Tu e lexu qitash
Vrasja brutale e aktivistit Edwin Chiloba në Kenia trondit komunitetin LGBTQ+

Vrasja brutale e aktivistit Edwin Chiloba në Kenia trondit komunitetin LGBTQ+

Paralajmërim: Ky postim diskuton torturën, vrasjen, dhunën fizike, dhe përmbajtja e mëposhtme mund të ketë elemente që nuk janë të përshtatshme për disa lexues.

Vrasja brutale e stilistit dhe modelit të ri kenian Edwin Chiloba, një aktivist i shquar i të drejtave LGBTQ+, ka shkaktuar tronditje në Kenia.

Chiloba vdiq nga asfiksia pasi atij iu futën çorapet në gojë; trupi i tij u gjet javën e kaluar brenda një kutie metalike që ishte hedhur në një kanal. Deri më tani, policia ka arrestuar pesë persona, mes të cilëve të dyshuarin kryesor, fotografin Jacktone Odhiambo, me të cilin viktima dyshohet se ishte në lidhje, si dhe bodybuilderin kenian Dennis Litali. Shumë sulme homofobike kanë ndodhur në Kenia, por hetimi nuk ka përcaktuar ende një motiv për krimin.

I lindur si Edwin Kiprotich Kiptoo, Edwin Chiloba ishte 25 vjeç. Ai studionte dizajnin e modës në Eldoret, një qytet në Kenian perëndimore. Ai ishte i njohur për luftën për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, si dhe për paraqitjet e tij në rrjetet sociale i veshur me veshje të konsideruara për gra në Kenia. Ai u pa për herë të fundit i gjallë më 1 janar në një festë të Vitit të Ri, pas së cilës u kthye në shtëpi me disa miq. Policia keniane beson se ai u torturua dhe u vra në vend. Tre ditë më vonë, një çiklist lajmëroi autoritetet se disa persona në një makinë me targa të fshehura kishin hedhur një kuti metalike në anë të një rruge 40 kilometra nga Eldoret. Kur e hapën, gjetën trupin e gjymtuar të aktivistit.

Po atë ditë, policia arrestoi Jacktone Odhiambo, një fotograf 24-vjeçar, i cili, sipas hetimeve, jetonte dhe ishte në një lidhje me Chiloba. Më pas, katër persona të tjerë u arrestuan, duke përfshirë bodybuilderin Dennis Litali, i cili i tha një gjyqtari se nuk kishte asnjë lidhje me asnjë nga personat nën hetim, si dhe një kushëri dhe një mik i Odhiambo dhe një shofer taksie që dyshohet se ndihmuan në lëvizjen e kutisë metalike që bante trupin e Çilobës. Sipas Reuters, dy nga personat e arrestuar janë të mitur. Policia tha këtë javë se pesë të dyshuarit do të mbahen të paktën 21 ditë derisa të zhvillojnë hetimet. Makina në fjalë është paraqitur dhe po testohet për provat e mundshme.

“Hunda dhe goja e tij ishin mbyllur me një copë xhinse,” tha Dr. Johansen Oduor në një konferencë shtypi në Spitalin Moi në Eldoret. “Ai nuk mund të merrte frymë dhe vdiq pak pas […] Çorape i ishin futur në gojë,” shtoi mjeku. Ekzaminimi mjeko-ligjor zbuloi gjithashtu se trupi kishte filluar të dekompozohej kur u gjet dhe se, pavarësisht raportimeve fillestare në media, sytë e tij nuk ishin nxjerrë.

Deklaratat që dënonin vrasjen ishin të menjëhershme. Roseline Odede, kryetarja e Komisionit Kombëtar të Kenias për të Drejtat e Njeriut, deklaroi se “është shqetësuese që ata që perceptohen si të ndryshëm vazhdojnë të sulmohen”; ajo përmendi gjithashtu vrasjet e tre aktivistëve të tjerë të të drejtave LGBTQ+ në dy vitet e fundit.

