Tu e lexu qitash
Tirana nikoqire e Balkan Drag Show

Tirana nikoqire e Balkan Drag Show

Nën moton “Trekëndëshi i Dashurisë (Toksike)”, të dielen në mbrëmje do të mbahet një ndër Balkan Drag Shows të parët në histori.

Aleanca LGBT po e organizon një drag show me performuesë nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia, të cilët mblidhen për ta festuar dashurinë, solidaritetin, paqen e lumturinë. Në një kohë kur tensionet politike për shkak të historisë e rrethanave mes këtyre popujve janë armiqësore, personat LGBTIQ+ mblidhen bashkë duke sfiduar urrejtjen dhe shtypjen. Ironikisht, personat LGBTIQ+ janë një prej grupeve më të shtypura në të tri shtetet.

Kultura queer, e cila është gjithmonë në ngritje e sipër në gjithë Balkanin, po sfidon vazhdimisht sisteme dhe po tejkalon kufinjë. Kësaj radhe, përveç tejkalimit të binarëve të gjinisë, heteronormativitetit e shtypjes, kultura queer po i tejkalon kufinjtë etnik e politik, diçka që politika vazdhon ta ketë problem, sidomos në pjesën lindore të Evropës.

Ky drag show, që do të hyjë në historinë e lëvizjeve LGBTIQ+ në Balkan, ngërthen në vetë jo vetëm argëtim dhe performanca artistike, por edhe mesazh e shembull bashkimi, çlirimi e solidariteti.

“Në vigjilije të Ditës së Dashuruarve, Alenaca LGBT organizon një drag show nën moton “Trekëndëshi i dashurisë (toksike)”. Mbretëreshat drag nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia, si rrallë herë, do të mblidhen në Tiranë për të festuar dashurinë e për ta larguar toksicitetin politik nga ajo. Ky drag show do të shërbejë si urë lidhëse mes tre popujve që historikisht e kulturalisht nuk kanë pasur marrëdhënie të shëndetshme e miqësore” thuhet në njoftimin e Aleancës LGBT në Instagram.


Të dielen, duke filluar nga ora 19:00 në hapësirat e Tunel Music Venue, performuese drag dhe DJ do të performojnë para publikut shqiptar. Aleanca LGBT i ka prezantuar të gjithë perfomueset drag dhe DJ-të gjatë kësaj jave. Mbrëmja do të moderohet nga mbretëresha më e famshme shqiptare, Vezirja. Kosova do të përfaqësohet nga Hyjneshat, gjegjësisht nga dy mbretëresha drag të jashtëzakonshme, Barbie Lo dhe Vanessa Sins. Ndërkaq, Serbinë do ta përfaqësojnë dy ndër mbretëreshat drag më të suksesshme në Serbi, Lana Vee dhe Novoslovenka. Nikoqiret nga Shqipëria do të jetë mbretëreshat drag më të dashura, D’Vorah dhe A.G.I, bashkëthemelueset e kolektivit drag “Grrifshat”.

Për muzikën dhe atmosferën e mbrëmjes do të përkujdesen Rebiswan nga Prishtina dhe Nica2Cica nga Tirana.

Detaje të tjera rreth performuesve dhe ngjarjes mund ti gjeni në faqen e Aleanca LGBT në Instagram.

Ju që keni mundësi me shku, mos e humbisni këtë drag show kaq të veçantë. Kurse ju që nuk mundeni, mos u brengosni. Dylberizm do ta sjellë atë afër juve, të paktën vizuelisht.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top