Historia e një mendimtareje radikale, burgimi i së cilës mori një përgjigje kombëtare.
Angela Davis ka lindur në qytetin Birmingham të shtetit Alabama në SHBA, në vitin 1944. Që në moshë të re, Angela ka qenë e ekspozuar edhe ndaj racizmit, edhe ndaj aktivizmit. Birmingham ishte një nga qytetet amerikane më diskrimiunuese e më të përçara për sa i përket racës. Lagjja e Angelas quhej “Dynamite Hill (Kodra e dinamitit)” sepse Ku Klux Klan* shpesh sulmonte me bomba shtëpitë e njerëzve me ngjyrë. Të flasësh për të drejtat civile në Birmingham ka qenë tepër e rrezikshme. Por, nëna e Angelas refuzonte të heshtte. Ajo ishte pjesë e një organizate me bazë komuniste për të të drejtat civile të njerëzve me ngjyrë.
Sa ishte nxënëse në shkollë të mesme, Angela mori pjesë në një program që bashkonte nxënësit me ngjyrë nga jugu me familjet e bardha në veri të vendit. Qëllimi ishte të integroheshin shkollat veriore dhe të krijohej më shumë lidhshmëri e njerëzve të bardhë nga shtetet e veriut me përvojën e njerëzve me ngjyrë në shtetet e jugut. Angela jetoi me një familje në Greenwich Village në qytetin e Nju Jorkut. Shkolla që ajo ndoqi ishte shumë përparimtare, dhe veçse i përforcoi vlerat tashmë të rrënjosura tek Angela nga prindërit e saj. Në shkollë, ajo iu bashkua grupit të të rinjve komunistë.
Angela fitoi një bursë për të studiuar Letërsi Franceze në Universitetin Brandeis në Masaçusec. Pas diplomimit ajo studioi në Gjermani, ku përfundoi studimet për doktoraturë në Filozofi.
Kur u kthye në Shtetet e Bashkuara, u përfshi në lëvizjen për të drejtat civile. Ajo besonte se racizmi dhe kapitalizmi ishin rreziqe për drejtësinë amerikane. Angelën e tërhoqi puna që bënin Komiteti Paqësor Koordinues i Studentëve dhe Partia e Panterës së Zezë. Ndërsa, Angela ishte e interesuar për përkushtimin e tyre sa iu përket të drejtave civile dhe fuqisë së Black Power*, ajo nuk ishte plotësisht dakord me politikat e tyre sepse ishte e shqetësuar për ndarjet midis anëtarëve burra dhe gra. E ndjente se udhëheqësit burra prisnin që gratë të qëndronin në prapavijë dhe të mos udhëheqnin.
Angela e vlerësonte faktin se Partia Komuniste ishte më mikpritëse ndaj grave dhe që fokusin e kishte në përfundimin e kapitalizmit. Edhe pse bashkëpunoi me vetëdëshirë me anëtarët e Partisë së Panterës së Zezë, ajo mori rol udhëheqës brenda një këshilli vendor të Partisë Komuniste.
Në vitin 1969, Angela u bë profesoreshë e Filozofisë në Universitetin e Kalifornisë në Los Anxhelos. Kur guvernatori i Kalifornisë, Ronald Reagan, mësoi për lidhjet e saj politike, i bëri presion Universitetit që ta largonin nga puna. E mbështetur nga shumë kolegë dhe studentë të saj, Angela u kundërpërgjigj. Ajo e çoi tutje çështjen në gjykatë. Gjykata Supreme e Kalifornisë vendosi që Angela nuk mund të largohej nga puna vetëm për shkak që kishte lidhje partiake. Megjithatë, disa muaj më vonë, Universiteti gjeti një arsye tjetër që ta largonte atë nga puna. Ata pretenduan se komentet e saj në fjalimet e fundit që pati, ishin politikisht shumë nxitëse.
Përafërsisht në të njëjtën kohë kur humbi punën, Angela u përfshi në Komitetin e Mbrojtjes të Vëllezërve Soledad. Vëllezërit Soledad ishin tre persona me ngjyrë, të burgosur në burgun Soledad, të cilët ishin të akuzuar për vrasjen e një roje të bardhë burgu. Komiteti kërkonte të mblidhte fonde dhe të ndërgjegjësonte popullin në mbështetje të tre burrave të akuzuar.
Më 7 gusht të vitit 1970, një person i armatosur dhe vëllai i një prej Vëllezërve Soledad hynë në një sallë gjyqi në Kaliforni dhe morën peng disa njerëz. Personi deklaroi se do t’i mbante viktimat peng derisa Vëllezërit Soledad të liroheshin. Nga tentativa e policisë për shpëtim, katër persona mbetën të vrarë, përfshirë edhe gjyqtarin e sallës së gjyqit.
Në proces hetimor u zbulua se personi i armatosur kishte përdorur një armë që Angela e kishte blerë në një dyqan pengjesh disa ditë më parë. Sipas ligjit të Kalifornisë, Angela mund të akuzohej të ketë qenë e pranishme në ngjarjen e krimit për shkak të lidhjes së saj me armën.