Shoqata dhe personalitete të shumta kanë kërkuar nga autoritetet hetim të shpejtë për zbardhjen e fakteve. Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, tha se ishte “i tronditur” dhe vuri në dukje nevojën urgjente për të “dyfishuar përpjekjet për të mbrojtur aktivistët LGBTQ+” në mbarë botën. Amnesty International Kenya deklaroi se “asnjë jetë njerëzore nuk vlen më pak se një tjetër. Çdo person ka të drejtë për dinjitet, respekt dhe mbrojtje sipas nenit 26 të Kushtetutës keniane.”

Kqyre edhe qito

Edwin Chiloba kishte pësuar edhe më herët sulme të rënda. Korrikun e kaluar, sulmues të paidentifikuar e rrahën atë në rrugë. Pavarësisht gjithë kësaj, në një nga komentet e tij të fundit në Instagram më 16 dhjetor, Chiloba e bëri të qartë se synonte të vazhdonte të luftonte “për të gjithë ata që janë diskriminuar”. Në mënyrë të ngjashme, në një intervistë dhënë vitin e kaluar për Bold Network Africa, një organizatë që promovon popullatën queer afrikane, stilisti i ri tha: “Duke ardhur nga një komunitet ku të qenit queer është tabu, bllokon shumë nga ambiciet e mia për shkak të frikës se mos ekspozohem. Kjo mund të jetë një sfidë, por çdo sfidë mund të kapërcehet. Unë besoj fuqishëm se, me shprehjen e duhur përmes artit tim, mund të ndryshoj mënyrën se si njerëzit mendojnë dhe [ata] do të më shohin përtej seksualitetit tim.”

Familja e Edwin Chiloba ka falënderuar qeverinë për reagimin e saj të shpejtë dhe tha se janë të bindur se drejtësia do të vihet në vend. Megjithatë, ata gjithashtu pretenduan se nuk ishin në dijeni për aktivizmin LGBTQ+ të stilistit të ri. “Si familje, ne e dimë se djali ynë arriti në kolegj; ishte në vitin e katërt. Ne nuk dimë për gjërat e tjera që po shohim në rrjetet sociale. Ai u rrit si i krishterë. Në Shën Françeskun Kimuron ai u quajt pastor dhe ai ishte udhëheqës student i shoqatës Studentë të Rinj të Krishterë, kështu që ne nuk dimë [për] këto gjëra të tjera që po dëgjojmë; ne thjesht po i shohim ata në internet,” tha për mediat Caudentia Tanui, një zëdhënëse e familjes.

Marrëdhëniet homoseksuale janë krim në Kenia dhe dënohen deri në 14 vjet burg; rreth 30 vende afrikane kanë legjislacion të ngjashëm. Në Somali, Mauritani dhe Nigeri, dënimet mund të përfshijnë edhe dënimin me vdekje. Në ekstremin tjetër, Afrika e Jugut është i vetmi vend afrikan ku martesat e seksit të njëjtë janë të ligjshme. Edhe në vendet ku homoseksualiteti nuk është zyrtarisht një krim, homofobia është e përhapur, duke çuar në mosndëshkimin social për ata që sulmojnë homoseksualët.

Më 17 prill 2022, trupi i pajetë i aktivistes keniane Sheila Lumumba u gjet në shtëpinë e saj. Raportet e policisë zbuluan se 25-vjeçarja, e cila e përkufizoi veten si një lezbike jo-binare, u përdhunua dhe u vra brutalisht nga disa burra. Vitin e kaluar, aktivistja transgjinore Erica Chandra dhe aktivisti i të drejtave LGBTQ+ Joash Mosoti u vranë gjithashtu. “Vdekja e Edwin-it na kujton se trupat e personave queer vazhdojnë të jenë në shënjestër në të gjithë vendin,” vuri në dukje Komisioni Kombëtar i të Drejtave të Njeriut për homoseksualët dhe lezbiket në Kenia në faqen në Instagram disa ditë më parë.

© 2020 Dylberizm - Të gjitha të drejtat e rezervuara

Scroll To Top