që shtrihet vetëm në Prishtinë. Pra, mungon diskutimi publik e aq më pak përfshirja në plane qeverisëse e personave LGBTQ+ në komunat e tjera të Kosovës. Gjithsesi, vlen të përmendet që dy kandidate gra, Sibel Halimi që kandidon për kryetare të Ferizajt nga radhët e LDK-së dhe Mimoza Kusari Lila që kandidon për kryetare të Gjakovës nga radhët e LVV-së, e kanë përkrah komunitetin LGBTQ+ publikisht dhe kanë marrë pjesë në Paradat e Krenarisë.

Gjithsesi, është fort e rëndësishme që votuesit LGBTQ+ kudo në Kosovë të votojnë kandidatë/e që do të angazhohen direkt në përmirësimin e jetesës së personave LGBTQ+ e sidomos në avancimin e të drejtave LGBTQ+ edhe në komunat e tjera.

Ashtu siç i përkujtuam partive politike që LGBTQ+ voton, në shkurt të këtij viti, prapë po ju rikujtojmë të gjithë partive politike që personat LGBTQ+ votojnë.


Agon Rexhepi është një aktivist i ri queer nga Prishtina. Si aktivist për të drejtat e njeriut, përmes blogut dhe poezisë, ai synon ta ngrisë vetëdijen rreth çështjeve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, e sidomos me të drejtat LGBTIQ+. 

Ky artikull është bërë i mundur me mbështetjen e CSGD. Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësia e vetme e autorit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e CSGD apo të Dylberizm.

Kqyre edhe qito

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top