Mosbesuese ndaj një qeverie që ia kishte heshtur zërin tashmë në klasët e universitetit, Angela vendosi të ikte dhe të fshihej. Gjatë asaj kohe, FBI-ja e shtoi në listën e “10 personave më të kërkuar”. Në tetor, atë e arrestuan në një dhomë hoteli në qytetin e Nju Jorkut. Pas arrestimit të saj, Presidenti Richard Nixon e uroi FBI-në për “kapjen e terroristes së rrezikshme Angela Davis”. Angela u akuzua për vrasje, kidnapim dhe konspiracion. Nëse shpallej fajtore, mund të përballej me dënimin me vdekje. Ajo këmbëngulte se ishte e pafajshme. Avokatët e saj e theksonin faktin se ajo le që nuk kishte qenë e pranishme në vendin e krimit, por edhe armën e kishte blerë për arsye ligjore.
Angela u mbajt 18 muaj në burg. Gjykata ia mohoi lirimin me kusht. Rojet shpesh e mbanin në qeli të izoluar me pretendimin se idetë e saj ishin të rrezikshme. Gjatë kohës që qëndroi e mbyllur, Angela arriti të kuptonte sistemin e drejtësisë penale në nivel më të thellë. Për të qëndruar shëndetshëm fizikisht dhe mendërisht, u përqendrua në shkrim, karate dhe yoga.
Angela Davis është një përkrahëse e fortë e heqjes së burgjeve, duke mbrojtur një shoqëri pa burgje krejtësisht. Ajo argumenton se sistemi aktual i burgjeve është thelbësisht me të meta dhe përjetëson cikle dhune dhe padrejtësie.
Davis beson se sistemi i burgjeve është i rrënjosur thellë në strukturat shtypëse dhe synon në mënyrë disproporcionale komunitetet e margjinalizuara, veçanërisht njerëzit me ngjyrë. Ajo argumenton se në vend që të fokusohet në masat ndëshkuese dhe burgosjen, shoqëria duhet t’i japë përparësi adresimit të shkaqeve rrënjësore të krimit përmes transformimeve sociale, ekonomike dhe politike.
Në mbrojtjen për heqjen e burgjeve, Davis thekson nevojën për sisteme alternative të drejtësisë dhe qasje transformuese që kanë prioritet rehabilitimin, mbështetjen e komunitetit dhe adresimin e çështjeve themelore shoqërore që kontribuojnë në krim. Ajo beson në investimin në arsim, kujdes shëndetësor dhe shërbime sociale si masa proaktive për të parandaluar krimin dhe për të krijuar një shoqëri më të drejtë.
Jashtë mureve të burgut, Angela u bë simbol ndërkombëtar i rezistencës. Aktivistët në tubime përdornin thirrjen “Free Angela (Lironi Angelan)”. Ata bënin thirrje se Angela ishte e burgosur politike dhe padrejtësisht e shënjestruar për shkak të bindjeve të saj politike dhe punës si aktiviste. Butona, postera dhe materiale të tjera përkrahëse u krijuan për të rritur ndërgjegjësimin për gjendjen e saj të vështirë. Muzikanti John Lennon dhe gruaja e tij Yoko Ono krijuan një këngë për të. Emri dhe imazhi i Angelas u bënë simbol për revolucionin e drejtësisë shoqërore.
Më 4 qershor të vitit 1972, një juri gjyqtarësh e përbërë tërësisht nga njerëz të bardhë, e shpallën Angelan të pafajshme ndaj të gjitha akuzave. Angela tha se ishte dita më e lumtur e jetës së saj.
Koha e saj në burg vetëm sa i ka shtuar benzinë pasionit të Angelas për barazi dhe drejtësi. Ajo mori pjesë në një turne ndërkombëtar si folëse dhe pranoi ftesa për vizitua nëpër disa vende komuniste, përfshirë Kubën, Bashkimin Sovjetik dhe Gjermaninë Lindore. Angela gjithashtu themeloi disa organizata avokuese, duke përfshirë këtu National Alliance Against Racist and Political Repression (Aleancën Kombëtare Kundër Represionit Racist dhe Politik).
Angela iu kthye mësimdhënies dhe ka botuar disa libra. Ajo dha idetë dhe zërin e saj për një sërë çështjesh si reformat në burgje, të drejtat e grave, barazia racore, dhe pabarazia e kapitalizmit. Angela ishte gjithashtu përkrahëse e komunitetit LGBTQ dhe doli hapur si lezbike në fund të viteve 1990.
Sot, ajo është profesoreshë e shquar e Historisë së Ndërgjegjësimit në Universitetin e Kalifornisë në Santa Cruz. Ajo vazhdon të jetë udhëheqëse e palëkundur e mendimit dhe përkrahëse e barazisë për të gjithë amerikanët.
Përpara se bota ta dinte se çfarë ishte ndërthurrja, Angela Davis e jetonte atë, duke luftuar jo vetëm për çlirimin e njerëzve me ngjyrë, por edhe për të drejtat e grave dhe njerëzve queer dhe transgjinorë. Angela është në lidhje dhe jeton hapurazi si queer me partneren e saj, akademiken Gina Dent, poashtu studiuese e shkencave humane dhe feministe ndërseksionale në Universitetin Santa Cruz.
* Ku Klux Klan – i hasur zakonisht si shkurtesë KKK ose si Klan në dekadat e fundit, është një grup amerikan supremacist i njerëzve të bardhë, terroristë të krahut të djathtë dhe grup i urrejtjes. I njohur për historinë e gjatë të dhunës, dhe duke qenë akoma aktiv, është grupi më i vjetër dhe më famëkeq i urrejtjes në Amerikë.
* Black Power – slogan politik dhe emër që u jepet ideologjive të ndryshme të ndërlidhura që synojnë të arrijnë vetëvendosje për njerëzit me ngjyrë.
Biografia e Angela Davis është publikuar në NY History dhe është përkthyer nga Dylberizm.